Shërbimet inteligjente me qëllime armiqësore, po e vonojnë krijimin e qeverisë?

Politika

Shërbimet inteligjente me qëllime armiqësore, po e vonojnë krijimin e qeverisë?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 janar 2020 Në ora: 18:17
Ilustrim

Qeveria dhe institucionet e Kosovës, nuk janë fare aktive në punën e tyre, prandaj dhe Kosova mund të rrezikohet nga shërbimet e huaja në këtë kohë. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se Kosova është arenë e shërbimeve të huaja inteligjente, madje ka nga to, që tek ne operojnë edhe legalisht siç është Lista Serbe, e cila nuk bën gjë tjetër, pos sabotimit të shtetësisë së Kosovës.

Vakuumi institucional i cili po mbizotëron pas zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit, u krijon edhe më tepër hapësirë shërbimeve të huaja inteligjente që të operojnë në Kosovë e madje edhe të krijojnë situata destavilizuese.

Kajtazi: Klasa politike të vetëdijësohet

Image
Fadil Kajtazi

Eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, ka thënë se Institucionet shtetërore duhet të funksionojnë pa marr parasysh gjendjen në të cilën ndodhet qeveria.

“Ato duhet të kenë vazhdimësi të punës në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Është fakt prania në Kosovë dhe rreth saj e shërbimeve inteligjente që kanë qëllime armiqësore ndaj Kosovës. Fatkeqësisht ky fakt nuk po ndikon në vetëdijësimin e klasës politike për të vepruar në drejtim të funksionalizimit të shtetit. Vet amullia e mos konstituimit të organeve shtetërore mund të jetë influencë e po këtyre shërbimeve”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, vendi ynë nuk posedon arsenal ushtarak, potencial ekonomik, apo politikë të jashtme agresive për ta rrezikuar dikë.

“Prandaj, shërbimet inteligjente me qëllime armiqësore ndaj vendit tonë kryesisht janë të orientuara në krijimin e kaosit në të gjitha drejtimet.

Ato përmes luftës speciale duke zbatuar doktrinën "duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza", po mundohen ta pengojnë, ose ta shtyjë sa më shumë konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Është mirë që kjo të kuptohet nga përgjegjësitë partiak dhe institucional të vendit”, ka thënë eksperti i sigurisë”, Fadil Kajtazi.

Duhanaj: Kosova në dhjetë vitet e fundit, me shumë ka qenë në vakum institucional, se sa në stabilitet politik

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj, ka thënë se Kosova është arenë e shërbimeve të huaja inteligjente, madje ka nga to që tek ne operojnë edhe legalisht siç është Lista Serbe e cila nuk bën gjë tjetër pos sabotimit të shtetësisë së Kosovës.

“Për fat të keq politika në Kosovë nuk gjënë as kohë, as motiv për t'i trajtuar seriozisht këto shqetësime. Kosova në dhjetë vitet e fundit, me shumë ka qenë në vakum institucional, se sa në stabilitet politik, qoftë edhe të brishtë. Këndej, nuk është e rastit që qytetarët tanë, janë të ekspozuar ndaj shërbimeve antishqiptare. Puna armiqësore e shërbimeve të huaja, shpesh të toleruara apo në bashkëpunim me çarqet politike ndikojnë relativisht, duke i shtyrë shqiptarët deri në asimilim”, ka thënë analisti politik Leon Duhanaj.

Halimi: Pavarësisht ndryshimeve në skenën politike, puna e tyre nuk guxon të ndalet

Image
Armend Halimi

Kurse, magjistri i studimeve të sigurisë Armend Halimi, ka thënë se organet e sigurisë apo agjencionet me misione dhe funksione të tilla, kanë plan punë permanente pavarësisht ndryshimeve në skenën politike.

Sipas tij, puna e tyre nuk guxon të ndalet në mbledhjen dhe përpunimin e informatave me interes të sigurisë, dhe si të tilla të shfrytëzohen në ndërtimin e masave parandaluese.

“E them këtë sepse organet e sigurisë nuk kanë mandate politike, dhe nuk janë direkt të varura me ndërrimin e qeverive. Sigurisht që pozitat e larta politike si ajo e presidentit dhe e kryeministrit kanë rëndësinë e tyre, pasi që informatat me interes të lartë të sigurisë, që zakonisht iu raportohen nga drejtuesit e institucioneve të sigurisë, nga pozicioni këshillëdhënës bën që një shtet të jetë më gati, dhe më mirë përgatitur nga çdo agjendë qëllim keqe nga jashtë. Përveç kësaj po ashtu situatat e tilla me një ‘anarki politike’ i shërbejnë shërbimeve qëllim këqija, që duke u gjind populli pa orientim të qartë, të stimulohet për trazira në vend”, ka thënë magjistri i studimeve të sigurisë Halimi.

Mehazi: Kosova dhe Shqipëria janë në rrezik të madh nga shërbimet e rrezikshme serbe-ruse

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se jo vetëm Kosova dhe Shqipëria, por edhe shtetet tjera rreth e për çark ku jetojnë shqiptarët, janë në rrezik të madh nga shërbimet e huaja, e sidomos Kosova nga shërbimet e rrezikshme serbe-ruse.

Sipas tij, kjo vërehet hapur tani me stërgjatjen e mos krijimit të qeverisë së re të Kurtit.

“Si duket dy partitë fituese LVV-LDK gjatë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë kanë hidhëruar e pikëlluar jo vetëm shërbimet e huaja, por edhe shërbimet e brendshme të Kosovë. Vlen të përmendim se armiqtë e Kosovës i ka prekur e i ka hutuar fitorja e Albin Kurtit që me mish e me shpirt mundohen që në krye të qeverisë mos të jetë Albin Kurti, por dikush tjetër, frika nga Kurti i ka bashkuar e i ka lidhur shërbimet e jashtme serbe me shërbimet e brendshëm kosovare të cilët si e si mundohen të pengojnë Kurtin si Kryeministër. Që më parë dihen shërbimet serbe-ruse, po vonesa e përbërjes së re të qeverisë së Kosovës ka zbuluar edhe shërbimet e trishta të brendshme të Kosovës, ata janë të gjithë kundërshtarët e Albin Kurtit, që nga Hashim Thaçi, Edi Rama, PDK-ja, AAK-ja pse jo edhe konkurrentja dialoguese e LDK-së që me shërbimet e errëta mundohen ta ndalojnë e pengojnë Albin Kurtin për të udhëhequr qeverinë e re të Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat