Ngërçi politik më i rrezikshmi i 20 viteve të pasçlirimit

Politika

Ngërçi politik më i rrezikshmi i 20 viteve të pasçlirimit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 9 janar 2020 Në ora: 21:34
Kuvendi i Kosovës

Serbisë, siç duket është duke i konvenuar situata dhe ngërçi politik në Kosovë, për faktin se ajo po shfrytëzon këtë situatë, që tërë kohën të punojë kundër Kosovës për tërheqjen e njohjeve.

E kjo vjen pasi Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ditë më parë ka thënë se Serbia do të vazhdojë të luftojë për ruajtjen e integritetit të saj territorial dhe sovranitetit, të luftojë për një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës në vitin 2020, si dhe për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, tërheqja e njohjeve do të ndryshojë pozicionin e Serbisë, pasi nga 113 vende që njohën Kosovën, tani vetëm 93 shtete e njohin Kosovën, derisa shumica në OKB kërkon 97 vende.

E njohësit e çështjeve politike në vend, vlerësojnë se Serbia në vazhdimësi do të mundohet ta dëmtojë shtetësinë e Kosovës brenda, por edhe në rendin ndërkombëtar, e aq më shumë në kohën e vakuumit institucional.

Ahmeti: Qeveria e re duhet të jetë syhapur

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë për “Bota sot” se Serbia në vazhdimësi do të mundohet ta dëmtoj shtetësinë e Kosovës brenda, por edhe në rendin ndërkombëtar, e aq më shumë në kohën e vakuumit institucional.

Sipas tij, logjika serbe nuk pritet të ndryshojë, pasi kemi koncept të njëjtë politik dhe vazhdimësi e njëjtë politike.

“Kjo logjikë serbe është e pranishme në çdo variant të politikës serbe, pasi tentativa e tyre për dëmtimin e substancës së Republikës së Kosovës është më qëllime të caktuara politike. Në njërën anë për ta dëmtuar shtetësinë e Kosovës, kurse në anën tjetër për ta përdorur retorikën politike për konsum të brendshëm. Gjykoj se qeveria e re duhet të jetë syhapur karshi një strategjie politike serbe, dhe të filloj menjëherë më një ofensivë për demontimin e propagandës serbe karshi realitetit të shtetit të Kosovës, i cili është njohur ndërkombëtarësh”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Zogaj: Serbisë kjo situatë domosdo që i konvenon

Image
Skender Zogaj

Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se situata aktuale në Kosovë është rezultat i favorshëm për të gjithë armiqtë por tepër i disfavorshëm për popullin shqiptar të Kosovës që ujku është duke na e sakatuar trupin, ndërsa ne po shpresojmë "ishalla jemi në ëndërr!"

“ Çuditërisht që 20 vjet, pësim pas pësimi, dhe prapë të ballafaquar me të njëjtat dështime! Situata aktuale në Kosovë u konvenon të gjithëve pos shtetasve të Kosovës, të cilët janë bërë pikë e pesë, dhe nuk e kanë asnjë ide se çfarë duan? Të gjithë flasim zëshëm si të gjithëdijshëm, edhe pse nuk dimë asgjë. Rezultat i kësaj gjendjeje është edhe ngërçi politik më i rrezikshmi i 20 viteve të pasçlirimit, sepse vendi është në kollaps dhe pjesa dërmuese e popullsisë dëshiron të ik sa më shpejtë e sa më larg Kosovës. Serbisë kjo situatë domosdo që i konvenon sepse është shansi i saj ideal për ta lënduar fort palcën kombëtare shqiptare, që është synim jetik i hegjemonisë serbe”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Sipas tij, Ivica Daçiqi po e shpreh hapur qëllimin serb, ndërsa në të katranosur nga ambiciet e sëmura, reagojmë si të pa tru rreth e rrotull cirkut politik të 29 deputetëve të kuq dhe 28 deputetëve blu, me të cilët, edhe po ti kishin numrat e duhur dhe të ishin në rrethana të tjera shumë më të favorshme, shansi për bashkëqeverisje cilësore do të ishte iluzion/

“ Prandaj, shqetësimet janë të arsyeshme, sepse situata është e rëndë dhe e rrezikshme. Sovrani duhet të kthjellet dhe ta kuptojë së duhet të jetë shumë më i angazhuar në përcaktimin e vendimeve të reja historike që e presin”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Hertica: Ky ngërç politik i konvenon Serbisë

Image
Ali Hertica

Kurse, njohësi i çështjeve politike Ali Hertica, ka thënë se politikanët e Kosovës, të cilët në javët e fundit kanë hyrë në një debat të ashpër rreth krijimit të qeverisë dhe gjetjen e një kompromisi për koalicioni në mes VV-së dhe LDK-së janë duke i zhagitur gjërat.

Sipas tij, të tillët për 3 muaj e lanë Kosovën pa institucione legjitime, dhe krejt kjo për shkakun e kryeneçësisë’ së liderëve të të dy poleve politike, të krijuara pas zgjedhjeve.

“Në njërën anë ‘kryeneçësia’ e liderëve politik që nuk po hasnin në mirëkuptim jap një hapësirë të madhe mos funksionimit të institucioneve të shtetit për ta ruajtur gjendjen e krijuar. Deri më tani me faktorin ndërkombëtar kemi pasur ecje të ngadaltë në fushën e integrimit, dhe tani do të kemi një pezullim të procesit. Duke pasur parasysh organizimin e zgjedhjeve, mbajtjen e tyre, pastaj konstituimin e institucioneve të reja, unë mendoj se nuk do të kemi asnjë zhvillim së paku për një vit në proceset integruese. Ky ngërç politik po jap hapësira Serbisë dhe Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq, ku ai pretendoi se bashku me klikën serbe për një fushatë për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ali Hertica.

Sipas tij, Serbia do të vazhdojë të luftojë sovranitetit e Kosovës edhe në vitin 2020, dhe luftën për një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës, si dhe të lobojë për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ky është një projekt shtetëror dhe gjithçka bëhet përmes institucioneve të Serbisë, sepse kjo situate i konvenon Serbisë mos funksionimi i institucioneve dhe vet krijimin e Qeveris Kurti .Ky ngërç politik i konvenon Serbisë që ketë hapësirë të mjaftueshme për tërheqja e njohjeve të ndryshojë pozicionin e Serbisë për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kur u futëm në këtë proces, 113 vende njohën Kosovën, ndërsa shumica në OKB kërkon 97 vende”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat