Vrasja politike e Smajl Hajdarajt, krim i organizuar i nivelit të lartë

Politika

Vrasja politike e Smajl Hajdarajt, krim i organizuar i nivelit të lartë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 17 janar 2020 Në ora: 08:40
Smajl Hajdaraj

Ende pa drejtësi. Tashmë janë bërë 18 vite që nga vrasja e ish deputetit të Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike të Kosovës, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë, Smajl Hajdaraj.

Smajl Hajdaraj, u vra gjatë atentatit të 17 janarit të 2002-tës, pran banesës së tij në Pejë.

Edhe pse tashmë kanë kaluar 18 vite vrasja e tij ende nuk është zbardhur.  Përgjatë këtyre viteve ka pasura akuza të vazhdueshme për vrasjen, por asnjëri nga këta persona të cilët janë akuzuar nuk është futur prapa grilave. Gjatë këtyre viteve, janë bërë deklarata të ndryshme se kush e urdhëroi vrasjen e komandantit? kush pagoi për vrasjen e tij?, por këto kanë mbetur vetëm fjalë “boshe”.

Lidhur me këtë vrasje gazeta “Bota sot”, ka tentuar që të marr informacione nga Prokuroria e shtetit, por ata nuk janë përgjigjur. 

Një shpresë e re për zbardhjen e vrasjes së Smajl Hajdarajt është Gjykata Speciale.

Nga familja e  tij, shprehen se vrasja nuk është zbardhur pasi motivi i vrasjes së tij është kryekëput politik.

Hajdaraj: 18 vite padrejtësi është tepër

Image
Shpëtim Hajdaraj

Shpëtim Hajdaraj, djali i deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se nuk e kanë pasur borxh këtë padrejtësi, pasi që familjarët e tyre kanë luftuar për këtë shtet.

“Me 17 janar 2020 bëhen hiq ma pak se 18 vite që nga vrasja e babait tim, dhe përpos dhimbjes që e kemi, nuk kemi as drejtësi. 18 vite padrejtësi është tepër. As babai e as ne nuk ja patëm borxh këtij vendi këtë padrejtësi. Përkundrazi të parët tanë edhe Smajli ka punuar e luftuar shumë për këtë Shtet”, ka thënë ai për “Bota sot”.

“Unë kam qenë student kur ka ndodhë krimi , kam qenë 24 vjeçar. Babain përpos si familjar të mirë, e njoh fillimisht si inxhinier të mirë, një kohë ka punuar edhe si profesor i matematikës në Shkollën teknike. Në vitin 1990 e kanë larguar nga puna kur u aplikuan masat e dhunshme nga regjimi serb, si profesionist që punonte në Korporatën Energjetike të Kosovës. Pastaj inkuadrohet në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe deri në ditën që u vra ka qenë anëtar i saj. Në vitin 1996 zgjedhet kryetar i Nëndegës së LDK-së për Rugovë, në vitin 1998 i bashkohet luftës çlirimtare dhe zgjedhet komandant i Shtabit Rajonal të UÇK-së për Rugovë. Pas lufte kthehet në vendin e tij të punës ku u largua me dhunë, dhe e vazhdon aktivitetin politik në LDK si kryetar i nëndegës Rugova. Është marr shumë edhe me aktivitete sportive, ka qenë edhe kryetar i Lojërave Tradicionale të Rugovës , po ashtu edhe kryetar i klubit volejbollistik “Rugova”. Kjo është një biografi e shkurtër e Smajl Hajdarajt. Në zgjedhjet e para parlamentare zgjedhet Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Shpëtim Hajdaraj.

Vrasja është e organizuar nga kundërshtarët politik

Për më tepër, Shpëtimi ka potencuar se babai i tij është vrarë në cilësinë e deputetit, dhe për rastin e tij nuk janë bërë hetime serioze, pasi që janë të përfshirë shumë njerëz në mënyrë hierarkike.

“Pra, me 17 janar 2002 , u vra në cilësinë e Deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në shumë cilësi tjera. Që nga ajo ditë e deri më sot, madje as nuk ka hetime serioze.

Që nga dita e parë e vrasjes , e deri më sot (18 vite) nuk ka pistë të re apo të vjetër të hetimeve, përpos se vrasja është e organizuar nga kundërshtarët politik dhe motivi i vrasjes është kryekëput politik. Për këtë arsye nuk ka zbardhje deri më sot, sepse janë të përfshirë shumë njerëz në mënyrë hierarkike. Kemi të bëjmë me krim të organizuar të nivelit të lartë , dhe siç po shihet janë me të 'fuqishëm' se Shteti, fatkeqësisht”, ka potencuar Shpëtimi, djali i Smajl Hajdarajt.

Zogaj: Vrasësit e tij po arrijnë të mos e lejojnë zbardhjen e vrasjes

Image
Skënder Zogaj

-Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj ka thënë për “Bota sot” se vrasja e veprimtarëve janë plaga më e hidhur që e mbanë në dhembje të thellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Vrasjet e bijve dhe bijave të shquara si veprimtarë të paepur për çlirimin e vendit dhe shtetëndërtimin institucional, nuk ka dyshim se janë plaga më e hidhur që e mbanë në dhembje të thellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe, e mbanë peng perspektivën e vendit tonë, që nuk do të mund të realizohet pa zbardhjen e vrasjeve politike dhe dënimin e atyre që i kanë urdhëruar!”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka thënë se deputeti Hajdarajt është vrarë nga plumbat e tradhtisë.

“A ka gjë më të kobshme se vrasja e Smajl Hajdarajt, deputetit të parlamentit demokratik të Kosovës, komandantit të UÇK-s dhe luftëtarit të radhëve të para të rezistencës së armatosur, intelektualit tribun popullor që në kohët më të vështira ka përfaqësua ballin e veprimtarive kundër okupatorit serb! Si të shpjegohet që një hero i vërtetë që përfaqësonte shpresën e dritës së lirisë, vritet në rrezet e para të çlirimit, nga plumbat e tradhtisë!”, është shprehur ai për “Bota sot”

Gjithashtu, Zogaj ka thënë se Gjykata Speciale e ka quajtur shpresë, e cila i vërtet sjellë drejtësi vendore.

“Kjo vrasje vazhdon të godas shpirtin e Smajl Hajdarajt qe 18 vjet, sepse, vrasësit e tij po arrijnë të mos e lejojnë zbardhjen e vrasjes, që është borxhi elementar i vlerës së lirisë! Drejtësia ka dështuar, jo vetëm për Smajl Hajdarajn! Gjykata Speciale padyshim që është shpresa por jo e vetmja, sepse, ngushëllimin e vërtetë e sjellë drejtësia vendore, kjo që ia ka borxh vuajtjeve tona të vërtetën e cila e shenjtëron lirinë dhe e forcon pavarësinë e shqiptarëve!”, ka thënë Zogaj për “Bota sot”.

Latifi: Shpresat tek Gjykata Speciale

Veprimtari i LDK-së në Zvicër,  Haki Latifi, në prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Heroi Smajl Hajdaraj do të kujtohet ndër breza në historinë e Kosovës, dhe se për mos zbardhjen e krimeve kanë përgjegjësi edhe shoqëria civile.

“Për fat të keq, edhe sot, pas 18 vjetësh nga vrasja e intelektualit, ish deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish Komandantit të Shtabit Rajonal të Rugovës, Smajl Hajdaraj dhe të vrasjeve të tjera me motive politike, edhe gati dy dekada pas kryerjes së tyre kanë mbetur të pazbardhura nga drejtësia.

Kujtoj se një pjesë të përgjegjësisë gjatë këtyre viteve, e mbanë edhe shoqëria e Kosovës, e cila ka heshtur, ka qenë indiferente ndaj krimeve, nuk ka treguar kurajë civile për t’u ballafaquar me strukturat e errëta.

Për ndryshe, Heroi Smajl Hajdaraj, do të mbetet dhe kujtohet ndër breza në historinë e Kosovës, si burrë i madh me vepër heroike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai, nuk i mungon vetëm familjes, Ai i mungon Kosovës dhe shqiptarëve”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Latifi edhe më tej, ka thënë se Hajdaraj u vra nga hienat e natës dhe mos ndriçimi i kësaj vrasje iu shkon përshtati atyre që kanë sponsorizuar krimet edhe kriminelët.

“Për fat të keq, vargu i vrasjeve enigmatike, qoftë në radhët e LDK-së apo të UÇK-së është i gjatë, ashtu siç ishte edhe vrasja e ish deputetit Smajl Hajdaraj. Hienat e natës e vranë para derës së banesës së tij, në mënyrë barbare dhe qyqare, ashtu siç vranë të gjithë intelektualet, atdhetarët dhe ushtarakët e karrierës. 

Image
Haki Latifi

Mendoj se, është e kuptueshme, se mos ndriçimi i krimeve dhe lënia e lirë e kriminelëve, u shkon për shtati më së shumti atyre që i kanë sponsorizuar krimet dhe kriminelët.

Dihet botërisht, se kjo vrasje dhe të tjerat si këto, janë bërë nga armiqtë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Fatkeqësisht për vrasjet politike nuk është bërë thuaja asgjë nga cilado qeveri. Është vërtetë e papranueshme që drejtësia e Kosovës të mos jetë në gjendje të ndriçojë së paku një numër të tyre. Kjo është edhe arsyeja pse Kosovës iu imponua një Gjykate Speciale”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Latifi ka potencuar se shpresat e familjarëve të të vrarëve janë tek Gjykata Speciale dhe se beson që kjo do të jetë mundësia e fundit për drejtësi.

“Tash me të drejtë shpresat e familjarëve e të vrarëve dhe të qytetarëve të Kosovës janë tek Gjykata Speciale, se më në fund, ata që janë fajtorë për vrasjet e më të dashurve të tyre do të dalin para drejtësisë, pasi që lajme të mira nuk morën asnjëherë nga drejtësia vendore. Unë besoj që kjo Gjykatë Speciale, që ndoshta mund të jetë mundësia e fundit për drejtësi, do të  trajtojë edhe krimet e shumta që kishin ndodhur gjatë e pasluftës, e që ishin kryesisht bashkëpunëtorë që kishin lidhje të ngushta me LDK-në dhe që punonin për funksionimin e institucioneve të Kosovës dhe nderonin institucionin e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Shumica e atdhetarëve, intelektualeve, ushtarakëve dhe përfaqësuesve të popullit, të cilët u vranë apo u plagosën në sulme gjatë kësaj periudhe, ishin pjesë aktive edhe e institucioneve ushtarake të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

A ka mbetur një dozë morali në drejtësinë tonë se për politikë mos të flasim?

Në fund, Latifi ka thënë se ish deputeti dhe Komandanti Smajl Hajdaraj, do të kujtohet brez pas brezi për besë e burrëri, për sakrificë e patriotizëm, për guxim e vendosmëri, për qëndresë dhe atdhedashuri.

“Do të kujtohet për ndjenjën e krenarisë që do ta kemi më të fuqishme për punën e Tij të çmuar për vendin, Kosovën tonë të dashtun.

I ndjeri Smajl Hajdaraj dhe atdhetarët t’jerë të vrarë në pusi kusarësh, piratësh, kodoshësh e tradhtarësh, u vranë për të shtruar rrugën drejt marrjes së pushtetit. Dhe nëse analizohet pse u vranë të gjithë ata politikanë pas lufte dhe pjesë e cilës parti ishin atëherë mund të kuptohet pse nuk u vënë para drejtësisë dorasit.

Është e çuditshme sa shumë flasin dhe sa shumë dinë politikanët, gazetarët, prokurorët e analistët për këto vrasje – madje lakojnë edhe emra deri të policëve e deputetëve, sipas tyre, të përfshirë në këto vrasje – por është gjyqësia ajo që heshtë; ajo assesi nuk po arrin t’i arrestojë ata që dhanë urdhra për këto ekzekutime.

Dhe shtrohet pyetja: A ka mbetur një dozë morali në drejtësinë tonë se për politikë mos të flasim? A ka një dozë të asaj që njihet si përgjegjësi institucionale juridike, Mbase familjarët presin të dëshpëruar në zbardhjen e këtyre rasteve dhe dënimin e kriminelëve. Është gjyqësia ajo që duhet ta bëjë këtë!”, ka përfunduar Latifi ka përfunduar “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat