Durimit po i vie fundi, presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes LVV-LDK

Politika

Durimit po i vie fundi, presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes LVV-LDK

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 janar 2020 Në ora: 09:27
Pamje nga takimi i djeshëm i Kosnett dhe LDK-së

“Vizitat e shpeshta të diplomatëve evropianë e amerikan në Kosovë, hapur tregojnë se janë për koalicionin e dy partive fituese LVV-LDK, për krijimin e qeverisë së re e jo më të stërzgjatur të Kosovë. Me vizitat e shpeshta të ndërkombëtarëve e bisedat e tyre me Kurtin e Mustafën mund t'i kuptojmë si vërejtje serioze për të dy palët, LVV-LDK, që për shkak inateve e interesave partiake s'mund të merren vesh”, u shpreh Mehazi.

Gjatë ditës së djeshme (e hënë), ish-shefi i misionit të OSBE, William Walker së bashku me Ambasadorin amerikan Philip Kosnett, ka vizituar zyrat qendrore të LDK-së, në Prishtinë, nga ku u takuan me liderë të kësaj partie.

Walker që është duke qëndruar në Kosovë në 21 vjetorin e masakrës së Reçakut vizitoi partinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, ku biseduan për koalicionin LV – LDK, mirëpo që në lidhje me takimin Walker nuk u prononcua për media.

Përveç Walker, edhe ambasadori Philp Kosnett gjithashtu vizitoi zyrat e LDK-së, duke u takua me krerët e kësaj partie, dhe thuhet që biseduan për përshpejtimin e marrëveshjes mes LDK-LVV, por që nuk ka pasur prononcime nga asnjëra palë.

Mustafa: zgjidhjen për formimin e institucioneve të vendit e japin nga VV

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, tha shkurt para mediave se zgjidhjen për formimin e institucioneve të vendit e japin nga Lëvizja Vetëvendosje.

Mustafa nuk pranoi të komentoj më gjatë, as bisedën që pati me ambasadorin Kosnett, e as rrjedhën e ngjarjeve që pritet të ndodhin për sa i përket marrëveshjes për koalicion.

“Zgjidhjen e japin ata, jo ne”, u shpreh shkurt lideri i LDK-së,

LDK: Kosnett ftoi udhëheqësit politikë ta formojnë qeverinë e re

Pas vizitës që ambasadori amerikan Philip Kosnett bëri në LDK, kjo e fundit lëshoi një komunikatë për media.

Aty thuhet se Kosnett ftoi udhëheqësit politik ta formojnë qeverinë e re, e cila sa më parë do të përmbushë mandatin e votuesve.

Përpos kreut të LDK-së, IsaMustafa, në takim me ambasadorin amerikan kanë qenë edhe nënkryetarët Lutfi Haziri, Agim Veliu dhe Vjosa Osmani.

Po sipas komunikatës së lëshuar nga LDK,Mustafa e ka njoftuar ambasadorin për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Mehazi: Ardhja e diplomatëve të huaj në Prishtinë shumë janë kërcënime sesa miklime politike

Analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që vizitat ndërkombëtare që po ndodhin shumë shpesh është një arsye serioze që të dy palët LDK-LVV, të merren vesh sa më shpejt për një qeveri.

Image
Sulejman Mehazi

“Vizitat e shpeshta të diplomatëve evropianë e amerikan në Kosovë, hapur tregojnë se janë për koalicionin e dy partive fituese LVV-LDK, për krijimin e qeverisë së re e jo më të stërzgjatur të Kosovë. Me vizitat e shpeshta të ndërkombëtarëve e bisedat e tyre me Kurtin e Mustafën mund t'i kuptojmë si vërejtje serioze për të dy palët, LVV-LDK, që për shkak inateve e interesave partiake s'mund të merren vesh”, u shpreh Mehazi.

Më tej, Mehazi, tha që këto zënka të mosmarrëveshjeve të dy partive do të duhen të ndalen pasi që diplomatët ndërkombëtar do të idetyrojnë me qejf apo me zor të krijojnë qeverinë e re.

“Ardhja e diplomatëve ndërkombëtarë më shumë e ka kuptimin e qortimeve ndaj Kurtit e Mustafës sesa të këshillave ndaj tyre. Diplomatët ndërkombëtarë ua bëjnë me dije dy partive fituese se të kota janë zëniet e mosmarrëveshjet e stërzgjatura e se janë të detyruar me qejf apo me zor të krijojnë qeverinë këto dy parti. Pra, ardhja e diplomatëve të huaj në Prishtinë për Mustafën e Kurtin më shumë janë kërcënime sesa miklime politike dhe se janë të detyruar që sa më shpejtë të krijojnë qeverinë e re”, përfundoi, Mehazi.

Voca: Një koalicion i dalë nga presioni ndërkombëtar nuk i nevojitet Kosovës

Doktor shkence dhe ligjërues i Gjeopolitikës në Paris, Mirsad Voca, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që vonesa në krijimin e Qeverisë i kushton më së shumti popullit të Kosovës.

Image
Mirsad Voca

LVV-LDK, do të duhej t’ishte bërë shumë më herët në mënyrë që vendi të mos stagnoj në konstituimin e Qeverisë. Vonesa në krijimin e Qeverisë i kushton më së shumti popullit të Kosovës dhe dy partitë fituese duhet të bëjnë koncesionet e nevojshme pa u shtyrë në pakufi për disa pozita politike pak domethënëse për shoqërinë e Kosovës e cila është ngopur nga këto ngërqet politike. Inatet e lakmitë për disa pozita e pushtet, një paradigmë e vjetër tashmë e njohur në mjedisin politik kosovar, duhet lihen anash e të krijohet atmosferë bashkpunimi që ka prioritet konsolidimin e Shtetit”, tha, Voca.

Voca, tha se, që të dy partitë duhet të lëshojnë njëra tjetrës hapësirë në mënyrë që të krijojnë një marrëveshje dhe të qeverisin më ndryshe. Për më tepër, kjo vonesë tregon qartë papjekurinë politike të sistemit politik

“Ndërkombëtarët apo vendet demokratike mike të Kosovës, natyrisht se e përkrahin koalicionin LVV-LDK sepse kemi dy parti të dala fituese nga Zgjedhjet e fundit të lira dhe demokratike. LVV, si parti e parë fituese e zgjedhjeve do të duhej t’i lejoj hapësirë LDK-së por dhe kjo e fundit, do të duhej të përqafonte pa hamendje një koalicion me LVV, sepse kjo do të ishte alternativa e vetme për një qeverisje ndryshe nga ato të mëparshmet”.

“Dy partitë fituese kanë përgjegjësi e detyrë përball sovranit dhe shteteve mike të Kosovës për krijim të Qeverisë përndryshe që të dyja do të ndëshkoheshin në rast dështimi. Hedhja e fajit nga njëra parti tek tjetra për moskrijim të Qeverisë, nuk mund t’i shitet opinionit publik se si njëra paska më shumë përgjegjësi se tjetra për krijim të Qeverisë. Për më tepër, kjo tregon qartë papjekurinë politike të sistemit politik në vend dhe lë shumë për të dëshiruar sa i përket vullnetit politik të tyre për t’u fokusuar urgjentisht në prioritetet që presin vendin ndërsa dy partitë fituese kirjojnë ngërç rreth disa pozitave e pazareve politike më shumë për interesa partiake e në dëm të Shoqërisë e cila mezi pret përsëri ta braktis vendin masivisht për një jetë më të mirë”, u shpreh, Voca.

Në fund, Voca, tha që nuk duhet të presim që të kemi trysni nga ndërkomëbtarët për të krijuar Qeveri, kjo duhet të bëhet me vullnet e mirëbesim reciprok nga të dy partitë.

“Kosova nuk ka nevojë për ngërçe e stagnime, mosmarrëveshje e kryeneqësi, kalkulime e përqarje partiake e politike, mirëpo për punë të parreshtur e urgjente bashkëpunuese, për konsolidim të institucioneve e krijim të rrethanave prosperuese për popullinë e Kosovës. Sigurisht se ky do të ishte edhe mesazhi i shteteve mike ndaj dy partive të cilat mjaftë humbën kohë për krijim të Qeverisë e të cilën edhe populli po e mirëpret që nga Zgjedhjet e fundit të muajit tetor 2019”.

“Nëse presim gjithnjë që ndërkombëtarët të bëjnë trysni për krijim të Qeverisë, kjo tregon qartë një mungesë të përgjegjësisë politike për konsolidim të një Shteti të pavarurë dhe sovran. Një koalicion i dalë nga presioni ndërkombëtar nuk i nevojitet Kosovës sepse nuk do ta ndryshonte gjendjen duke patur parasysh se do të ishte një koalicion i zorit i cili nuk do të sillte rezultate. Koalicioni do të duhej të bëhej me vullnet e mirëbesim reciprok nga të dy partitë politike në mënyrë që të hapen rrugët e progresit përmes një qeverisje konstruktive”, përfundoi, Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat