Zogaj tregon pse po zhagitet arritja e marrëveshjes dhe si të veprojë Albin Kurti me Thaçin

Politika

Zogaj tregon pse po zhagitet arritja e marrëveshjes dhe si të veprojë Albin Kurti me Thaçin

Nga: G.B Më: 11 janar 2020 Në ora: 16:02
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar liderit të VV-së që t’ia dërgojë emrin e mandatarit për kryeministër përmes një letre të premten.

Ai i ka kërkuar që të tregojë a e do apo jo mandatin ose të lëshojë rrugë për formimin e institucioneve.

Në anën tjetër, pavarësisht takimeve të shumta që kanë mbajtur, LVV dhe LDK nuk kanë arritur ende që të bëjnë një marrëveshje koalicioni.

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është mjaft iluzive të mendohet se dy partitë e para mund të arrijnë  një marrëveshje dhe të ofrojnë bashkëqeverisje të mirë e prosperuese.

“Janë të shumtë zërat që thonë se sovrani ka votuar qartë për ndryshimin e qeverisjes së vendit, por kjo nuk është fare e vërtetë, sepse raporti i forcave nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 është shumë i disfavorshëm për krijimin e një koalicioni cilësor dhe të qëndrueshëm qeverisës! Dy partitë e para, LVV dhe LDK bashkarish nuk e kanë as 50 përqindëshin, por edhe sikur ta kishin këtë çelës, janë me pikëpamje politike dhe koncepte qeverisëse diametralisht të kundërta, prandaj, është mjaft iluzive të mendohet se mund të ofrojnë bashkëqeverisje të mirë e prosperuese”, është shprehur ai.

Ai tregon se pse po zhagtitet marrëveshja dhe pse LDK po kërkon pushtet të balancuar dhe sipas tij, Kurtit i mbetet të vendos a e do apo jo LDK-në për bashkëqeverisje.

“Dhe pikërisht këtu qëndron ngërçi i zhagitjes së marrëveshjes, sepse, LDK-ja më përvojën e saj të gjatë e ka të qartë se, nuk guxon të bëjë koalicion para se ta ketë plotësisht të qartë aspiratën qeverisëse të LVV. Kërkesat e LDK-së për pushtet të balancuar janë kusht i qëlluar i parandalimit të çdo lloj aventure të mëvonshme. Kurtit i mbetet të vendos, e do apo nuk e do për bashkëqeverisje LDK?!”, ka vlerësuar Zogaj.

Sa i përket Thaçit, ai thotë se ka të drejtë të kërkojë emrin, derisa shton se vendi nuk guxon të mbahet peng.

“Sa i përket presidentit Thaçi, me arsye po kërkon nga LVV që të jep emrin për kryeministër ose t'u lëshojë rrugën të tjerëve për krijimin e qeverisë! Vendi nuk guxon të mbahet peng dhe Albini duhet ta kuptojë seriozisht se, duke i përfillur kërkesat e LDK, çfarëdo qofshin ato, nuk humb asgjë, por përfiton shumë, sepse e ka shansin historik që nuk zor se i vjen edhe njëherë tjetër kah dera”, la deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat