Ambasadori rus e pranon Kosovën si shtet

Politika

Ambasadori rus e pranon Kosovën si shtet

Nga: D. B. Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 14:03
Alexander Botsan-Kharchenko

Ambasadori Rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko ditë më parë e ka quajtur Kosovën ‘një shtet të rremë’ duke thënë se kjo është ende pjesë e Serbisë, dhe se BE-ja duhet të presë për t’i pajtuar këto të dyja.

Por njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka reaguar pas deklaratës së tij, duke  thënë se ajo çka thotë Ambasadori rus, nuk mund të ndikoj në agjendën e BE-së, e as në koordinim me ShBA-të,  lidhur me politikat e tyre për Ballkanin perëndimor.

Ai për gazetën “Bota sot” ka thënë se e njëjta deklaratë nuk duhet të merret dhe aq në konsideratë nga Qeveria e ardhshme e Kosovës, meqë qëndrimi i shtetit rus ndaj Kosovës tashmë është i njohur.

Image
Mirsad Voca

“Megjithatë, duhet theksuar se në njërën anë, kur Ambasadori rus në Serbi e quan Kosovën ashtu si e thotë ai, nënkuptoj se me apo pa vetëdije ai e pranon Shtetin e Kosovës nga fakti se ai e përmend termin shtet. Megjithatë ai e quan këtë diçka të rremë, por duhet theksuar se ai e quan Kosovën shtet, pa marrë parasysh se si e cilëson ai shtetin e Kosovës. Kjo nënkupton edhe nga vet Ambasadori rus se Kosova ekziston pra është shtet i pamohueshëm”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane.

Sipas tij, ambasadori rus në Serbi, sikurse edhe shteti serb jetojnë në mohim sa i përket Republikës së Kosovës dhe kjo ka burimin në mentalitetin e vjetër politik serb i cili nuk po mund të shkëputet nga e kaluara e brishtë e tij.

“Të jetosh në dhe mbi mite nënkupton të jetosh në gënjeshtra dhe të ndërtosh një të ardhme të ndritur të Shtetit serb, mbi këtë paradigmë gënjeshtrash, është thellësisht kundërthënëse dhe si e tillë nuk shpie drejt një progresi të shoqërisë dhe Shtetit serb. Ambasadori rus nuk thotë asgjë më shumë sesa politika aktuale serbe e cila doemos duhet të ndryshoj qasjen politike rrënjësisht lidhur me marrëdhëniet e saj me të kaluarën e saj dhe të fokusohet në të tashmen. Besoj se e vetmja mënyrë që shteti serb të zhbllokojë marrëdhëniet me shtetet fqinje, do të ishte një pranim i pakusht i realitetit të pamohueshëm të Shtetit të Kosovës”, ka thënë Voca.

Ai tutje ka shtuar se vetëm me një pranim të Republikës së Kosovës si Shtet të pavarur nga ana e Serbisë, Kosova do të mund të hyj në bisedime me Shtetin serb për normalizim marrëdhëniesh ndërshtetërore në të mirë të rajonit të Ballkanit perëndimor, që ka për synim integrimin në BE.

“Në të kundërtën mendoj se çdo bisedim apo dialog me Shtetin serb në rrethana aktuale nuk mund të ketë rezultate pozitive për një stabilitet afatgjatë”, ka thënë  njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat