Zogaj: VV-së i takoi të bëjë kompromisin e dhimbshëm, LDK-ja t’i ndalojë pëshpëritjet anash

Politika

Zogaj: VV-së i takoi të bëjë kompromisin e dhimbshëm, LDK-ja t’i ndalojë pëshpëritjet anash

Nga: G.B Më: 26 dhjetor 2019 Në ora: 15:52
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Ka dështuar të arrihet marrëveshja në mes të LVV-së dhe LDK-së, pas dy muaj bisedime që nga mbajtja e zgjedhjeve me 6 tetor.

Lidhur me këtë dhe se a duhet të shkojë vendi në zgjedhje të reja, për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj.

Ai ka thënë se ka pasur optimizëm për marrëveshje, por që nuk ndodhi e për këtë faji nuk është jetim por që nuk ka rëndësi pasi kriza do të vazhdojë.

Image
Skënder Zogaj

“Ndonëse gjatë dy muajve të kaluar kolektivisht kemi qenë optimistë se më në fund, dy subjektet fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, do të janë koshiente për rolin historik që u erdhi pas 20 për ta këndellur situatën e trishtueshme politike, por, për fat të keq kjo nuk ndodhi. Nuk ka dyshim se faji nuk është jetim, por se kush janë fajtorët kjo tashmë nuk ka asnjë rëndësi, para faktit se, kriza do të vazhdojë dhe pasojat do të shtohen duke rënduar fatkeqësinë e njerëzve dhe të shtetësisë së Kosovës, që për shumë kohë do t'i ndjejë pasojat”, është shprehur ai.

Sipas Zogajt, Kosova çdo ditë e më shumë po del nga rruga e duhur dhe assesi të bëhet shtet i lirë dhe i pavarur, që është fatkeqësi e madhe.

“Kosova gjithnjë e më shumë po del nga udha e duhur e zhvillimit demokratik pro evropian duke e përsëritur shembullin e udhës shtetërore të Nënës Shqipëri, e cila qe 108 vjet ecën çorrsokaqeve, i mbërthyer nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, dhe assesi të bëhet shtet i lirë dhe i pavarur! Kjo është një fatkeqësi e madhe, që po e mbërthen edhe Kosovën sepse, vazhdon lufta për pushtet dhe aspak për shtet! Elektorati kosovar është i fjetur dhe i manipuluar nga matrapazët! Vet rezultati zgjedhor është treguesi se jemi të përçarë dhe të padenjë për t'u vetëqeverisur! Shiheni listën e re të deputetëve të parlamentit, ku mbi 35 % janë zhvatës dhe lëpiskaxhinj të padenjë edhe për këshillin e një katundi! Si u bëka shteti kështu?”, ka vlerësuar Skënder Zogaj.

Ai ka thënë se VV është dashur ta bëjë kompromisin e dhimbshëm dhe jo taktizime, ndërsa LDK është dashur të jetë më e qartë në kërkesat e saj dhe të mos ketë pëshpëritje anash nga brenda LDK-së.

“Vetëvendosja po mendon që të qeverisë me logjikën e shoqatës së pëllumbaxhinjëve! Jo, kompromisin e dhimbshëm i takoi ta bënte e jo taktizime! LDK-ja gjithashtu është dashur të jetë më e qartë dhe më e prerë në kërkesat e saj! Kalkulatorët e brendshëm të LDK-s duhet ta kuptojnë se nuk duhet të pëshpëritin anash e të koketojnë me kundërshtarët politikë sepse, dalin të vetmashtruar”, ka theksuar ai.

Zogaj thotë se në këtë situatë edhe pse nuk është mirë, zgjedhjet e reja janë mënyra më e pastër që të ecet përpara.

“Dhe, në këtë situatë, edhe pse nuk do të ishte mirë, zgjedhjet e reja janë mënyra më e pastër e shkuarjes përpara! Sovrani le ta thotë prapë çfarë por me përcaktim më të qartë, le ta thotë me votë kush duhet të qeverisë vendin”, ka përfunduar Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat