"Luli" i luftës dhe i pasluftës del para drejtësisë së Speciales

Politika

"Luli" i luftës dhe i pasluftës del para drejtësisë së Speciales

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 10 dhjetor 2019 Në ora: 08:21
Kadri Veseli

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, para nisjes për në Hagë ku sot më 10 dhjetor (e martë),  do të merret në pyetje nga hetuesit e Gjykatës Speciale, nuk ka dashur të tregoj në se çfarë cilësie është ftuar, ani pse ai ka thënë se Gjykata Speciale është sfidë përballë krimeve makabre serbe.

“Tani jam duke udhëtuar për në Hagë me ftesë të Dhomave të Specializuara, jam i ftuar për intervistim. Gjykata Speciale është sfidë përballë krimeve makabre serbe, por të njëjtën kohë është sfidë përballë krimeve makabre serbe po edhe një moment ndërkombëtar për të rikonfirmuar pastërtinë e luftës së popullit tonë të UÇK-së, çdo luftëtar i lirisë është krenar që ka pasë fatin t’i shërbejë atdheut të vet, edhe unë, jam shumë krenar e falënderoj zotin për këtë dhe dua ta them se me asnjë gjë nuk e ndërroj asnjë pjesë të jetës time krenare, historia e UÇK-së është histori për liri dhe pavarësi”, ka thënë ai. Intervista e Kadri Veselit fillimisht ishte caktuar në fillim të këtij muaji, por që më pas ishte shtyrë për 10 dhjetor.

Nuk dihet nëse pas Veselit, që gjatë luftës njihet si Komandant Luli, të njëjtin “fat” mund ta ketë edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi për të cilin është thënë shumë herë se tashmë është ftuar nga kjo gjykata, por që edhe është intervistuar.

Bytyçi: Hashim Thaçi e Kadri Veseli do të duhet patjetër të hetohen për veprimtarinë e SHIK

Image
Enver Bytyçi

Opininositi Enver Bytyçi ka thënë për “Bota Sot” se gjykata Speciale e Hagës është krijuar për të ndëshkuar fajtorët për krime të lehta apo të rënda, të cilët i kanë kryer disa komandantë të luftës së UÇK-së gjatë dhe mbas lufte. D.m.th se kjo gjykatë nuk është investim ndërkombëtar për t’i përkëdhelur fajtorët që dëshmohen e faktohen si të tillë.

“Nga ana tjetër nuk duhet pritur që Kadri Veseli apo Hashim Thaçi t’i tregojnë publikut të vërtetën e thirrjes së tyre nga kjo gjykatë. Sa për Haradinajn dhe madje edhe Fatmir Limajn, duhet thënë se ata i janë nënshtruar hetimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe nuk besoj se Gjykata Speciale do të ketë prova të reja për ta. Këta të dy e kanë kryer ciklin e hetimit dhe nëse thirren në këtë gjykatë, ata thjesht pyeten si dëshmitarë të ndonjë episodi që lidhet me fajësinë e dikujt tjetër”.

Kadri Veseli është nisur për në Hagë pa sqaruar se me çfarë cilësie do të paraqitet ai atje.

“Edhe kur të kthehet do të sajojë ndonjë alibi për të mos komunikuar të vërtetën e paraqitjes. Ndërsa Thaçit është njoftuar në një formë ose tjetër për çfarë Gjykata Speciale është e interesuar rreth tij”, është shprehur profesori.

Ai më tej ka shpjeguar se, opinioni publik në Kosovë e më tej ka interes veçmas të sqarohen rrethanat dhe autorët e vrasjeve të shumta politike të pasluftës.

“Janë ekzekutuar politikanë, ish luftëtarë të UÇK-së, gazetarë, dëshmitarë, të gjithë këta me gjak dhe me identitetin shqiptar. Janë ekzekutuar nga shqiptarët. Së paku deri më sot nuk ka ndonjë pistë se këto krime të pasluftës t’i kenë kryer serbët a dikush tjetër. Ndërkaq shumë qytetarë këto krime e vrasje i lidhin me strukturat kriminale të pas luftës, si p.sh SHIK-u. Kadri Veseli ishte shef i këtij shërbimi jo legal, jo ligjor, jo të paanshëm. Ishte strukturë politike e udhëhequr nga ish-shefi i UÇK-së, Hashim Thaçi. Ramush Haradinaj mund të ketë fajet e veta, por ai nuk ka qenë pjesë e kësaj strukture ose autor i saj. Ndaj dhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli do të duhet patjetër të hetohen për veprimtarinë e SHIK, për të cilin besohet dhe ka të dhëna se ka qenë një organizatë kriminale e strukturuar sipas projektit të hartuar nga Fatos Klosi dhe sipas modelit të ish-sigurimit të shtetit në Shqipëri, si dhe modelit të UDB-së serbe në ish-Jugosllavi” ka thënë nder të tjera opionisti Bytyçi.

Ai po ashtu ka folur edhe për vrasje e pas luftës ne Kosovë.

“Nuk besoj se gjendet ndonjë qytetar në Kosovë e më gjerë që të mos jetë shumë i interesuar për ndriçimin e vrasjes së engjëllit të politikës kosovare, Xhemail Mustafës. Kush e ka njohur atë, e di se ai nuk kishte e nuk mund të kishte asnjë armik personal, as politikisht. Ai është asgjësuar nga një bandë kriminale, thjesht se i përkiste legjionit politik të Ibrahim Rugovës. Pra me të njëjtin motiv, me të cilin Milosheviçi i asgjësoi shqiptarët, thjesht pse këta janë të një entiteti të ndryshëm nga ai serb. Modeli i vrasjeve politike në Kosovë është më së shumti model serb si dhe model i ish-sigurimit të shtetit në diktaturën hoxhiste në Shqipëri”.

Profesori Bytyqi ka shpjeguar se këta që po thirren në Hagë, po përpiqen që këto krime të pasluftës t’i justifikojnë me retorikën e mbrojtjes së UÇK-së. Në Hagë nuk gjykohet UÇK. Bashkësia Ndërkombëtare e kishte shpallur UÇK-në aleate të NATO-s. Prandaj nuk ka asnjë arsye t’i identifikomë krimet e pasluftës të disa individëve me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirim!

Gashi: Kadri Veseli ka material për luftën dhe pasluftën

Image
Tomë Gashi

Kurse, avokati Tomë Gashi, ka deklaruar se z, Kadri Veseli do të ketë çfarë të jap material në Hagë, për periudhën e luftës dhe të pasluftës.

“Z. Kadri veseli ka udhëtuar në Hagë ku do të intervistohet në cilësi të personit që do të ndihmojë që Prokuroria Speciale në Hagë të ketë njohuri bindëse për raste të caktuara që janë interes i saj për të ditur më shumë për ngjarjet që janë objekt hetimi për periudhën kohore nga 01.01.1998 deri më 31.12.2000.  Përafërsisht kjo periudhë është e ndarë në dy periudha kohore. Janë 18 muaj të luftes dhe 18 muaj të paqes. Dhe personi që ka me së shumti inforamata të sakta është pikërisht z. Kadri Veseli, pasi që ai ka qenë shef i SHIK-ut, nga  1998 deri më 2008”, ka nënvizuar Gashi.

Sipas tij, pa marr parasysh se në çfarë cilësie merret në pyetje, ai ka çka t`i ofrojë prokurorisë, respektivisht gjykatës speciale në Hagë.

“Unë shpresoj që ai të jetë ftuar në cilësi të të dyshuarit dhe do ta ketë pozicionin juridik shumë më të lehtë. Dhe e sygjeroj të mbrohet në heshtje. Pra të mos deklarojë asgje pasi ligji këtë ia mundëson. Dhe siç kanë vepruar edhe shume bashkeluftarë të tij. Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Ramush Haradinaj dhe shumë e shumë të tjerë që jan intervistuar në cilësi të të dysharëve.

Por prpkurori nëse pak ka dije juridike do ta marr në pyetje në cilësi të dëshmitarit dhe aty punët do të jenë më të vështira për zotin Veseli dhe shpresoj që ai me dijen e vet juridike dhe me ndihmën e avokateve të tij të përzgjedhur të gjej mënyrën më të mirë të mos e dëmtoj luftën e UÇK-së. Të mos e dëmtojë vetën dhe shokët e tij të luftës që janë të ftuar nga Gjykata Speciale të cilën e ka përkrahur shumë fuqishëm edhe vet zoti Kadri Veseli”, ka potencuar Gashi.

Ndërsa, sa i përket z. Hashim Thaçi, Gashi ka thënë se ka indikacione se ai ka mundur të jap deklaratë në Gjykatën Speciale, deri me tani.

Miftari: Hashim Thaçi tashmë është intervistuar nga Gjykata Speciale

Image
Naim Miftari

Gjykata Speciale po vazhdon më ftesat për zyrtarë të ndryshëm nga Kosova përfshirë edhe ish drejtorin e SHIK-ut dhe njëherit kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Veseli nuk ka treguar se në çfarë cilësie është ftuar nga kjo gjykate që vet e ka votuar, por ka thënë se është i lumtur që ka shërbyer për UÇK-në dhe vendin e tij. Më parë kishte pas biseda se edhe vetë presidenti i vendit Hashim Thaçi tashmë ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale por një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Ish agjenti i SHIK-ut Naim Miftari në një prononcim për “Bota Sot” sipas informacioneve të sigurta Hashim Thaçi veç është marrë në pyetje për dy ditë rresht nga Tribunali i Hagës .

“Jam i sigurt 100% se Hashim Thaçi tashmë është intervistuar nga gjykata e Hages dhe nëse tash merr thirrje tjetër do të jetë hera e dytë. Krejt gjykata e Hagës është e bazuar në raportin e Dick Martit ku presidenti Thaçi është i dyshuari kryesor i atij raporti” ka thënë Miftari.

Sipas tij, raporti i Dick Martyt kinse tregtia me organe është një gënjeshtër e plotë dhe është raport i nxitur nga serbo rus.

“Raporti i Dick Marty është realisht i gjysmë i saktë prandaj kjo gjykatë do ishte hajgare të bënte drejtësi me viktimat e luftës ,sepse edhe krimet e Serbisë duhet të hetohen” ka thënë për Bota Sot” ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari

Ndryshe  gjykata Speciale apo, siç njihet me emrin zyrtar "Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar” është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në Kosovë në periudhën 1998-99. Kjo u mundësua në gusht të vitit 2015, kur Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran, Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetimet në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat