Familja Imeri i reagon Driton Sylejmanit dhe zbulojnë detaje të reja: Publikoni videokasetat që Agroni me shokë i ka bërë gjatë aksioneve...

Politika

Familja Imeri i reagon Driton Sylejmanit dhe zbulojnë detaje të reja: Publikoni videokasetat që Agroni me shokë i ka bërë gjatë aksioneve...

Nga: N.Sh Më: 16 janar 2020 Në ora: 17:04
Haki Imeri dhe Driton Sylejmani

Familja e gjerë e Haki Imerit, me një komunikatë ka reaguar ashpër ndaj spekulimeve siç i quajnë ata që po bëhen në emrin e Imer Imerit.

Kjo familje, ka reaguar edhe ndaj vëllait të Agron Sylejmanit, Dritonit.

Duke folur për rastin e Haki Imerit, Dritoni u kishte bërë thirrje udhëheqësve të Zonës se Drenicës qe të tregojnë hapur kush qëndron prapa vrasjeve.

Gazeta “Bota sot”, ka siguruar këtë komunikatë të familjes, së veprimtarit të shquar të LDK-së, i vrarë menjëherë pas luftës, ku edhe shënoi vrasjen e parë politike në Kosovë.

“Para disa ditësh është lakuar emri i vëllait, babës, axhës dhe gjyshit tone Imer Imeri në disa portale prandaj edhe po reagojmë me shkas. Të gjithë ata që spekulojnë dhe shpifin për familjarin tonë, janë mbetje kriminale, në një formë ose tjetër. Vëllai i vrasësit serik A. Sulejmani mori një detyrë të rendë ditë me parë  duke avokatuar për vëllain e  tij me dhjetëra precedentë kriminale. Ai është vrarë nga policia e Kosovës dhe UNMIK-ut duke qenë i involvuar në trazirat e marsit që Kosovës i kushtuan shumë si në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar. Madje në atë shkëmbim zjarri mbeten të vrarë edhe dy ose me tepër zyrtar policie e një përkthyes të cilët ishin target i Agronit dhe bandës se tij”, thotë kjo familje në reagim.

Sipas tyre, ata që i pengon liria e Kosovës janë vetëm bashkëpunëtorët e Beogradit kjo është dëshmuar disa herë pasluftës. 

“Tani qe D. S. të ngrehë supozime e shpifje për gjëra që as nuk i din as nuk i njeh është e kuptueshme kur dihet se vëlla i kujt është.  Dihet botërisht se biografia e A. S është mjaft e pasur në aspektin kriminal . Në Gjermani e vende tjera të BE gjurmët e tij kriminale janë evidentuara zyrtarisht. Tashmë ekzistojnë dëshmi në të gjitha databazat e policisë kriminale gjermane, e policisë se UNMIK-ut, policisë së Kosovës se historia e tij kriminale është e ngjeshur dhe është perfeksionuar gjatë e pas luftës në Kosovë, duke vrarë persona me ndikim politik për llogari të të atyre që sot po e dekonspirojnë veprimtarinë e A.S. Faktet janë të pamëshirshme  ato shpërthejnë herdokur si kanë shpërthyer edhe tani si vullkan”, thuhet tutje në reagim.

Sipas familjes Imeri, D.S. tenton ta mbron vëllain ngase ashtu mendon se mbron aktivitetin e tij kriminal dhe antishqiptar.

“Kjo është e kotë dhe këtë nuk mund ta bëjë askush e le me D.. Agroni ka qenë vegël -kriminale, i cili sipas të dhënave dhe dëshmive  të hetuesve ndërkombëtar dhe atyre tanëve është i pari në listën e atyre që krimin, vrasjen e ka pas zeje dhe nga kjo zeje ka përfituar shume, madje ka përfituar edhe një shtëpi të cilën ti Driton e mban në mënyrë ilagale. Nuk është e jotja”, potencon familja Imeri.

Ata shprehen se, vrasjet e shumta politike në kohën e pasluftës janë një varrë e thellë e cila duhet të shërohet dhe këtë vragë e shëron vetëm Gjykata Speciale.

“Është shumë e kuptueshme pse po i pengon heroi Haki Imeri disa zuzarëve dhe batakëve kriminal që provojnë të shpëtojnë vetveten duke bërë akuza të pabaza kundër vëllait, Babës dhe Gjyshit tonë. Kjo nuk do tu ndihmon juve vëllezërve të krimit, kjo tregon se as ju nuk jeni penduar për krimet që i kanë bërë ndaj nesh vëllezërit dhe shokët tuaj. Historia u trajton ashtu siç jeni, jo ashtu siç dëshironi ju. Ne vend se merresh me përfolje pse nuk i dorëzon në Polici tri videokaseta të cilat Agroni me shokë gjatë akteve kriminale i kanë filmuar aktet e llahtarshme kriminale gjatë procesit te ekzekutimit. Këtë metode e kanë bërë me qëllim që pas vrasjes të jene ose heronj ose të shantazhojnë urdhërdhënësit siç edhe shpesh bëni tani... Këto informacione i kanë dhënë anëtarë te grupit kriminal që i takonte edhe vëllai i juaj”, thekson në letër.

Aty thuhet se, mospendimi është vazhdimësi e një mentaliteti kriminal dhe e një kataklizme shpirtërore e cila u ka ngulfatur.

“DMTH gjaku nuk po u len të ecni përpara dhe e vërteta po u penguaka. Sidoqoftë shërbëtoret e krimit që e dejonizojnë viktimen dhe qëndisin vrasësin me epitete pafajësie edhe ata nuk janë gjë tjetër pos vazhdimësi kriminale ose bashkëpunëtor të ish vrasëseve të cilët disa janë të vrarë disa janë në burgje ka edhe nga ata që akoma janë në liri...! Kemi informacione të sakta për vendqëndrimin e Agron Sulejmanit me bandën e tij para se të vritej vëllai i jonë nuk kemi dilema se ai është pjesëtar në këtë krim siç nuk kemi dilema se drejtësia po vjen. Kuptohet informacionet të tilla tash janë bërë publike nga vet shokët e tij. Tani e dimë gjithë skenarin e vrasjes së më të dashurit tonë. Gjykata Speciale edhe urdhërdhënësve edhe vrasësve do të ua jap një përgjigje të merituar. Muska u është çjerre, krrokamat për shfajësime nuk u shërbejnë më”, vazhdon letra.

Në letër thuhet se nuk e ka lehtë as Dritoni.

“Dorën në zemër nuk e kë lehtë të jesh vëlla i një personi mbi të cilin rendojnë aq shumë krime, faje, aq shumë dyshime me fakte tashme zyrtare dhe jo zyrtare. Është vështirë të përballosh një mal akuzash për të cilat dikush duhet të përgjigjet. Edhe vrasësit edhe urdhërdhënësit do të përgjigjen për këto krime makbre me motiv puro politik. Vëllai, Baba dhe Axha i jonë është shpall tri herë hero nga Presidenti Rugova, nga Presidenti Nishani dhe nga Presidenti Thaçi, d.m.th tash edhe pista e hetimeve është më e lehtë për drejtësinë. Me këto veprime të tre Presidenteve është vulosur tradhtia e atyre që kanë dhënë urdhër për vrasjet politike dhe e vrasësve njëkohësisht”.

“Korit të hamendësimeve dhe akuzave të pabaza,  shpifjeve ordinere i është bashkangjitur edhe një gazetar (mercenar) nga Prizereni i cili menjëherë pas vrasjes se vëllait tonë mori gjithë informacionin nga kryefamiljari i jonë Imer Imeri për të shkruar për rastin. Jo qe nuk publikoj kurrë për rastin tragjik të vëllait tonë, por ato informacione më vonë kemi marre vesh se ia ka dorëzuar parapolitikës, SHIK-ut. Më ne fund kontaktuam gazetarin Bajrush Morina dhe ai pat shkruar disa ditë për rastin tonë.  Atëherë nuk ishte e lehtë të shkruaje për një rast si ky i joni. R. K.  më sa mësuam më vonë ua kishte dërguar kanaleve të veta të nëntokës me qëllim që mercenarizmi i tij të jetë më i begatshëm. R. K. ka mbet peng i renegatizmit të vet, një gjendje e tillë mendore është për keqardhje. Ishalla i ndihmon Burdushi”, përfundon letra e siguruar nga gazeta “Bota sot” e familjes së Imer Imerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat