Diplomacia amerikane, shansi i fundit për krijimin e qeverisë VV-LDK!

Politika

Diplomacia amerikane, shansi i fundit për krijimin e qeverisë VV-LDK!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 14 janar 2020 Në ora: 11:40
Isa Mustafa, Albin Kurti

Dje ka pasur zhvillime të reja në Kosovë. Edhe një dritë shprese është shfaq dhe mesa duket për pak kohë vendi do të ketë qeverinë, të cilën qytetarët e kanë votuar. Ambasadori amerikan Kosnett ishte në zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nëse shohim fotografinë e shfaqur duket qartë se Isa Mustafa dhe Agim Veliu janë hallka e zgjidhjes së konfliktit dhe e formësimit të koalicionit qeverisës në këtë subjekt politik. Vjosa Osmani nuk është problemi.

Po ashtu ambasadori Walker ka zbritur në Prishtinë. Ai njihet si fans dhe avokat i Albin Kurtit në SHBA. Kjo do të thotë se Walker ka ardhur në Kosovë me një mesazh për mikun e tij në krye të Vetëvendosjes. Kësisoj amerikanët edhe kësaj radhe i ndanë rolet dhe bënë për Kosovën atë që nuk duan e nuk dinë ta bëjnë politikanët e saj. Uashingtoni pa dyshim mbështet një qeveri të përbashkët të Vetëvendosjes dhe të Lidhjes Demokratike. Çdo përpjekje për ta dëmtuar këtë koalicion shkon kundër interesave amerikane në Kosovë. Dhe interesat e kundërta me amerikanët kanë bekimin e Serbisë e të Rusisë më së pari.

Zhvillimet e djeshme janë pa dyshim një  hap i rëndësishëm në arritjen e një marrëveshjeje midis dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit. Por jo vetëm kaq. Këto zhvillime ishin paralajmërim për presidentin e vendit, Hashim Thaçi. Ky i fundit prej ditësh i bën presion Albin Kurtit sa i përket mandatimit të tij në krye të ekzekutivit. Aq shumë e frynë mediat pro serbe të Kosovës “ultimatumin” e Thaçit, sa u duk sikur për qeverinë vendos presidenti dhe jo sovrani. Në fakt Hashimit i duket vetja sovran, ose sulltan i Kosovës. Njeriu, përfshirë dhe presidentët dhe kryeministrat, shpesh herë bëjnë atë që ua merr mendja të bëjnë. Nuk bëjnë atë që kërkon kushtetuta dhe ligji.

Por kreu i Vetëvendosjes po dje iu përgjigj zotit Thaçi me një letër publike dhe e paralajmëroi atë që të heqë dorë nga presioni dhe ultimatumet e tipit Milosheviç! Sepse afatet kushtetuese fillojnë pas mandatimit të kandidatit për kryeministër e jo kur t’i dojë qejfi presidentit. Pra, kemi të bëjmë me lëvizje të diplomacisë amerikane edhe si paralajmërim për rolin destruktiv të Hashim Thaçit në lojën politike. Ky rol duhej demantuar. Më mirë se diplomacia amerikane nuk mund ta bënte askush tjetër. Vizita e Kosnett në LDK dhe ardhja në Prishtinë e Wslker është një paralajmërim jo vetëm për forcat regresive në LDK e VV, por edhe për rolin negativ të presidentit të vendit, i cili në vend që të ndihmojë për zgjidhjen e krizës, i fryn zjarrit të përçarjes, me qëllim moskrijimin e qeverisë .

Veç kësaj Albin Kurti, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani duhet ta lexojnë mirë lëvizjen e fundit të amerikanëve. Ata duhet t’i lënë mënjanë interesat vetjake e të partive që përfaqësojnë dhe t’i japin fund konfliktit për ndarjen e përgjegjësive. Është momenti që të realizohet marrëveshja e koalicionit dhe të krijohet qeveria e re e Kosovës. Kostoja e moskrijimit të kësaj qeverie është tashmë e lartë, shumë e shtrenjtë. Dëmet që i shkaktohen vendit nga kriza e mosbesimit midis VV dhe LDK-së janë të mëdha.

Nëse këto dy subjekte nuk do të merren vesh dhe nuk do të bëjnë kompromis edhe në këtë rast, kur diplomatët dhe miqtë amerikanë po japin mesazhe të qarta, atëherë koston do ta paguajnë qytetarët e Kosovës. Por kosto elektorale do të ketë edhe për Vetëvendosjen dhe LDK-në. Çdo interpretim tjetër i lëvizjeve të fundit është e duhet konsideruar i gabuar.

Është momenti i fundit për ta krijuar qeverinë e re. Është koha kur tashmë shteti do të duhet të kishte institucionet e veta. Duhet me domosdo të parandalohet ardhja e PAN në pushtet. Duhet një qeveri e cila të realizojë aspiratën e shqiptarëve për drejtësi dhe shtetësi të plotë.

Edhe në këtë rast shpëtimi i fatit, imazhit dhe shtetësisë së Kosovës duket se është ndihma amerikane. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Por së paku ta ndihmojmë diplomacinë amerikane dhe lehtësojmë ndihmën e saj ndaj nesh!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat