Dorëheqja, lëvizje e guximshme apo kozmetike e Ramush Haradinajt?

Politika

Dorëheqja, lëvizje e guximshme apo kozmetike e Ramush Haradinajt?

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 13 janar 2020 Në ora: 19:28
Ramush Haradinaj

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje si kryetar i AAK-së, të cilën e drejton tash e dy dekada. Haradinaj i cili është edhe themelues i AAK-së, ka thënë se ka dhënë dorëheqje nga posti i të parit të partisë, pasi që janë në prag të zgjedhjeve të brendshme të këtij subjekti, ku edhe sipas Haradinajt, do te ketë kandidatë të shumtë të cilët do ta sfidojnë atë.

“Ne e kemi hapur votën në total, në këtë rast nëse kandidoj Ramush Haradinaj nuk e ka një kundërkandidat, por i ka 100 kundërkandidatë. Secili prej tyre nëse ja qet votën vetes edhe unë vetes i bie që të gjithë kemi votë të barabartë duhet të hymë në raund të dytë në raund të tretë e ku di unë. Kemi bërë lëvizjen më të guximshme të mundur për hapje të garës dhe po ashtu e kemi bërë një lëvizje të guximshme me Prishtinën. Ne i kemi mbajtur dje takimet për këshillat iniciues të 5 degëve të Prishtinës, ndarja zonale dhe jemi në proces e sipër prej 20 shkurtit fillojmë me kuvendet iniciuese të degëve të Prishtinës dhe punojmë me strukturën tonë të degës me nivelin qendror por edhe me qytetarë por edhe me autoritete me profesionistë që shprehin interesim”

Në ndërkohë, Haradinaj ka thënë se po zhvillojnë një demokraci të shtuar brenda aleancës, ku ka deklaruar se nuk ka mundësi të kalojë asnjë propozim i kryetarit të ardhshëm të partisë, nëse Kryesia e Aleancës nuk janë dakord, e nuk e japin dritën e gjelbërt.

“Nuk ka asnjë ndërhyrje tjetër, bazuar në këtë unë besoj që është mirë që e kemi lënë që Kryesinë e Aleancës e propozon Kryetari i Këshillit Drejtues. Por nuk mundet me kalua asnjë kryesi e propozuar prej kryetarit nëse ata nuk janë dakord, për shkak se të gjithë janë fuqiplotë janë njerëz të zgjedhur, askush nuk është me funksione që i ka të deleguara por të gjithë janë të votës. Mirëpo prapë se prapë krijimi i kryesisë është një liri që me ftua edhe figura të tjera, jo vetëm njerëzit e zgjedhur të procesit zgjedhorë por është lënë një hapësirë për me ftua figura jashtë procesit zgjedhor për kryesi por jo për këshill drejtues edhe kandidatët për kryetarë ose kryetari i partisë nuk mundet me pas bazë deleguese”, ka thënë Haradinaj në intervistën për ekonomia online.

Në anën tjetër, duke pasur parasysh dorëheqjen e muajve më parë të Haradinajt nga pozita e të parit të qeverisë, tash kur po deklaron se ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e të parit të subjektit, të cilin e drejton, natyrshëm rrjedhë pyetja se çka po ndodhë me Haradinajn, a po ikën nga përgjegjësitë, a është ngopur duke punuar, a e ka goditur keq rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, apo ka diça tjetër të cilën e shtjellojnë analistët me të cilët kemi biseduar rreth kësaj çështjeje.

Image
Muharrem Nitaj

Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj, në një deklaratë për “Bota sot”, ka thënë se me me shpalljen e zgjedhjeve në parti, krejt strukturat drejtuese janë në dorëheqje.

“Kështu është rregulli. Ne fakt, është kryesia që do t’i kryej punët e udhëheqjes së partisë deri ne kuvendin zgjedhor kur do të zgjidhet kryesia e re”, ka deklaruar ai.

Kadriu: Një grip me i ra Ramushit, aktivitetet e AAK-së pushojnë, derisa ai të shërohet

Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Kushtrim Kadriu, duke e komentuar dorëheqjen e Haradinajt nga pozita e të parit të AAK-së, ka thënë se këto ndryshime janë më shumë kozmetike dhe për dukje të jashtme, sesa që ndryshojnë diçka në të vërtetë.

Ai ka thënë se AAK dhe disa subjekte tjera politike në vend, pa liderin e tyre nuk mund ta paramendojnë ekzistencën, duke thënë se nëse një ftohje e pësojnë, aktivitetet e subjekteve në fjalë pushojnë, derisa lideri apo kryetari të shërohet.

Image
Kushtrim Kadriu

“Dorëheqja e z.Ramush Haredinajt nga pozita e kryetarit të AAK-së është vetëm një lëvizje kozmetike e cila nuk është diçka në reale, por bëhet sa për sy e faqe, që të duket AAK dhe kuvendi i saj zgjedhorë demokratik. AAK e Vetëvendosje e disa parti të tjera në Kosovë janë parti të liderëve të cilat janë të lidhura ngushtë me emrin e liderit të tyre dhe me veprimet e liderit.

Këto parti nuk mund as të mendohet se ekzistojnë pa prezencën e liderëve të tyre. Në rast se një grip ju bie këtyre lidervë këto parti shuajnë automatikisht aktivitetin e tyre apo nuk do të ekzistojnë më.

z.Haredinaj nuk duhej të jepte dorëheqje apo edhe të bëjë lajme të tilla pasi që nuk qojnë pesheëfare e nuk janë interesante për opinion pasi që edhe fëmijët e djepit e dinë që ai prapë do të jete kryetar parti e do t`i prijë asaj deri të ekzistoj partia apo sa të jetë gjallë ai. Në partitë politike në Kosovë nuk ekziston demokracia e mirëfilltë dhe nuk i jepet hapësirë figurave të tjera të marrin timonin e partisë apo edhe të paraqesin vizionin e tyre për partitë por Brenda partisë mundë të jetë vetëm ai i cili përshtatët dhe mendon si lideri e jo ndryshe sepse në të kundërtën nuk ekziston brenda partisë”, ka thënë Kardiu.

Mehmeti: Pa Haradinajn, AAK rrezikon të shuhet, do t’i bënte mirë vendit

Image
Faton Mehmeti

Në anën tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot” është shprehur se ka mundësi që Ramushi përfundimisht të reflektojë pas dështimit për t’i fituar zgjedhje, madje duke mos dal as si subjekt në top treshe, përkundër koalicionit që kishte me PSD-në. Ai ka thënë se duhet të presim se çfarë do të ndodhë në kuvendin e ardhshëm të AAK-së, duke lënë të shpresohet se ka mundësi që Ramushi më nuk do të kandidohet për kryetar, ani pse kjo duket pak e mundshme.

“Realisht nuk e dimë arsyen pse z.Haradinaj ka dhënë dorëheqjen, nisur nga zhvillimet mund të konkludojmë se arsyet mund të jenë dy. Njëra mund të jetë përgjegjësia për rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse ato kanë mbaruar qe 3 muaj. Nëse kjo është arsyeja, atëherë dorëheqja e Haradinaj është për t'u vlerësuar si shenjë përgjegjësi e që realisht i mungon klasës politike. Duhet të aplikohet edhe tek ne, si në vendet demokratike, që ai që humbet zgjedhjet edhe duhet dhënë përgjegjësi me dorëheqje. Tjetra mund të jetë një lojë politike e tij që mos të shkojë në Kuvendin e AAK në pozitën e kryetarit, por si i barabartë, megjithëse kjo vetëm formalisht thuhet pasi z. Haradinaj nuk është vetëm kryetar i partisë, por edhe " pronarë i saj', pa z. Haradinaj në krye të AAK-së, kjo parti do të zhduket, pasi realisht në AAK nuk ka ndonjë profil publik që mund të qojë AAK-në përpara, e jo se jo, por as te mbajë se ekzistuari. Përflitet se në këtë pozitë mund të vijë vëllai i tij Dauti, megjithëse z. Haradinaj duhet të ketë kujdes pasi AAK rrezikon seriozisht të shuhet nga skena politike, edhe pse një gjë e tillë është e mirë për vendin, e ngarkuar tej mase nga partitë. Të shohim se çfarë do të ndodhë në kuvendin e AAK-së, se a do kandidohet z. Haradinaj për kryetar, apo jo”, është shprehur Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat