Lepaja tregon formulën për formimin e qeverisë

Politika

Lepaja tregon formulën për formimin e qeverisë

Nga: G.B Më: 15 janar 2020 Në ora: 19:09
Fadil Lepaja

Oferta nga LVV drejtuar LDK-së dhe anasjelltas po vazhdojnë.

E lidhur me këto oferta dhe formulën për formimin e qeverisë, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se është vështirë të thuhet se cila ofertë është më e mirë.

“Vështirë të thuhet se cila është oferta më e mirë. Gjithsesi ajo nuk është formulë matematikore, por është politike dhe krijohet me konsensus të partnerëve. Gjithsesi është çështje në vete, a kanë të dyja palët vullnetin e njëjtë për të qeverisur bashkë, dhe me gjasë nuk po u ngutet njësoj të dy palëve”, është shprehur ai.

Sipas Lepajës, do të ishte mirë të mbahet premtimi i dhënë në fillim për numrin e ministrive por edhe mund të shtohen nëse është rruga e vetme për ta krijuar koalicionin.

“Mendoj se mirë do të ishte të mbahet premtimi i dhënë fillimisht për numrin e ministrive, por gjithsesi, nuk e shoh fundin e botës shtimin e një apo dy ministrive, nëse kjo është rruga e vetme për ta krijuar koalicionin, aq më tepër që edhe ashtu është bërë reduktim i ndjeshëm i nurit të ministrive e sidomos zëvendësministrave dhe stafit tjetër të ministrive”, ka vlerësuar ai.

Lepaja i quan qesharake reagimet e ish zyrtarëve të qeverisë së kaluar, në lidhje me shtimin e numrit të ministrive.

“Tingëllojnë qesharake kritikat për shtimin e dy ministrive, nga ish pjesëtarët e qeverisë së kaluar e cila për së paku 1/3 ishte më e fryrë. Për hir të korrektësisë, gjithsesi do të duhej shikuar mundësitë që brenda skemës së propozuar fillimisht, të ndërtohet kabineti i ri qeveritar”, ka theksuar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

Sa i përket formulës për daljen nga kriza, ai thotë se nëse duan bashkëpunim të sinqertë, të dyja palët duhet të qetësojnë forcat brenda tyre që janë pengesë e marrëveshjes.

“Unë mendoj se u filluan mbarë bisedimet, me qëllimet e përbashkëta, apo përafrimin e dallimeve, por mendoj se në një moment, u kalua në negociata pozicionale, dhe marrëdhënia e partnerëve degradoi në debate të panevojshme dhe dyshime reciproke. Mendoj se të dyja palët, nëse duan bashkëpunim të sinqertë për ndryshime, duhet të qetësojnë forcat brenda tyre të cilat janë pengesë e marrëveshjes”, ka deklaruar Lepaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat