Paralajmërohet krizë nëse nuk arrihet marrëveshja, akuza ndaj VV-së për vonesat e formimit të Qeverisë

Politika

Paralajmërohet krizë nëse nuk arrihet marrëveshja, akuza ndaj VV-së për vonesat e formimit të Qeverisë

Nga: G.B Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 14:17
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion, për formimin e Qeverisë.

Kurti ka thënë se janë më afër se kurrë marrëveshjes me LDK-në, duke mos dhënë më shumë detaje.

“Për çdo ditë kemi takime, tash për çdo ditë kemi takime, edhe prej herës së fundit këtu në kuvendin e Kosovës kur kemi mbajtur takimin, jemi dakorduar që komunikimin ta kemi shumë aktiv, shumë herë gjatë ditës, takimet I kemi të përditshme në mënyrë që sa më parë ta rrumbullakojmë këtë marrëveshje të koalicionit qeverisës. Ne dimë që tashmë kemi seancën e kuvendit për datën 24 dhjetor, na ndajnë vetëm 11 ditë mirëpo shpresoj dhe uroj që mos të kemi të nevojshme 11 ditë që ta rrihet marrëveshja aq shumë të dëshiruar prej nesh e aq shumë të pritur nga populli i Kosovës. Gjithnjë e më afër jemi, por kur t’i kemi rezultat do të mund t’ju njoftoj, nuk mundem tash”, deklaroi Kurti.

Por, sa janë të dëmshme vonesat e formimit të koalicionit, rrjedhimisht të formimit të Qeverisë?

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vonesat janë të dëmshme.

Image
Leon Duhanaj

“Vonesat rreth marrëveshjes së koalicionit qeverisës, jo vetëm që janë të dëmshme por dhe shkaktojnë vonesa në të gjitha proceset në Kosovë, por shpërfaqin edhe një gjë. Që edhe ky koalicion, në masë të madhe, nëse ndërtohet, atëherë po ndërrohet mbi baza interesash për poste, gjegjësisht pushtet politik”, është shprehur ai.

Ai thotë se ka qenë një lloj norme që nga paslufta, që psoti i Presidentit t’i takojë partisë që nuk e fiton postin e kryeministrit, por që tani VV nuk po e përfill këtë rend.

“Ka qenë një lloj norme që nga paslufta që posti i Presidentit t'i takojë subjektit i cili nuk ka fituar mandatin e Kryeministrit. Çdoherë partia që ka dalë e para në zgjedhje, me përjashtime kur partia e parë ka interes ta marrë Presidentin, ka qenë zgjidhje automatike. Pse tani VV nuk e përfill ketë rend, nuk e di, por as me i taku nuk i takon”, ka theksuar Duhanaj.

Ai thotë se nuk e di kujt po i përshtatet kjo vonesë, por që Kosova po shkon drejt krizës më të thellë sociale dhe që të mos ndodhë si në trazirat e vitit 2004, partitë duhet t’i lënë anash interesat e ngushta dhe ta bëjnë marrëveshjen.

“Nuk e ki kujt po i shkon për shtati kjo punë vonesash, por, një gjë e di, që Kosova po shkon drejt krizave edhe me të thella sociale, të cilat lehtë mund të shfrytëzohen nga armiqtë e vendit për ndonjë trazirë. Ishin trazirat e marsit të vitit 2004 që e rikthyen Serbinë në tavolinën ku flitet për fatin e Kosovës dhe nëse ndodhin edhe njëherë, atëherë do të shërbejnë për ndarjen e Kosovës. Që kjo mos të ndodhë, kërkohet urgjentisht reflektim i palëve relevante, t'i lënë interesat e ngushta anash, në mënyrë që t'i mbrojnë interesat e përgjithshme”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat