Zgjedhja e njëanshme e Glauk Konjufcës, goditje nën brez për LDK-në

Politika

Zgjedhja e njëanshme e Glauk Konjufcës, goditje nën brez për LDK-në

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 13 janar 2020 Në ora: 08:04
Ilustrim/Bota sot

“Konjufca është zgjedhur aty sipas ligjit dhe kushtetutës, por zgjedhja e tij njëanshëm, pa biseduar me partnerin potencial në qeverisje, aq më tepër kur atë pozicion e kishte kërkuar partneri në fjalë, kjo ishte goditje nën brez”, tha prof. dr. Enver Bytyçi.

Shumë takime ndodhën në mes të zyrtarëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, por për fat të keq, ato nuk sollën ndonjë gjë konkrete. Takimet, u shpeshtuan, u bën edhe të ditëpërditshme, por nuk solli asgjë. Takime pati edhe pas vitit të ri, dhe përsëri asgjë. Të vetmet deklarata që zyrtarët e këtyre dy partive japin pas takimit janë paralajmërimet për takimet e radhës.

Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se të dielën është mbajtur edhe një mbledhje e Këshillit Drejtues të Vetëvendosjes, me ç’rast Albin Kurti është deklaruar optimist se diskutimet do të vazhdojnë dhe se është gati marrëveshja.

“Duhet t’i ruajmë nervat. Të punojmë e të angazhohemi, por me durim. Këto bisedime nuk janë të lehta. Edhe më të rënda na presin bisedimet në të ardhmen si qeveri me faktorë të ndryshëm. Sigurisht që kemi mundur e është dashur të arrijmë marrëveshje deri më tash. Pasnesër bëhen 100 ditë prej zgjedhjeve të 6 tetorit. Mirëpo, prej këtyre 98 ditëve, për përbërjen e qeverisë ne kemi biseduar vetëm pas certifikimit të rezultateve. 52 ditë ne i kemi humbur, duke pritur a po ia kalojnë pragun një partie ndonëse e kemi ditur që kjo nuk luan fare rol në renditjen e subjekteve tona, se kjo nuk mund ta ndryshojë fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Së fundmi, unë jam ekspozuar dy herë në mënyrë të rrezikshme: me 26 dhjetor jam ekspozuar para dy milionë qytetarëve dhe gjithë deputetëve të Kuvendit, pa pasur marrëveshje me LDK-në; dhe, mandej në takimin te Presidenti sërish u detyrova të shkoj pa marrëveshje me LDK-në, por së paku kisha gjysmën e kabinetit tim të bërë publik”, ka deklaruar Kurti.

Duhet theksuar po ashtu që, kohëzgjatja e tepërt e mosmarrëveshjes në mes të LDK-së dhe VV-së, ka bërë që të reagojnë partitë tjera, respektivisht PDK-ja. Kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, gjatë një debati, tha se koalicioni LDK-LVV nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësi.

Tutje i pari i PDK-së tha se koalicioni LDK-LVV është bërë si merr-jep pasi ata po kërkojnë poste, sipas Veselit. “Ky koalicioni i tyre është si merr jep, jo po ta jepi kryeministrin, jo presidentin. Kur se ke mendjen e hajrit, s’ke me mujt me u merr vesh. Kjo është situatë që mundet me na kriju krizë, s’jonë të gatshëm për këtë përgjegjësi, dojn me ikë në këtë punë. E ne presim që ata me i amrë pëtrgjejësitë dhe të shoshim qysh po veprojnë”, ka deklaruar Veseli. E vetmja zgjidhje në këtë situatë, nëse potencialisht nuk arrijnë të merren vesh LDK dhe VV, janë zgjedhjet.

Dauti: Më mirë zgjedhje se sa koalicion pa Vetëvendosjen

I këtij mendimi është zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Daut Dauti, i cili për “Bota sot”, thotë se ekziston rreziku që të krijohet koalicion qeverisës pa LVV-në, prandaj nëse partitë e para, nuk merren vesh, zgjidhja e vetme është që të shkohet në zgjedhje përsëri.

Image
Daut Dauti

“Nëse nuk arrihet marrëveshje për koalicion në mes të LVV-së dhe LDK-së, vendi parimisht shkon në zgjedhje të reja. Nuk është për t’u habitur nëse tentohet të krijohet ndonjë qeveri koalicioni pa LVV. Ekziston një numër i personaliteteve brenda LDK-së që preferojnë koalicion me PDK dhe AAK. Por, më i madh është numri i atyre që kundërshtojnë këtë ide apo dëshirë për shkak se LDK, do ta dëmtonte rëndë ky veprim në zgjedhjet që do të pasonin. Prandaj, gjykuar mbi këto fakte, zgjidhje e vetme janë zgjedhjet e reja”, deklaroi ai.

Duhanaj: Përgjegjësia për ta gjetur formulën, i takon partisë së parë

Nga ana tjetër, publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj për “Bota sot”, deklaroi se ajo çfarë e identifikon Albin Kurtin dhe VV-në si prurje e re, është qasja e mosdurimit politik në skenën politike dhe politika e vijave të kuqe.

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim, një ndër gjërat më të liga që i kanë ndodhur këtij vendi, është pikërisht diskursi i mosdurimit dhe vijat e kuqe. Kjo tashmë, po i hakmerret dhe po i kthehet bumerang pikërisht Albin Kurtit, i cili ja mbylli rrugët vetit me qasjen e vijave të kuqe”, tha ai.

Për më tepër, sipas tij, problem tjetër, është se Albin Kurti, nuk është mësuar të ndajë as poste e as pushtet.

Ai e ka problem bashkëpunimin e kushtëzuar. Kjo është dëshmuar edhe në kuadër të bashkëpunimit opozitarë, qoftë me AAK-në, apo edhe subjektet tjera.

“Ai, qeverisë me VV-në, në cilësinë e një mbreti, apo mbinjeriu dhe, nuk e ka lehtë të ulët në tavolinë si i barabartë. Problem tjetër i z. Kurti, është se nuk ka bashkëpunuar në asnjë moment dhe në asnjë formë me askënd. Ka kundërshtuar çdo nismë politike. Ka premtuar gjëra të paarritshme etj. Ai, duket sikur t'mos ketë llogaritur kurrë që një ditë do të përballët me situatën e përgjegjësisë së krijimit respektivisht qeverisjes së vëndit. Tani, i ka ardhur mundësia në dorë, por që nuk është i sigurt se çfarë dëshiron të bëjë. Ta marrë apo ta lë”, tha Duhanaj.

Më tej, Duhanaj, shtoi se Albin Kurti, po e preferon ta të dytën, ta lë mundësinë pa e shfrytëzuar. Por, për ketë, synon ta gjej fajtorin, e si fajtorë kujdestarë për ketë gjë preferohet LDK.

“Edhe ata (LDK), janë me plot gabime. Por, përgjegjësia për ta gjetur formulën, i takon partisë së parë, jo të dytës. Tani, opsionet janë të shumta, por dyert janë të mbyllura, të cilat z. Kurti i ka mbyllur vetë”, tha Duhanaj.

Tri mundësitë e Albin Kurtit

Ai, deklaroi po ashtu se Albini i ka këto mundësi: Të gjej gjuhë të përbashkët me LDK-në, të kërkoj kontakt tek partitë tjera ose të dorëzohet, por jo duke sabotuar vendin përmes kalkulimeve dhe vonesave.

“Opsionet tjera, janë plotësisht të mundshme dhe mendoj që në një rast të tillë, siç edhe jemi tani, edhe qeverisja gjithëpërfshirëse kishte me qenë opsion. Zgjedhjet e reja, nuk i shoh si alternativë të mirë, pasi që shkojnë në dëm të vendit dhe nuk sigurojnë paraprakisht rezultat me të favorshëm”, përfundoi ai.

Bytyçi: Zgjedhja e Glauk Konjufcës, goditje nën brez për LDK-në

Publicisti dhe profesori Enver Bytyçi, për “Bota sot”, tha se java që vjen është vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, nëse në fund të javës nuk do të ketë marrëveshje, atëherë me plot dëshirë presidenti i Thaçit do të autorizojë përfaqësuesin e partisë së dytë fituese, d.m.th, LDK-së, për krijimin e qeverisë, e cila dhe ajo do të ketë afatin kushtetues për të arrit një marrëveshje mazhorance me subjektet e tjera politike.

Image
Enver Bytyçi

“Pra në mungesë të një kompromisi midis Isës dhe Albinit, do të bëhen përpjekje për të krijuar një qeveri me ngjyrime të tjera. Lidhja Demokratike ka të drejtën që t’i drejtohet Vetëvendosjes për bashkëqeverisje. Por, në këtë rast ajo do të mbajë postin e kryeministrit, ndërkohë ato që ia ka kërkuar Vetëvendosjes do t’ia japë asaj, përfshirë dhe kreun e uzurpuar të parlamentit. Theksoj fjalën uzurpim për këtë post në respekt të parimit moral, jo ligjor e kushtetues. Konjufca është zgjedhur aty sipas ligjit dhe kushtetutës, por zgjedhja e tij njëanshëm, pa biseduar me partnerin potencial në qeverisje, aq më tepër kur atë pozicion e kishte kërkuar partneri në fjalë, kjo ishte goditje nën brez”, tha Bytyçi. Megjithatë, sipas Bytyçit, ekzistojnë edhe alternativa të tjera, fjala vjen një koalicion në mes të LDK-së dhe PDK-së.

“Alternativa të tjera do të jenë disa. P.sh një koalicion tjetër midis LDK-së dhe PDK-së. Por LDK është betuar se nuk to ta bënte një kompromis të tillë. Nëse ndodh kjo, Lidhja Demokratike do ta humbë përgjithnjë elektoratin e saj të lodhur me manovrat politike të Isa Mustafës. Prandaj nuk besoj se LDK bën marrëveshje me PDK-në, pavarësisht dëshirës së disa eksponentëve të saj ish-ministra dhe kryetarë komunash për këtë koalicion. Nëse e pranojmë këtë fakt, atëherë ka edhe një mundësi: Të krijohet një koalicion tjetër midis LDK-së, AAK-së, Nismës dhe minoriteteve. Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga drejtimi i AAK-së dhe më parë nga mandati i deputetit më le të kuptoj se ky koalicion është më i mundshmi ndër alternativat që ekzistojnë”, tha ai.

Dialogu me Beogradin do të përcaktojë formulën e qeverisjes dhe aktorët e saj

Bytyçi, tha se me koalicionin e tillë, veçmas bashkësia ndërkombëtare, ka realizuar disa objektiva. Largon mundësinë që i paparashikueshmi, Albin Kurti, të ketë peshë në dialogun Prishtinë-Beograd, gjë që ai e konsideron një disavantazh për Kosovën në raportet e saj me Serbinë.

“I jep pushtet Vjosa Osmanit në këtë dialog, gjë që, së paku për ato që dimë deri sot, e konsideroj si avantazh të Kosovës në këtë dialog. “Gjithnjë nëse Vjosa i vendos kufijtë e “arës” presidentit Thaçi. Por nëse imponohet Hashim Thaçi me rol të caktuar në këtë dialog, atëherë, nuk do ta doja këtë koalicion qeverisjeje. Me formulën e fundit tërhiqen serbët në qeverisjen dhe institucionet e vendit, i cili është interes ndërkombëtar i rëndësishëm”, shtoi ai.

Megjithatë, sipas Bytyçit, lënia e Vetëvendosjes në opozitë nuk do të ishte avantazh për bashkësinë ndërkombëtare, që ajo të mbështetë një zgjidhje tjetër veç një qeverie VV-LDK.

“Në fund të fundit çdo marrëveshje qeverisjeje do të duhej të kishte konsensusin e të gjithë faktorit politik në Kosovë. Asnjë marrëveshje nuk arrihet, nëse nuk do të ishin dakord të gjithë në Kosovë, politikanë dhe qytetarë. Përfundimisht mund të thuhet se dialogu me Beogradin do të përcaktojë edhe kësaj radhe formulën e qeverisjes dhe aktorët e saj.Në fakt, Vetëvendosja ka të drejtë të kërkojë partnerë të tjerë për krijimin e qeverisë, por afati nuk mund të shkojë përtej kësaj jave që nis. Nuk mendoj se ka kohë fizike për një aksion të tillë politik të saj. Mund të ketë dhe opsion të tjera”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat