Loja e Hashim Thaçit me Ligjin për Pagat, frika e tij nga Specialja dhe qeveria e re

Politika

Loja e Hashim Thaçit me Ligjin për Pagat, frika e tij nga Specialja dhe qeveria e re

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 14 dhjetor 2019 Në ora: 21:27
Hashim Thaçi

Sa herë që vijnë lajme të këqija për vendin, edhe kur trazimet politike tensionojnë jetën praktike në vendin tonë na vjen në mendje shprehja “ të nëmur kishim qenë”. Kjo sentencë është përdorur çdo herë në situata të vështira, sidomos në moment kur kemi pritur  ndryshime pozitive dhe në moment të fundit është kthyer në boomerang.

Së fundi po pritej që të arrihet koalicioni mes opozitës së deri djeshme, me shpresën që gjërat do të kthehen për së mbari. Megjithëse disa dallime mes tyre, pritet që ky koalicion të arrihet, mbase edhe gjatë këtij vikendi. Në këto momente pozitive u publikua vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave. Anulimi i këtij ligji tensionoj gjendjen në vend me  grevat këtë të premten në arsim dhe shëndetësi, e të cilat pritet që edhe në ditët në vijim të vazhdojnë, që natyrshëm do sfidojnë qeverinë e re qysh në fillim të punës së saj.

Kjo do të sfidoj implementimin e projektit qeverisës duke sjellë në terren me vonesë të paplanifikuar efektet e qeverisë së re. Nga gjithë kjo nuk përfiton askush përveç opozitës së re, e cila nuk mundet të ambientohet në rolin e ri të saj, kështu që do të provoj të gjitha mënyrat për të minuar suksesin e qeverisë së re. Kjo dëshmon për një papjekuri politike të klasës politike, respektivisht të një pjese të skenës politike që mbi interesat shtetërore kanë vënë ato personale. 

Nuk është fare për tu befasuar se për ligjin e pagave kanë gisht pikërisht njerëz të  PAN. Përtej kësaj, Kosova gjatë kësaj jave u intervistuar nga Gjykata Speciale edhe Kadri Veseli. Ky i fundit nuk pati asnjëherë kurajo që të dëshmoj në Gjykatat e Kosovës për të gjitha vrasjet e pasluftës, pasi ka qenë shef i SHIK-ut, dhe sigurisht ka dijeni për këto krimet. Tani na shfaqet trim se gjoja po mbron nderin e luftës çlirimtare, në tentativat e tija për të maskuar të gjitha krimet për interesa personale dhe politike.

Së fundi përflitet se shumë shpejt do të ftohet edhe Hashim Thaçi. Thaçit po i digjet edhe karta e fundit që e kishte në bisedimet me Serbinë. Këtë kartë ia djeg qeveria e re, e cila nuk synon që të bëhet vegël e pazareve të Thaçit me Vuçiqin.

Kosovën po e përcjellin zhvillime jo fortë të mira, edhe atëherë kur mendohet se diçka e mirë po vjen papritmas del diçka negative, që e pengon ecjen tutje të vendit tonë. Kosova në historinë e saj ndodhet në një moment krucial për të tashmen dhe të ardhmen e saj, me këtë gjeneratë që i ka rënë hise të përjetoj këto vështirësi. Natyrisht se secili nga ne duhet të jap kontributin e tij, megjithëse pothuaje çdo gjë është politizuar në vend. Fara e keqe e mbjell nga Serbia, Rusia së bashku më disa shqiptarë, që fatkeqësisht përfituan në emër të luftës, arritën të zhvatin këtë popull deri në palcë, duke ndikuar që Kosova të shpopullohet.

Shpresat janë të mëdha tek qeveria e ardhshme, e cila ka shumë detyrime por mbi të gjitha të kthej shpresën tek populli, që e sheh si mundësi të fundit, ose ndryshe po i marrim të gjithë valixhet e po ikim. Duke bërë lajtmotivim e Ligjit të pagave, Speciales dhe qeverisë së re, mund të themi se të gjitha kanë lidhje mes tyre, por mbi të gjitha i bashkon dështimi, dinakëria e ish komandantëve të luftës nën ombrellën e PAN.

Kosova përjetoi edhe një javë të ngjeshur, mes sfidave dhe dëshirës për të bërë më mirë. Ndonëse nuk janë risi lajmet jo të mira për vendin tonë, synohet dhe besohet se lajme të mira do të vijnë. Askush s’duhet të shqetësohet për fatin e atyre që u bën milionerë në kurriz të djersës së qytetarëve të varfër. E pakta që meritojnë është konfiskimi i pasurisë, ndërsa duhet edhe dhënë përgjegjësi. Kosovë, kurrë s’t’u nda gazepi, por edhe shpresa për ditë të mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat