Reçaku ende kullon gjak…

Politika

Reçaku ende kullon gjak…

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 15 janar 2020 Në ora: 22:16
Reçaku

Mëngjesi i 15 janarit e gdhiu Reçakun nën rrethim të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë. Nuk kursyen askënd, të ri e fëmijë, të tërbuar nga betejat e humbura me çlirimtarët në malet e Kosovës, korbat u vërsulën mbi fëmijët, pleqtë duke vrarë 45 civilë shqiptarë. Këtë mund të bëjë vetëm barbaria e Serbisë, që paturpësisht s`ka as ndërgjegjen minimale të pranoj një realitet që gjithë bota e di. Kjo ngjarje do të kthehet në njërën ndër krimet më çnjerëzore që kanë ndodhur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pas krimit barbarët serbë ishin munduar që të fshihnin ngjarjen sikur s`ka ndodhur asgjë,me tendenca maksimale për ta paraqitur si “vrasje e terroristëve”. Kjo propagandë e tyre edhe mund të ishte besuar qoftë pjesërisht nëse ish shefi i OSBE-së William Walker s`do të arrinte në kohë rekord në vendin e krimit. Tanimë miku i madh i shqiptarëve, mbi të gjitha zëri i të vërtetës z.Walker i trishtuar nga ajo që pa ngrihu sirenat e alarmit për krimin çnjerëzor që kishte ndodhur. Bota reagoi fuqishëm çka solli edhe bombardimet e NATO-s.

Edhe pas 21 viteve të kësaj ngjarje Serbia ende nuk ka reflektuar. Për më tepër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, masakrën e Reçakut e cilësoi fabrikim të shqiptarëve. Për një deklaratë të tillë një gjykatë në Kosovë e dënoi me dy vjet burg ish-ministrin në qeverinë e Kosovës Ivan Todosijeviq, nga lista “Srpska”, i cili në një tubim në veri të Mitrovicës, po ashtu masakrën e Reçakut e cilësoi trillim të shqiptarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.

“Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën gjë dhe unë e përsëris tani, krimin e fabrikuar në Reçak, ku gjithçka u falsifikua nga ai mashtrues me flokë të bardhë, William Walker”, deklaroi në Beograd Vuçiq. Kësaj deklarate në vigjilje të 21 vjetorit të masakrës së Reçakut i është kundërpërgjigjur vet Ish-ambasadori i OSBE-së, Wiliam Walker i cili ia ka kërkuar që presidenti serb të zgjohet, duke thënë se ai e di të vërtetën për atë se çka ka ndodhur gjatë luftës. “Nuk e di se ku bazohet ai. Më duket e çuditshme, se si 21 vjet pas flasin ende për mua në Beograd. Në ato mënyra më ka përshkruar edhe Millosheviq. Por, 21 vjet pas, presidenti i Serbisë ende të flasë ashtu… ai e di të vërtetën që ndodhi Reçak. Besoj se ishte ministër i informimit apo diçka e tillë në kohën e Millosheviqit. Pra, ai është politikan i llojit të Millosheviqit”, thotë Walker. I njëjti tutje, ka ironizuar me Vuçiqin, duke e krahasuar atë me njerëzit që besojnë se toka është e rrafshët. “Ka njerëz në këtë botë, që përkundër të gjitha provave apo shkencës, besojnë që toka është e rrafshët. Ne ishim në Hënë dhe pastaj filluan të dyshojnë se ne kemi shkuar atje. Ky për mua është Vuçiq”. Këtë deklarata tregojnë shumë mirë se kush është Vuçiqi i cili me Hashimin dhe Edi Ramën bënin pazare për të shitur vendin tonë. Edhe vet presidenti serb si dhe krejt bota e dinë të vërtetën e kësaj ngjarje, e cila ende kullon gjak. Duhet theksuar atë që edhe miku ynë Walker deklaroi se “Ai ishte pjesë e komandës” duke aluduar në Vuçiqin, dhe këtë nuk duhet të harroj askush që do të shkojë të bisedojë në Bruksel, s’duhet të harroj se Vuçiqi ishte pjesë e qeverisë së Millosheviçit.

Reçaku është e vërteta e Serbisë, dhe cilido shqiptar nga Kosova që duhet të shkoj në bisedime me Serbinë së pari duhet të kujtoj Reçakun, ato atë që z. Walker e cilëson “një akt makabër nga forcat Serbe”.

Gjaku i fëmijëve të kësaj masakre, por edhe të të tjerave, duhet të jetë zëdhënës i ecjes tonë përpara. Nuk duhet të hakmerremi por as të harrojmë, gjaku nuk humbet kurrë !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat