Djali i Smajl Hajdarajt: Vrasja e babait është e organizuar nga kundërshtarët politik

Politika

Djali i Smajl Hajdarajt: Vrasja e babait është e organizuar nga kundërshtarët politik

Nga: A.M. Më: 17 janar 2020 Në ora: 17:02
Shpëtim Hajdaraj

Shpëtim Hajdaraj, djali i deputetit të vrarë të LDK-së, Smajl Hajdaraj, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se nuk e kanë pasur borxh këtë padrejtësi, pasi që familjarët e tyre kanë luftuar për këtë shtet.

“Me 17 janar 2020 bëhen hiq ma pak se 18 vite që nga vrasja e babait tim, dhe përpos dhimbjes që e kemi, nuk kemi as drejtësi. 18 vite padrejtësi është tepër. As babai e as ne nuk ja patëm borxh këtij vendi këtë padrejtësi. Përkundrazi të parët tanë edhe Smajli ka punuar e luftuar shumë për këtë Shtet”, ka thënë ai për “Bota sot”.

“Unë kam qenë student kur ka ndodhë krimi , kam qenë 24 vjeçar. Babain përpos si familjar të mirë, e njoh fillimisht si inxhinier të mirë, një kohë ka punuar edhe si profesor i matematikës në Shkollën teknike. Në vitin 1990 e kanë larguar nga puna kur u aplikuan masat e dhunshme nga regjimi serb, si profesionist që punonte në Korporatën Energjetike të Kosovës. Pastaj inkuadrohet në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe deri në ditën që u vra ka qenë anëtar i saj. Në vitin 1996 zgjedhet kryetar i Nëndegës së LDK-së për Rugovë, në vitin 1998 i bashkohet luftës çlirimtare dhe zgjedhet komandant i Shtabit Rajonal të UÇK-së për Rugovë. Pas lufte kthehet në vendin e tij të punës ku u largua me dhunë, dhe e vazhdon aktivitetin politik në LDK si kryetar i nëndegës Rugova. Është marr shumë edhe me aktivitete sportive, ka qenë edhe kryetar i Lojërave Tradicionale të Rugovës , po ashtu edhe kryetar i klubit volejbollistik “Rugova”. Kjo është një biografi e shkurtër e Smajl Hajdarajt. Në zgjedhjet e para parlamentare zgjedhet Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Shpëtim Hajdaraj.

Vrasja është e organizuar nga kundërshtarët politik

Për më tepër, Shpëtimi ka potencuar se babai i tij është vrarë në cilësinë e deputetit, dhe për rastin e tij nuk janë bërë hetime serioze, pasi që janë të përfshirë shumë njerëz në mënyrë hierarkike.

“Pra, me 17 janar 2002 , u vra në cilësinë e Deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në shumë cilësi tjera. Që nga ajo ditë e deri më sot, madje as nuk ka hetime serioze.

Që nga dita e parë e vrasjes , e deri më sot (18 vite) nuk ka pistë të re apo të vjetër të hetimeve, përpos se vrasja është e organizuar nga kundërshtarët politik dhe motivi i vrasjes është kryekëput politik. Për këtë arsye nuk ka zbardhje deri më sot, sepse janë të përfshirë shumë njerëz në mënyrë hierarkike. Kemi të bëjmë me krim të organizuar të nivelit të lartë , dhe siç po shihet janë me të 'fuqishëm' se Shteti, fatkeqësisht”, ka potencuar Shpëtimi, djali i Smajl Hajdarajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat