Flet Zogaj, kështu do të ndahen ministritë, sa do t’i takojnë Kurtit e sa Mustafës dhe posti i presidentit - Bota Sot
Flet Zogaj, kështu do të ndahen ministritë, sa do t’i takojnë Kurtit e sa Mustafës dhe posti i presidentit

Politika

Flet Zogaj, kështu do të ndahen ministritë, sa do t’i takojnë Kurtit e sa Mustafës dhe posti i presidentit

Nga: G.B Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 21:38
Isa Mustafa dhe Albin Kurti, foto ilustrim nga "Bota sot"

Janë bërë dy muaj që kur u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë. Procesi i numërimit e rinumërimit të votave zgjati shumë, por edhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ende nuk është formuar qeveria e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK kanë filluar bisedimet për të arritur një marrëveshje koalicioni, për formimin e qeverisë bashkë.

Mirëpo, së fundmi takimet janë ndërprerë, derisa ka pasur deklarata se posti i presidentit po ndikon që të mos arrihet marrëveshje.

Por, a duhet të negociohet posti i presidentit mes të dyja partive?

 Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se elektorati u dha besimin VV-së dhe LDK-së për të ndryshuar modelin e qeverisjes dhe ata e kanë shansin që ta kuptojnë këtë besim.

Image
Skënder Zogaj

“Elektorati kosovar në zgjedhjet e 6 tetorit bëri një hap drejt vetëdijësimit dhe të kuptimit se rolit të votës si vulë e fatit të njerëzve në një vend demokratik! Ky vetëdijësim u shpreh në zgjedhjet e 6 tetorit, ku sovrani i dha përparësi LVV-së dhe LDK-së duke ua dhënë rastin që të ndryshojnë modelin e qeverisjes në Kosovë! Pra LVV dhe LDK e kanë shansin dhe varet prej tyre sa e si e kuptojnë këtë besim! Mediat dhe koluaret si herëve të tjera po e luajnë mjerueshëm teatrin e thashethemeve duke harruar misionin informativ”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, partitë duhet t’i ndajnë në mënyrë të barabartë postet, njëra parti ta ketë Kryeministrin dhe gjysmën e ministrive, partia tjetër Presidentin, kryetarin e kuvendit dhe gjysmën e ministrive!

“Njerëzit më përgjegjës nga dy partitë po deklarojnë se bisedimet po zhvillohen me mirëkuptim të plotë dhe se i kanë harmonizuar plotësisht pikëpamjet programore! Nga ta nuk është thënë se problem i koalicionit është presidenti, dhe, nuk ka asnjë fije dyshimi se nuk është dhe nuk mund të jetë! Nëse LDK dhe LVV kanë thënë se e kanë qëllim shtetin e jo pushtetin, atëherë në situatën aktuale, koalicioni duhet të jetë i barasvlershëm, dhe ndarja e duhur me këtë rast është: njëra parti ta ketë Kryeministrin dhe gjysmën e ministrive, partia tjetër Presidentin, kryetarin e kuvendit dhe gjysmën e ministrive”, ka vlerësuar ai.

Zogaj shton se VV duhet të zgjedh e para e ndarja tjetër i mbetet LDK-së, duke shtuar se më pas gjatë mandatit duhet të sigurohet baza ligjore që presidenti të zgjidhet nga populli.

“LVV si fituesja zgjedh e para dhe ndarja tjetër i mbetet LDK! Me një kësi marrëveshje, gjatë mandatit 4-veçar, LDK-ja do të duhej të lus partnerët qeverisës dhe të gjitha partitë politike parlamentare që të sigurojnë bazën ligjore që Presidenti të zgjidhet nga populli! Kjo do të ishte vepra e duhur e rëndësisë historike për Kosovën”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat