Rezultati i mirë i dialogut, atdhetari dhe vlerë kombëtare

Politika

Rezultati i mirë i dialogut, atdhetari dhe vlerë kombëtare

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 dhjetor 2019 Në ora: 18:33
Hashim Thaçi, Aleksandar Vuciq dhe Federica Mogherini

Dialogu me Serbinë është fatkeqësia më e dhimbshme e Kosovës. Kjo për faktin se që në fillim ky dialog nuk i ka nisur bisedimet si duhet, duke bërë që Kosova të humbas shumë.

Ditë më parë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar analizën “Konsensusi i brendshëm si parakusht për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi”.

KDI-ja ka theksuar nevojën e një konsensusi institucional, duke filluar nga Qeveria, partitë opozitare si dhe në bashkërendim me Presidentin e vendit.

Violeta Haxholli nga KDI-ja tha se presin që pasi Kosova të konsolidojë institucionet e reja, një ndër çështjet prioritare të jetë vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.

“KDI konsideron që pa pasur konsensus, nuk duket hyrë në dialog dhe partitë duhet lënë inatet partiake. Përgjegjësitë për dialogut bien mbi qeverinë dhe kryeministrin e ri, ai duhet të jetë bartës i iniciativave për konsensus”.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike në vend kanë vlerësuar se pa konsensus të përbashkët dhe të koordinuar midis të gjitha partive, qofshin në pozitë ose në opozitë, nuk mund të vazhdohet kurrfarë dialogu me Serbinë.

Sipas tyre, nëse qeveria nuk merr mbështetje nga opozita do të jetë një mundësi e vogël që Kosova të ketë sukses, çka nuk është në interes të askujt.

Zogaj: Çështja e bisedimeve është detyra më kryesore shtetërore dhe përcaktuese e fatit të Kosovës

Image
Skender Zogaj

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se tashmë çështja e bisedimeve është detyra më kryesore shtetërore dhe përcaktuese e fatit të Kosovës.

Sipas tij, këtë "dhuratë" e kemi nga mënyra e keqe e fillimit të bisedimeve që u nisën si "bisedime teknike" e tash po e shohim të gjithë se janë politike.

“Prandaj, klasa politike e Kosovës nëse vetëm pak ka ndjenja atdhetarie, duhet të ketë konsensus të plotë dhe të mos e neglizhojë për qëllime përfitimesh partiake! Sidomos është shumë i rëndësishëm angazhimi konstruktiv i opozitës, sepse rezultati i mirë i dialogut është atdhetari dhe vlerë kombëtare”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Burjani: LDK dhe VV duhet të ofrojnë një platformën gjithëpërfshirëse për dialog

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, ka thënë se LDK dhe VV, duhet të ofrojnë një platformën gjithëpërfshirëse për dialog.

Sipas tij, në të duhet të hyjnë të gjithë liderët politik për të arritur rezultat në të kundërtën vetëm VV dhe LDK nuk mund të arrijnë asgjë, pasi nuk i kanë as 2/3 për të aprovuar marrëveshjen në Kuvend, dhe ky është problemi themelor.

“Kërkohet një formulë e përbashkët, ku do të jenë të gjithë liderët dhe një ekip i vogël teknik, për të zgjidhur problemin”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Mehmeti: Përballë Serbisë duhet të hartohet një strategji dhe plan i përbashkët nga gjithë partitë politike në vend

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se përballë Serbisë duhet të hartohet një strategji dhe plan i përbashkët nga gjithë partitë politike në vend.

Sipas tij, raporti me Serbinë i tejkalon ndasitë politike mes partive shqiptare, andaj në këtë logjikë edhe duhet vepruar në mënyrë që të kemi arritje pozitive në këtë aspekt.

“Nuk është në rregull që secila parti që vjen në qeveri të ketë agjendë tjetër karshi Serbisë, kjo vetëm sa i shkon për shtati Vuçiqit, dhe atyre që nuk ia duan të mirën vendit tonë. Prandaj me çdo kusht duhet bërë një plan i përbashkët, dhe qeveri atë formoj një grup të uniteti nga të gjitha partitë politikë në kuvend, si dhe me intelektualë të pavarur e që së bashku të gjithë mund të përballojnë më së miri arritjen ë një marrëveshje në favor të Kosovës. Nëse qeveria nuk merr mbështetje nga opozita do të jetë një mundësi e vogël që Kosova të ketë sukses, çka nuk është në interes të askujt”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Krasniqi: Mos krijimi i Qeveris ka edhe fajtor

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se ndonëse kanë kaluar dy muaj prej përfundimit te zgjedhjeve, megjithatë akoma nuk është në horizont krijimi i qeverise se re.

“Mos krijimi i Qeveris ka edhe fajtor, sepse njerëz që janë mësuar me pozita të larta tash e disa dekada, akoma kane pretendime për poste te larta. Kjo tregon qe ata nuk kane hallin e shtetit dhe te qytetareve. Prandaj është pak e besueshme qe do te këtë konsensus te përbashkët për dialogun me Serbinë”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Elezaj: Hashim Thaçi, ka udhëhequr pa asnjë koordinim paraprak me partitë parlamentare, pozitë-opozitë

Image
Rexhep Elezaj

Kurse publicisti Rexhep Elezaj ka thënë se çështja e konsensusit midis partive politike, karshi dialogut me Serbinë, pothuajse asnjëherë nuk ka ekzistuar, siç nuk ka pasur as platformë unike në bisedimet me Serbinë.

Sipas tij, çdo qeveri që ka qenë deri tash në pushtet, filluar nga ajo “Thaçi-2” (2013-15), qeveria e Isa Mustafës (2015-17) dhe së fundi qeveria “Haradinaj” (2017-19), dialogun me Serbinë e kanë udhëhequr në mënyrë jo kushtetuese, të gabueshme dhe shumë të dëmshme për Kosovën.

“Derisa Hashim Thaçi ishte kryeministër, në vend se t’i ftonte të gjitha partitë politike pozitë-opozitë në një tryezë të përbashkët për të ndërtuar konsensus politik si dhe ekip unik negociues, i cili do bisedonte me palën serbe për shumë tema, ai i përjashtoi të gjitha subjektet tjera nga ky proces, duke udhëhequr i vetëm bisedimet me palën serbe, madje krejtësisht pa transparencë! Qeveria “Mustafa-Veseli”, po ashtu bëri gabim trashanik duke mos e marrë mbi vete detyrën kushtetuese që si kryeministër i vendit ta udhëheq ekipin negociator me Serbinë i përbërë nga të gjitha partitë politike. Ai këtë ia la në kompetencë Hashim Thaçit, të cilin LDK-ja e kishte bërë president, dhe i cili siç e dimë do vazhdon ta udhëheq dialogun”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Hashim Thaçi, ka udhëhequr pa asnjë koordinim paraprak me partitë parlamentare, pozitë-opozitë, dhe procesit të deritanishëm dhe të gabuar të dialogut me Serbinë pa kurrfarë konsensusi politik.

“Pala e Kosovës do duhej të kërkonte nga Serbia, se cilat pika duhej të ishin prioritare, cilat do të ishin vijat e kuqe të cilat pala kosovare nuk do t’i kalonte, etj. Dhe, ç ’është më e keqja, ai gjithherë ka shkuar në Bruksel i vetëm dhe pa kurrfarë platforme të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës paraprakisht, pa ekip ekspertësh, madje as pa një notes dhe laps në tavolinë, sa për ta shënuar datën, vendin dhe kohën e zgjatjes së dhjetëra takimeve “miqësore” me Aleksandar Vuçiçin. I këtillë, pra plotësisht i dështuar, do jetë fati i çdo dialogu me Serbinë, po qese vazhdohet me këtë logjikë antishtetërore, antikushtetuese dhe antikombëtare që të negociohet me Serbinë hegjemoniste në të ardhmen, meqë nuk mund të ketë kurrfarë dobie për Kosovën të shkohet në bisedime me Serbinë për të arritur marrëveshje për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve fqinjësore”, ka thënë publicisti Elezaj.

Ai konsideron se pa biseduar rreth çështjeve kruciale, siç është kërkim falja, suksesionet financiare, dëmet e luftës, zbardhja e 1600 viktimave ende të pa gjetura, pensionet, etj.

“Besoj shumë se qeveria e re i cila pritet të formohet këto ditë midis LVV-je dhe LDK-së, me kryeministrin e ri, Albin Kurti, dialogu me Serbinë do ta merr formatin e tij të duhur komfor interesave të Kosovës, para së gjithash, atë do ta udhëheq vetë kryeministri me ekipin e tij prej ekspertëve më të mirë për çdo çështje që do të bisedohet me palën serbe, do hartojë dhe zbatojë një platformë unike për bisedime të aprovuar dhe me konsensus të plotë ndërpartiak i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, tek pastaj të shkohet në bisedime me palën serbe”, ka thënë publicisti Elezaj.

Sipas tij, pa konsensus të përbashkët dhe të koordinuar midis të gjitha partive, qofshin në pozitë ose në opozitë, nuk mund të vazhdohet kurrfarë dialogu me Serbinë.

“Dua të besoj po ashtu, se partitë të cilat do jenë në opozitë në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit të Kosovës do e mbështesin pa hezitim grupin negociator, ngase bëhet fjalë për interesa tona shtetërore dhe nacionale e jo partiake”, ka thënë publicist Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat