Albin Kurti e Isa Mustafa ndalin Hashim Thaçin

Politika

Albin Kurti e Isa Mustafa ndalin Hashim Thaçin

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 12 dhjetor 2019 Në ora: 12:44
Albin Kurti, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa

Kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të 6 tetorit, ndërkohë që Kosova vazhdon të mos e ketë qeverinë e re të saj, atë të shumëpriturën që doli si rezultat i këtyre zgjedhjeve. Përgjatë kësaj kohe janë mbajtur takime të shumta ndërmjet kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa. Edhe grupet punuese të të dyja partive kanë harmonizuar programet qeverisës, ato programet që qytetarët i quajnë edhe shpresë për ndryshimin.

Por, duke qenë se LDK dhe Vetëvendosje, janë të kundërta me njëra tjetrën për kah ideologjia politike, formimi i koalicionit ndërmjet tyre po zgjatë. E mira e tërë kësaj është që Mustafa e Kurti po takohen për të sqaruar edhe “keqkuptimin” më të vogël që mund ta kenë pas arritjes së koalicionit. Po ashtu, e mira e gjithë kësaj është se ato asnjëherë nuk po deklarohen se s`do të ketë koalicion qeverisës. Andaj, qytetarët duhet të presin që të vijë ndryshimi të cilin e kanë kërkuar vet për vite me radhë.

Është momenti i fundit që marrëveshja ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së të arrihet, në mënyrë që veni të ecë përpara. Kosova më shumë se asnjëherë ka nevojë për liderë të fuqishëm në vendimmarrje gjithnjë në mbrojtje të shtetësisë së saj.

Deri më sot, në emër të Kosovës kanë vepruar njerëz që kanë vënë përpara interesin e tyre. Kujtoni vetëm Presidentin Thaçi, i cili duke u treguar i dashur para ndërkombëtarëve, vite më parë shkeli mbi gjakun e shqiptarëve dhe shkoi u përkul përpara një pllake përkujtimore me të vrarë serbë gjatë luftës. Si “shpërblim” moti vetëm vendime të dhimbshme në dëm të Kosovës. Thaçi vazhdon të mos u thotë jo takimeve me Presidentin serb Aleksandër Vuçiq, ani pse ky e quan të “inskenuar” masakrën e Reqakut, e Kosovën e quan “shtet të rremë”.

Ishte pikërisht Thaçi, i cili nuk hezitoi t`i jepte tokë të Kosovës Serbisë, me lloj lloj idesh që do të rezultonin me ndarje. Për fat të mirë ai u ndalua.

Pra, përveç se për mirëqenien e qytetarëve, koalicioni VV-LDK është i mirëseardhur, për t`i thënë stop Hashim Thaçit dhe lëshimeve të tij në dëm të shtetit të Kosovës.

Kosovës i duhet ndryshimi dhe ky ndryshim po vjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat