Presidenti Thaçi duhet t`i dijë kufijtë e vet Kushtetues - Bota Sot
Presidenti Thaçi duhet t`i dijë kufijtë e vet Kushtetues

Politika

Presidenti Thaçi duhet t`i dijë kufijtë e vet Kushtetues

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 15 janar 2020 Në ora: 22:24
Hashim Thaçi

Lëvizja Vetëvendosje ka konstatuar se presidenti i vendit Hashim Thaçi po bën ndërhyrje dhe paragjykim në insistimin e emrit të mandatarit për kryeministër.

Edhe njohësit e çështjeve juridike dhe politike kanë shpjeguar se një ndikim i presidentit Thaçi në këtë çështje nuk duket i drejtë dhe shumë pengues në këtë proces, derisa ultimatumet e presidentit karshi Albin Kurtit janë antikushtetuese.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i është përgjigjur letrës së Presidentit Thaçi, duke thënë se i njëjti është i pa durueshëm sa i përket marrëveshjes në mes VV-së dhe LDK-së dhe në një farë mënyre  po mundohet të ndikojë edhe përkundër asaj që nuk ka të drejtë të ndërhyjë për formimin e qeverisë.

Albin Kurti ka kërkuar nga presidenti Thaçi që të mos ndikojë e imponojë krijimin e qeverisë, mirëpo, të durojë dhe të presë.

Kurti në letrën e tij, i ka thënë Thaçit se Kushtetuta e vendit nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në krijimin e mandatarit, mirëpo shton se presidenti duhet ta bëjë këtë në mënyrë neutrale.

Në fund, Kurti e ka lajmëruar Thaçin se janë afër arritjes së marrëveshjes me LDK dhe se duhet të tregohet më i durueshëm.

“Përgjigja e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, letrës së 10 janarit 2020 të Presidentit të Kosovës”, shkruan Lëvizja Vetëvendosje, derisa ka publikuar edhe letrën e Kurtit drejtuar presidentit Hashim Thaçi.

Në lidhje më trysninë e presidentit ndaj Vetëvendosjes, zyrtarë të kësaj partie nuk kanë dashur të flasin më shumë se sa që është thënë në letrën e Albin Kurtit drejtuar Hashim Thaçit.

Se a ka të drejtë presidenti i vendit Hashim Thaçi me kërkesat e tij ndaj vetëvendosjes apo kjo e fundit po tregohet jo respektuese ndaj presidencës, për gazetën “Bota sot”, kanë folur analistët politikë.

Abdullahu: Vonesat arsyetojnë ndërhyrjen e Presidentit

Analisti politik Faton Abdullahu, ka shpjeguar për “Bota Sot” se ligji apo thënë më saktë ‘zbrazëtia ligjore’ në rastin konkret nuk është në favor të përshpejtimit të këtij procesi tashmë të ngecur. Kjo po shfrytëzohet ngeshëm nga LV dhe LDK, të cilat po mundohen të fitojnë në tavolinë atë që nuk e kanë fituar në kutitë e votimit.

Image
Faton Abdullahu

“Sikur të mos kishte vonesa në krijimin e qeverisë çdo involvim i Presidentit do të ishte i padrejtë, për më shumë edhe pengues në këtë proces. Mirëpo është konstatim i përgjithshëm se LV dhe LDK po vonohen dhe atë pajustifikueshëm për ta bërë qeverinë. Për fat të keq ligji apo thënë më saktë ‘zbrazëtia ligjore’ në rastin konkret nuk është në favor të përshpejtimit të këtij procesi tashmë të ngecur. Kjo po shfrytëzohet ngeshëm nga LV dhe LDK të cilat po mundohen të fitojnë në tavolinë atë që nuk e kanë fituar në kutitë e votimit. Sikur të kishte afatizime konkrete në këtë drejtim LV dhe LDK ose do e bënin qeverinë ose do ja dorëzonin këtë mundësi dikujt tjetër apo do e kthenin përsëri krejt procesin nga e para tek votuesi” ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, presidenti në bashkëpunim me deputetët e Kuvendit të Kosovës Gjykatës Kushtetuese por edhe ambasadorit Kosnet të kërkojnë rrugë e procedura për ta zhbllokuar situatën.

“Thënë përmbledhtazi për shkak të vonesave të pajustifikueshme në njërën anë dhe për shkak të dëmeve të vazhdueshme që i shkaktohen vendit tonë brenda periudhës në të cilën nuk konstituohet qeveria në anën tjetër duhet që Presidenti në bashkëpunim me deputetët e Kuvendit të Kosovës Gjykatës Kushtetuese, por edhe ambasadorit Kosnet të kërkojnë rrugë e procedura për ta zhbllokuar situatën. Kështu më nuk mund të vazhdohet” ka thënë analisti politik Faton Abdullahu.

Burjani: Pa arritjen e marrëveshjes, Presidenti humbë kohë kot

Kurse, sipas njohësit të çështjeve juridike Blerim Burjani presidenti Hashim Thaçi, nuk duhet të jep ultimatume pasi që kërkesat e ultimatumet e tilla janë antikushtetuese.

“Presidenti mund të kërkojë, por pa u arritur ndonjë koalicion ai veç humb kohë kot. Me ultimatume nuk arrihet asgjë, ato janë kundër kushtetuese mund të kërkojë por Kushtetuta jonë nuk parasheh asgjë në ketë gjendje të caktuar që mbretëron pra mund të bëjë presion por pa bazë kushtetuese, andaj me inate nuk duhet vepruar” ka thënë Burjani.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, Kushtetuta e Republikës se Kosovës ka shumë të meta andaj edhe nuk ka afate kohore për themelim të institucioneve.

“Pa u arritur një koalicion nuk ka çka thërret partin fituese, ai tash duhet te qëndroj sepse nuk ka afat kohor për të themeluar institucione kjo është e metë e kësaj kushtetute. Presidenti Hashim Thaçi duhet të luaj rolin e vet kushtetues që ka qe ka dhe të qëndroj përballë partive që duhet të themelojnë koalicione pra nuk duhet nxituar dhe nuk ka nevojë të të bëjë presione antikushtetuese” ka thënë për “ Bota Sot” Blerim Burjani.

Mulliqi: Më së miri do të ishte formimi i një Qeverie të Ekspertëve

Kurse, analisti politik Skënder Mulliqi, ka thënë se kështu siç po shkojnë punët më shumë së tre muaj “ngre e mos këput” për formimin e Qeverisë ndërmjet LDK dhe LVV, vendi mund të futet në kriza të llojllojshme, më mundësi të eskalimit të situatës për të keq, që kjo nuk i duhet askujt.

Image
Skënder Mulliqi

 

“Pas takimit këshillues si u quajt takimi i Kurtit më Thaçin, ky i fundit në formë ultimative i kishte dhënë afat liderit të VV , Albin Kurtit që ta cakton mandatarin për formimin e qeverisë. LVV nga ana e saj reagoi duke thënë së "ultimatumi nuk ka bazë kushtetuese", dhe nuk ka bazë me efekte juridike. LVV ka njoftuar së këtë mërkurë do të bëjë propozimin e mandatarit pranë zyrës së Thaçit, por që nuk e ka përfillë 48 orëshin e caktuar paraprakisht nga presidenti. Prandaj kushtetuta e vendit nuk e parasheh së sa gjatë duhet të presë presidenti për propozimin e kandidatit për kryeministër”, ka thënë analisti politik Mulliqi.

Ai ka thënë se, sikur gjithçka të shkonte në rrugën ligjore deri me sot , edhe kjo e konstituimit të organeve te reja , nuk do të kishim ardhur në një situatë gati kaotike dhe nuk do të kishim bërë punë as opstrukcionet politike.

“Ruajtja e interesave ta ngushta të disa personave të partnereve të koalicionit, por edhe të tjerëve pa dyshim, janë më duket mua indikatorët kryesor të gjithë kësaj zhagitje. Prodhimi i krizave permanente institucionale nuk përkon më rregullat demokratike të lojës. Për të sqaruar më gjasë presidenca do ti drejtohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese. Kështu është deklaruar presidenca më shkrim për media, duke potencuar së presidenti ka të drejtë kushtetuese që të marr hapat e nevojshëm që dalin nga detyrat e tij. Sido që të jetë , e gjithë kjo çka po ndodhë , nuk përkon më rregullat demokratike të lojës. LVV dhe LDK , nuk po e arsyetojnë votën për ndryshime aq të pritshme”, ka thënë analisti politik Mulliqi.

Sipas tij, qytetarët nuk votuan për lojëra të tilla pas brengosja e tyre pas gjithë kësaj është e logjikshme.

“Zgjedhjet e reja do të hapin dilema të reja, së për kënd të votohet, kur vota e sovranit nuk u respektua deri më sot, dhe as në këto zgjedhje të shpresës si u quajtën nga shumica. Qytetaret e kanë humbur besimin në këtë klasë politike. Edhe nëse formohet qeveria në çastet e fundit midis LVV dhe LDK, këto divergjenca të paraqitura tash, do të reflektojnë edhe gjate qeverisjes dhe do te ndikojnë shumë që mos ti shkohet deri në fund të mandatit. Nëse ndodhë që mos të mos merren vesh LVV dhe LDK, më së miri do të ishte formimi i një Qeverie të Ekspertëve , ku sipas meje do të ishte zgjidhja më i mirë, si para përgatitje për reformën aq të nevojshme zgjedhore, deri në caktimin e datës së mbajtës së zgjedhjeve te reja. Varianti që partitë jo fituese ta bëjnë Qeverinë, është vazhdim i politikave dhe praktikave te vjetra të qeverisjes me vendin”, ka thënë analisti politik Skender Mulliqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat