Jo dialog, pas deklaratës së Vuçiq, Krasniqi tregon si të veprohet me Serbinë

Politika

Jo dialog, pas deklaratës së Vuçiq, Krasniqi tregon si të veprohet me Serbinë

Nga: G.B Më: 14 dhjetor 2019 Në ora: 14:46
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Përveç se ka kryer krime në Kosovë, Serbia edhe po i mohon ato.

Së fundmi, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e quajti të fabrikuar masakrën e Reçakut, deklaratë që nxiti reagime të shumta.

Në anën tjetër, për shkak të vendosjes së taksës nga Kosova për produktet e Serbisë, kjo e fundit e ka pezulluar dialogun dhe nuk dëshiron ta vazhdojë deri në heqjen e taksës.

Por, a duhet të dialogohet me Serbinë, pas deklaratave të tilla dhe a duhet të hiqet taksa ndaj mallrave serbe?

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se me Serbinë nuk do të duhej të bisedohej, derisa ajo të kërkojë falje, pasi na ka kushtuar dialogu pa kushte.

Image
Faik Krasniqi

“Me Serbinë nuk do të duhej të bisedohej, derisa ajo nuk do të na kërkonte falje, të na i paguante dëmet e luftës dhe për shumë çështje të tjera që na ka borxh. Gabimi më i madh i Kosovës ka qenë fillimi i dialogut me Serbinë pa asnjë kusht të vetëm. Ky gabim na ka kushtuar rëndë si shtet dhe në arenën ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, dialogu e ka forcuar Serbinë, ndërsa qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbesin të izoluar.

“Kurse Serbinë këto bisedime e kanë forcuar së tepërmi. Ata po hapin kapituj të rinj për t'u bërë pjese e Bashkimit Evropian, kurse ne qytetarët e Kosovës vazhdojmë të mbesim akoma të izoluar. Përveç integrimeve edhe ndihma financiare në forma të ndryshme për Serbinë”, ka vlerësuar Faik Krasniqi.

Ai thotë se derisa presidenti serb mohon masakrat në Kosovë, nuk ka pse të dialogohet, derisa shton se duhet reciprocitet me Serbinë, ashtu siç ka thënë Albin Kurti.

“Presidenti i tyre mohon masakrat në Kosovë, kurse zyrtarët e BE-së heshtin. Shihet hapur se ata janë në anën e Serbisë. Një fshat që duket s'ka nevojë për kallauz. Pse t'i vazhdojmë bisedimet me Serbinë, derisa ata mohojnë krimet e tmerrshme që kanë bërë ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës? Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, ka deklaruar prej fillimit që me Serbinë do të vendos reciprocitet të plotë. Kjo është gjëja më e mirë, sepse ata vetëm këtë gjuhë e njohin”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat