Serbia me në krye Daçiqin kërcënon Kosovën me heqjen e njohjeve të reja, Kosova heshtë

Politika

Serbia me në krye Daçiqin kërcënon Kosovën me heqjen e njohjeve të reja, Kosova heshtë

Nga: D. B. Më: 9 janar 2020 Në ora: 14:23
Ivica Daçiç

Fatkeqësisht kriza rreth mos arritjes së marrëveshjes për formimin e Qeverisë mes dy partive fituese në zgjedhjet e fundit, është në dëm të shtetit të Kosovës të qytetarëve të tij, dhe të të gjithë perspektivave zhvillimore të Republikës së Kosovës.

Analisti politik Ejup Berisha ka thënë për “Bota sot” se është shumë e pakuptimtë dhe absurd se si dhe pse më shumë se dy muaj nga kumtimi i rezultateve definitive të zgjedhjeve të tetorit Kosova ballafaqohet me vakum institucional, apo me pamundësinë për të formuar organin qendror ekzekutiv apo për të pasur një Qeveri funksionale dhe stabile.

“Në këtë situatë qytetarët zgjedhës, apo ata që kanë votuar për ndryshimin janë të palumtur, dhe në pritje qytetarët në përgjithësi janë në një gjendje pasigurie të përgjithshme, si dhe është vënë në pikëpyetje stabiliteti buxhetor apo financiar i Republikës së Kosovës, për shkak të pamundësisë që të propozohet dhe miratohet buxheti i Republikës për vitin 2020 si dhe miratimi i llogarisë përfundimtare të buxhetit të vitit të kaluar. Në situatë kur Republika e Kosovës, akoma nuk e ka formuar Qeverinë dhe institucionet e tjera shtetërore, dhe publike kjo gjendje e pafavorshme për Kosovën është në favor të Serbisë dhe të partive të cilat në zgjedhjet e tetorit nuk arritën të fitojnë numër të konsiderueshëm të ulëseve në Kuvend që do tu mundësonte atyre shfrytëzimin e të drejtës për formimin e shumicës Parlamentare dhe për formimin e Qeverisë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Image
Ejup Berisha

Sipas tij, Republika e Serbisë është më e lumtura meqë është vënë intenzivisht në aksion për realizimin e planeve, të cilat përmbajnë aktivitete të shumta destruktive për ta dëmtuar dhe dobësuar subjektivitetin dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës në planin e brendshëm dhe të jashtëm.

“Në situatë kur vendi nuk ka Qeveri kjo i jep shumë mundësi armiqve të Kosovës që të veprojnë lirshëm dhe pa pengesa kundër interesave vitale të saj. Republika e Serbisë momentalisht është në avantazh në drejtim të realizimit të planeve destruktive dhe të dëmshme të saj kundër Republikës së Kosovës meqë kjo e fundit nuk e ka të formuar institucionin kryesor qendror ekzekutiv Qeverinë dhe Ministrinë e punëve të jashtme. Ne e pamë se si Serbia e shfrytëzoi situatën dhe ndikoi me sukses te disa shtete të botës me qëllim që këto ti tërheqin njohjet e tyre të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai konsideron se Serbia përmes ministrit të saj të jashtëm Ivica Daçiç është kërcënuar se do ta vazhdoj ofensivën e saj të dëmshme të saj kundrejt interesave qenësore shtetërore të Kosovës.

“Ajo këtë do ta bëj meqë Republika e Kosovës për momentin është si një gol pa portier për shkak se e tërë vëmendja dhe energjitë këtu janë orientuar të çështja se çka do të ndodh me marrëveshjen për bashkëqeverisje mes LVV dhe LDK-së. Por përderisa macet janë të hutuara, minjtë me daulle dalin jashtë vrimave të tyre dhe në rrugë bëjnë dasmë. Andaj, Serbia është duke e shfrytëzuar këtë situatë, prandaj duhet treguar vetëdije të lartë shtetërore, dhe pjekuri politike nga ana e partive politike, fituese të zgjedhjeve të fundit Parlamentare në Kosovë, me qëllim që pa vonesa të pakuptimta të formohen institucionet e reja ekzekutive, të cilat do të jenë të gatshme dhe në dispozicion që me kapacitet të plotë dhe me efikasitetin më të madh ti mbrojnë interesat shtetërore dhe juridike të Republikës së Kosovës”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha, duke shtuar se rreziku nga Serbia e imponon nevojën që shumë shpejtë të formohet Qeveria e re, por edhe që të stabilizohet vendi me qëllim që të vazhdoj zhvillimi i tij jo vetëm së në ato sfera të rëndësishme kushtetuese e juridike por edhe në aspekt faktik të funksionimit dhe të veprimit të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat