Kurti: Koalicioni VV-LDK do të bëhet, kështu ka dashur populli

Politika

Kurti: Koalicioni VV-LDK do të bëhet, kështu ka dashur populli

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 12 dhjetor 2019 Në ora: 08:40
Isa Mustafa

Është mbajtur takimi i radhës ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, pa një marrëveshje konkrete për bashkëqeverisje.

Nga ky takim është arritur vetëm një dakordim, ajo që të takohen sërish deri në arritjen e një marrëveshje të plotë për krijimin e qeverisë së re.

Ky takim ka zgjatur më shumë se një orë në mes liderit të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa, e krejt çka të dy ata janë marrë vesh është intensifikimi i takimeve deri në arritjen e marrëveshjes finale.

Pas përfundimit të takimit, zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa, ka thënë se të dy liderët janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim.

Mustafa: Janë pajtuar që të intensifikojnë takimet deri në arritjen e marrëveshjes

“Takimi në mes të dy liderëve të LDK-së dhe të VV-së që ka filluar në orën 17.00 tanimë ka përfunduar, të dy liderët z.Mustafa dhe z.Kurti janë pajtuar që të intensifikojnë takimet në ditët në vijim deri në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes të dy partive tona", tha ai.

Mustafa nuk ka dhënë detaje nëse mos pajtimet kanë të bëjnë për ndarjen e postit të presidentit për të cilin insiston LDK.

Mustafa: Jemi pajtuar që t’i intensifikojmë takimet pothuajse çdo ditë

“Këto janë informatat e vetme që kam nga dy liderët, kaq jam i autorizuar t’iu informoj sot. Besoj që shumë shpejt, nëse jo nesër, pasnesër apo në momentin e parë që lejon agjenda e dy liderëve. Por, siç thash jemi pajtuar që t’i intensifikojmë takimet pothuajse çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, tha ai.

Kujtojmë se të dy partitë nuk janë takuar që nga e hëna e javës së kaluar, kur edhe kishin filluar deklarimet se LDK po insiston të marrë postin e presidentit, për të cilën nuk po pajtohet Lëvizja Vetëvendosja.

Ndryshe, sot presidenti i vendit Hashim Thaçi, e ka thirrur mbledhjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës për datën 24 dhjetor.

Vetevendsoje: Kurti e Mustafa do t'i vazhdojnë takimet pothuajse për çdo ditë

Edhe nga partia e Kurtit janë deklaruar se Kurti e Mustafa do t’i vazhdojnë dhe intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë.

Sipas një kumtese të lëshuara nga kjo parti, thuhet se një gjë e tillë do të ndodhë deri në deri në arritjen e marrëveshjes së plotë mes Kurtit dhe Mustafës.

“Kryetari Kurti u takua në Kuvendin e Kosovës me kryetarin Mustafa. Ata do t'i vazhdojnë dhe intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti para takimit të mërkurës mbrëma me kreun e LDK-së, Isa Mustafa u shpreh i bindur se nuk do të ketë asnjë pengesë, përshirë postin e presidentit që nuk do të tejkalohet me LDK-në për të formuar qeverinë e ardhshme, pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Pretendenti për kryeministër pas takimit me disa prej sindikalistëve tha se populli ka votuar për ndryshime dhe nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, pos koalicionit VV-LDK.

Kurti: S’ka pengesë që nuk e tejkalojmë

“Unë jam optimist se do t’i tejkalojmë të gjitha diferencat e vogla. Në njërën anë ekziston mirëbesimi ynë, në anën tjetër po ashtu dhe dëshira e madhe për ndryshime politike në vendin tonë. Sa i përket rezultateve konkrete nga këto bisedime, natyrisht se do t’iu njoftojmë atëherë kur do t’i kemi ato. Por mos dyshoni në suksesin e plotë të formimit të koalicionit qeverisës se populli me 6 tetor ka vendosur për ndryshime dhe qe besa me zgjedhjet e tij nuk na ka lënë zgjedhjeve neve. Do të bëhet VV-LDK, sepse kështu ka dashur populli... s’ka pengesë që nuk e tejkalojmë”, tha ai.

Për takimin me Mustafën, Kurti tha se do të vazhdojnë negociatat aty ku kanë mbetur në ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv.

Kurti: Këto takime do të vazhdojnë aty ku kemi mbetur

“Në këto takime do të vazhdojmë aty ku kemi mbetur, pra përgjegjësitë në ekzekutiv t’i përfundojmë dhe kësisoj harmonizimi qind për qind sa i përket programit qeverisës t’ia bashkëngjisim edhe ndarjen qind për qind të përgjegjësive në Qeverinë e ardhshme”, tha Kurti.

Takimi në mes të krerëve të partive, erdhi në ditën e parë të kthimit të Kurtit nga Gjermania, aty ku qëndroi për vizitë zyrtare për disa ditë.

Ndryshe, ky është takimi i dytë pas atij të hënës së kaluar i cili po ashtu përfundojë me marrëveshje për takime të radhës.

Thaçi cakton 24 dhjetorin për të konstituuar Kuvendin

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka caktuar datën 24 dhjetor për mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit.

Përmes një komunikate për emdia, Zyra e Presidentit bën të ditur se mbledhja do të mbahet me 24 dhjetor në orën 09:00.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 66 (3) dhe nenit 84 pika (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, Nr. 47, 25 janar 2009), si dhe duke marrë parasysh Njoftimin e datës 27.11.2019, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (Nr. Protokolli të KQZ-së: 1846-2019, 27.11.2019), për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 29.11.2019 (Nr. Prot.: 1608), sot më datën 11 dhjetor 2019, ka nxjerrë Vendimin Nr. 305/2019 për thirrjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet me datën 24 dhjetor 2019, në orën 9:00”, thekson komunikata.

Kryetari dhe Kryesia e Legjislaturës së Gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat