Vrasja e dëshmitarit të Tribunalit – flasin nga Gjykata Speciale

Politika

Vrasja e dëshmitarit të Tribunalit – flasin nga Gjykata Speciale

Më: 15 janar 2020 Në ora: 20:12
Selia e Gjykatës Speciale

Gruaja e të ndjerit Nazmi Rrustemi, ka thënë se para tre muajve ai ishte intervistuar nga hetues të EULEX-it në cilësinë e dëshmitarit. Madje bashkëshortja Elmaze Rrustemi ka thënë se gjatë luftës Nazmiu ishte marrë peng nga UÇK-ja.

“Ka thanë më kanë thirrë në EULEX-i edhe u shku, kur erdh i thashë çka u bo?, tha sen, mirë është puna edhe kurgjo. Mbas mrami qytu në EULEX u kanë”, thotë gruaja e tij.

Për “Bota sot”, nga Gjykata Speciale kanë thënë se mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është një ndër prioritetet më madhore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, derisa për rastin në fjalë kanë thënë se nuk i komentojnë spekulimet e medieve.

“Mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve është një ndër prioritetet më madhore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Masat për mbrojtjen e dëshmitarëve janë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, dhe një një zyrë e posaçme garanton sigurinë, mbrojtjen dhe mirëqenien e dëshmitarëve para, gjatë dhe pas procesit gjyqësor”, kanë thënë nga Dhoma e Specializuar për Media në Kosovë.

Kurse, në pyetjen se si e komentojnë vrasjen e inspektorit të pyllit në Komunën e Prishtinës, Nazmi Rrustemi, për të cilin, u raportua se ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale, ata janë përgjigjur se nuk janë në gjendje që të komentojnë në këtë çështje.

“Nuk jemi në gjendje që të komentojmë në këtë çështje”, thuhet në përgjigjen elektronike nga Dhoma e Specializuara për Media në Kosovë.

Bennet: Siguria e dëshmitarëve është parësore

Edhe Chris Bennet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se siguria e dëshmitarëve për Gjykatën Speciale është parësore.

Ndërsa, sa i përket asaj se Nazmi Rrustemi ishte dëshmitari i Tribunalit Special, Bennet ka thënë se nuk i komenton spekulimet e medieve.

“Faleminderit për mesazhin tuaj. Siguria e dëshmitarëve ka përparësi për Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjithashtu, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton spekulimet e medieve”, ka deklaruar Chris Bennet.

Megjithatë bashkëshortja e të ndjerit kërkon nga organet e rendit që sa më shpejt ta zbardhin këtë rast.

“Shumë po shkon ngadalë, informata s’kena marrë sen deri tash, po qef kina pas me u kry kjo punë me dit qysh e tek po thonë kanale nihëre. Neve nuk na ka tregu sen, unë nuk di burri jem që ka pas problem sen e shteti duhet me ditë se ata merren me këto sene. Po kërkojmë që me u zbardhë qysh tek se na s’po dimë kurgjo as nuk ka thanë që jam rrokë me dikë, as hiç s’ka fol”, tha gruaja e të ndjerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat