Juristët: Thaçi shantazhoi Kurtin me ultimatumin 48 orësh

Politika

Juristët: Thaçi shantazhoi Kurtin me ultimatumin 48 orësh

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 8 janar 2020 Në ora: 20:12
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Pas takimit që pati të hënën me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka caktuar atij 48 orë kohë për ta mandatar lidhur me krijimin e qeverisë së re.

Ndërsa orët po ikin dhe afati po shkon drejt përfundimit, njohësit e çështjeve juridike e konsiderojnë si të pa bazuar në kushtetutë afatin e caktuar nga Presidenti.

Burjani: Pa marrëveshje për të bërë shumicën në kuvend, mbetet procesi i bllokuar

Njohësi i çështjeve Blerim Burjani, ka thënë se presidenti nuk jep ultimatume të tilla të pa bazuara as në kushtetutë e as në ndonjë rregullore dhe në asgjë.

“Pra nuk ka ultimatume të tilla të paligjshme anti-kushtetuese, sipas mendimit në aspektin juridik, sepse nuk ka afate të rrjedhshme me kushtetutë. Pra nuk ka afat prekluziv, por ka afate procedurale normative pa ndonjë urdhëresë bëje e leje dhe asgjë tjetër në këtë drejtim. Po ashtu, mund të them se bisedat e tyre ishin konsultative kaq, as me shumë, e as më pak dhe jo obligative pa koalicion. Por pa marrëveshje për të bërë shumicën në kuvend, mbetet procesi i bllokuar edhe kjo tashmë është shumë e qartë, në opinion, dhe ka shumë opinione jo valide dhe konfuze sidomos disa opinione të shumta, të cilat vijnë nga njerëz jo kompetent”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Gashi: Kërkesa e Thaçit nuk është as ligjore

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se kërkesa e Thaçit për nominimin e Kryeministrit nga Albin Kurti, si kryetar i partisë që i ka fituar zgjedhjet e 6 tetorit 2019 është një taktikë e gabuar e Thaçit.

Sipas tij, Thaçi si president e bëri këtë me qëllim për ta shantazhuar Albin Kurtin që të nominojë vetveten faktikisht për mandatar / Kryeministër të qeverisë së ardhshme të Kosovës që në afat prej 48 ore ta bëjë Kurti këtë nominim që pastaj të fillon numërimi i afatit prej 15 ditësh.

Image
Tomë Gashi

“E them këtë sepse kësi afatesh të shkurta nuk janë normale dhe nuk kanë qenë të tilla për situata të ngjashme. Faktikisht Thaçi po e bënë këtë për inate personale ndaj Albin Kurtit, por edhe për inatosje që Albin Kurti nuk shkoi tek ai për 3 herë. Kërkesa e Thaçit nuk është as ligjore, e as jo ligjore por e drejtë e tij që ai po e keqpërdor për ta shantazhuar në aspekt kohor kryeministrin e ardhshëm të Kosovës Albin Kurti. Dhe ky keqpërdorim nuk do të kaloj e as që do ta dëmtoj Kurtin e as LVV, sepse shpejt me shkrim do t`i përgjigjet Kurti shantazhit të Thaçit”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Kelmendi: Thaçi dhe Kurti janë armiq të ashpër

Njohësi i çështjeve juridike, profesor Muhamet Kelmendi, ka thënë takimi i së hënës ishte shumë domethënës me kuptimin e krizës që e ka vendi dhe natyrisht se sipas normave kushtetuese përcaktohet mundësia juridike që presidenti të thërras partinë, apo koalicionin fitues, dhe të kërkoj nga ai apo ajo paraqitjen e mandatarit për formimin e Qeverisë, por se takimi kaloj shumë keq dhe bëri që të vijë deri tek një ultimatum pa bazë juridike.

Sipas tij, në aspektin e kohës për caktim të mandatarit nuk ka afate kushtetuese, sepse kushdo që ka fituar duhet të jap mandatarim, dhe sa mundet të jetë kjo kohë nuk ka përcaktim.

Image
Muhamet Kelmendi

“Thaçi i dha afat 48 orë, por kjo nuk do të thotë se ka të drejtë të merr masë juridike tjetër, duke e tejkaluar VV. Kjo për faktin se VV i ka fituar zgjedhjet dhe as në rundin e parë dhe as në rundin e dytë të mandatarit për Qeveri nuk mund të përjashtohet. Neni 95, paragrafi 1,2,3 dhe 4 përcakton, qartë se partia e parë apo koalicioni fitues e marrin mandatin. Në këto paragrafe nuk caktohet koha. Por, as koha nuk mund të jetë e pa përkufizuar. Ajo nuk mund të shkon deri në pafundësi. Në një moment duhet të veprohet, kërkohet që çështja të shkoj në Kuvend dhe aty të vendos me votat e deputetëve”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

Ai më tutje ka shtuar se pa këtë nuk mund të caktohen zgjedhjet e reja, sepse vetëm me kalimin e kësaj procedure juridike caktohet nga presidenti data e zgjedhjeve, dhe ato nuk mundet më gjatë se 40 ditë.

“Nuk ka rrugë tjetër, pasi lufta midis Thaçit e Albinit është e kahershme. Edhe dje u pa se nuk ka asnjë raport midis tyre. Urrejtja ishte e dukshme dhe u shkonte në ulje, qëndrime e në sjellje. Ata janë armiq të ashpër, por kushtetuta i detyron në këto raporte dhe asnjëri nuk mund të iki. Tash pritet nga VV mandatari dhe ai ngarkohet nga Thaçi. Në ato momente fillojnë për të rrjedhur afatet kushtetuese, dhe pa ato nuk ka zgjedhje”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

Smaka: Presidenti Thaçi ka vepruar sipas oportunitetit politik

Njohësi i çështjeve juridike, profesor Riza Smaka, ka thënë se në rrethana normale sikundër të kishte që koalicioni i formuar me shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë Presidenti Thaçi ditë më parë do të kishte mandatuar Albin Kurtin për formimin e ekzekutivit.

Sipas tij, Kurti nuk e ka pasur të siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, ndaj Presidenti Thaçi ka vepruar, sipas oportunitetit politik dhe autorizimit të vet për vendosje diskrecionale ashtu që Kurtit ia ka ofruar një afat dy ditor plotësues për të prezantuar ekzistimin e shumicës së nevojshme për formimin e qeverisë.

Image
Riza Smaka

“Nëse as nesër nuk do të sigurohej ajo shumicë e koalicionit të LVV me LDK-në aktualisht me subjekt apo subjekte politike, tjera nga po ajo ditë do të fillonte rrjedha e afatit 15 ditor dhe rrjedhimisht do të hapej etapa vijuese 10 ditësh për formimi e qeverise eventualisht për dështimin e koalicionit suficitet dhe per shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme. Në rast të tillë do të preferoja formimin e qeverise teknike për kryerje të disa mendimeve të nevojshme të Kushtetutës dhe të sistemit zgjedhor, në mënyrë që zgjedhjet në vijim të bëheshin komfor me provizione të modifikuara e të novelizuara të sistemit zgjedhor”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Riza Smaka.

Mehmeti: Thaçi po tenton ta vë Kurtin nën presionin e Kosovës, me aspiratat e tija, që mos të mund të formoj qeverinë

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se në fakt Thaçi po tenton ta vë Kurtin nën presionin e Kosovës me aspiratat e tija, që mos të mund të formoj qeverinë, duke zgjuar ëndrrat e tija, për rikthimin e PDK-së në pushtet.

Image
Faton Mehmeti

“Menjëherë pas Albinit, Thaçi takoi përfaqësuesit e minoriteteve për të vënë në lojë skenarin e tij të rikthimit të PAN-it në pushtet. Ardhja e koalicionit VV-LDK në pushtet do të thotë fundi i Thaçit në skenën politike në pushtet, pa të cilën nuk e paramendon dot jetën e tij. Megjithatë dua të besoj se koalicioni VV-LDK do ndodh, duke ia shuar Thaçit çdo ëndërr për të rikthyer Klanin " Pronto" në pushtet”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat