Ligji për Pagat mashtrim i Kadri Veselit me mësuesit, mjekët, policët etj

Politika

Ligji për Pagat mashtrim i Kadri Veselit me mësuesit, mjekët, policët etj

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 8 dhjetor 2019 Në ora: 11:18
Kadri Veseli

Në shkurt të vitit të kaluar, pas tri javë grevash, ishte miratuar ligji për pagat. Përmes këtij ligji përmirësohet koeficienti i mësuesve, mjekëve, policëve duke e zvogëluar në të njëjtën kohë atë të politikanëve që nga kryetari i shteti e tutje. Ende janë të freskëta imazhet e Kadri Veselit që në rolin e shpëtimtarit dha lajmin e shumë pritur së bashku me kreu e SBASHK-ut.

Ky i fundit u zotua se ky ligj do të hy në fuqi pas nëntë muajve, ashtu siç e parashikonte ligji. Pikërisht tani që janë afruar, respektivisht kur kanë mbetur edhe tri javë kur shërbyet civilë pritej t’i merrnin pagat me rritje u shfaq në horizont pengesa e “papritur”. Do të ishte krejtësisht rastësisë nëse kjo nuk është me prapavijë politike, pikërisht nga ata që  dolën si shpëtimtarë për gjoja arritjen e kësaj marrëveshje.

Dërgimi i këtij Ligji në Kushtetuese nga Avokati i Popullit, përbën një akt me prapavijë politike, dhe kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar. Duke njohur se kush ishte në pushtet, dhe formalisht ende janë, nuk habitem aspak për prapavijën e kësaj. Të kthehemi në retrospektivë dhe të kuptojmë se kreu i SBASHK-ut Rrahman Jashari kishte nënshkruar marrëveshje me koalicion PAN në kohën e fushatës për zgjedhjet e 2017.

Kjo përbën një akt të paprecedentë ku një kryetar i një sindikate infiltrohet në fushatë me një parti politike dukë nënshkruar marrëveshje. Kjo tregonte për animet e tija politike, dhe të cilat sot kanë sjell këtë realitet që e kemi. Duhet kujtuar këtu se edhe avokati i popullit është zgjedhur me votat e ish deputetëve, shumica nga koalicioni PAN, andaj është e çuditshme se pse ky Ligj nuk është dërguar në Kushtetuese më herët por pikërisht tani.

Tani që pritet të arrihet marrëveshja për qeverisje mes VV-LDK, mos dalja e pagave të dhjetorit me rritje do të thotë grevë të përgjithshme nga sektori publikë. Kjo paraprakisht do të sjell shtetin në kolaps, me qeverinë e re që do të përballët me sfida qysh në fillim të saj. Kjo, duket se edhe është qëllimi kryesor i atyre që tërheqin litarin njerëzve që vet i kanë emëruar në pozitat e rëndësishme shtetërore.

Të minosh terrenin për pasardhësin në qeveri nuk është e ndershme, ndonëse ky është qëllimi kryesor në këtë histori. Po shihet ashiqare orkestrimi i kësaj maskarade nga njerëz nga politika, e të cilët me argatët e tyre në sindikata, kanë ndërtuar këtë skenar për të sulmuar qeverinë e re. Jam i bindur se nëse PAN do të fitonte zgjedhjet Ligji s`do ishte dërguar në Kushtetuese, mekanizmat që përdorën për të sulmuar qeverinë e re ende pa nisur punën janë jo etike. Për më tepër kjo shpërfaq fytyrën e vërtetë të atyre që fatmirësisht nuk janë më në qeveri, por vazhdojnë të lënë pasoja pas.

Kjo duhet të jetë edhe një arsye më shumë që të gëzohemi për ikjen e tyre, ndonëse pasojat dhe mëkat e tyre do të vazhdojnë të rëndojnë mbi qytetarët e pafajshëm, që në këtë rast janë mësuesit, mjekët dhe policët. Njerëzit që mbajnë shtetin detyrohen që të bojkotojnë punën e tyre në rast që ky skenar realizohet. Me gjasë edhe kështu do të ndodh, viti i ri do të nis me greva në të gjithë sektorët, e të cilat nuk janë fajtorë për gjendjen aktuale.

 Ky skenar i realizuar nga nëntoka, dhe me aprovimin e argatëve të tyre, është vepra e fundit djallëzore e ish PAN, të cilët paturpësisht po luajnë më dinjitetin e mësuesit, mjekut, policit, zjarrfikësit etj.

Pafytyrësia nuk ka fund për ata që vet janë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat