Bulliqi: Kushdo që i mohon krimet në Kosovë, të marrin përgjigjen sikurse ata që mohojnë Holokaustin

Politika

Bulliqi: Kushdo që i mohon krimet në Kosovë, të marrin përgjigjen sikurse ata që mohojnë Holokaustin

Nga: D. B. Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 14:01
Shpejtim Bulliqi

Përgjatë këtyre viteve të pasluftës, institucionet përkatëse bashkë me pushtetarët në Kosovës, në vend që të bënin padi kundër Serbisë, ata më shumë u morën me vetveten dhe me interesat e tyre personale e partiake, sesa me interesat jetike shtetërore.

Andaj është koha e fundit që Kosova të ndërmarr diçka për të ngritur padi ndaj Serbisë për krimet e luftës. Madje jo vetëm që është koha por edhe jemi të vonuar shumë në këtë çështje kaq madhore.

Deputeti i zgjedhur në VV, Shpëtim Bulliqi ka thënë për “Bota sot”, jemi të gjithë ne ata që kemi gabuar dhe jemi vonuar shumë, madje kemi qenë edhe pasiv dhe jemi sjell sikur nuk na ka ndodhur asgjë, duke bërë kështu që edhe Serbia ta shfrytëzojë këtë dhe ti kundërvihet Kosovës.

“Fillimisht ndërkombëtarët na mashtruan me gjykata dhe drejtësi të UNMIK-ut e cila është marr fare pak me krimet e Serbisë në Kosovë, pastaj edhe ne dështuam duke mos vepruar. Tek ne edhe rastet më të rënda që trajtojnë periudhën e luftës, krimet e Serbisë gjegjësisht kriminelet lirohen nga gjykatat tona, dhe jo pse nuk ka ndodhur krimi, por për arsye banale administrative “shkelje apo mos respektim i procedurave”. Siç e thashë më lartë fakte ka, madje ato janë viktimat (të vrarët, të përdhunuarat, të maltretuarit, spastrimi etnik”, ka thënë deputeti i zgjedhur në VV, Shpëtim Bulliqi.

Sipas tij, janë vet varret e viktimave që janë fakte, madje janë fakte mbetjet mortore që na i ka dorëzuar vet Serbia që nga paslufta (Batajnica, etj).

“Kosova ka mjaft fakte për të dëshmuar këtë, e fatkeqësisht janë edhe faktet e femrave të dhunuara, janë trupat e atyre që mungojnë fakte. Pra fakte ka sa të duash, por vullnet nuk ka pasur as të ndërkombëtarët, por edhe vet kemi institucionet tona kanë fjetur, dhe nuk kanë insistuar në kërkim të drejtësisë. Gjërat materiale dhe financiare e dëshirat për tu pasuruar nga ata që është dashtë ti shtyjnë këto procese përpara fatkeqësisht u janë shndërruar në prioritete. Familjarët e viktimave apo vet viktimat e mbijetuara, nuk e kanë pasur përkrahjen e mjaftueshme të ndërkombëtarëve, të institucioneve tona por edhe shoqëria jonë në përgjithësi. Ne sillemi sikurse lufta me të gjitha pjesët negative që e shoqërojnë, kinse na ka ndodhur që më shumë se 100 vite”, ka thënë deputeti i zgjedhur në VV, Shpëtim Bulliqi.

Ai konsideron se nuk duhet askush ta harrojë të kaluarën e luftës, edhe pse sipas tij, nganjëherë harrojmë që të gjithë kemi qenë viktima të së paku njërës kategori.

“Fatkeqësisht të gjithë kemi qenë viktima të njërës kategori, nëse jo të vrarë apo përdhunuar, ndaj çdonjërit prej nesh është ushtruar spastrim etnik. Fatkeqësisht tek ne gjithçka përfundon me reagime folklorike që zgjasin deri në 3 ditë, pastaj i harrojmë të gjitha dhe shtiremi kinse nuk na ka ndodhur asgjë. Pikërisht kjo formë e sjelljes tonë kolektive, por edhe heshtja e ndërkombëtarëve si rezultat i gjeopolitikës, ka bërë që Vuçiqi, Daçiqi (Gebelsat e Millisheviqit) janë trimëruar dhe na sulmojnë duke i mohuar krimet e pamohueshme. Ne duhet të punojmë që krimet në Kosovë kushdo që i mohon, ta marr përgjigjen sikurse ata qe e mohojnë Holokaustin”, ka thënë deputeti i zgjedhur në VV,  Shpëtim Bulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat