Mësoni gjithçka për “Syrin e Popullit” dhe “listën e vrasjeve”, ish-agjenti i SHIK-ut zbulon ‘të vërtetën’, kush e themeloi atë, kjo ishte arsyeja - Bota Sot
Mësoni gjithçka për “Syrin e Popullit” dhe “listën e vrasjeve”, ish-agjenti i SHIK-ut zbulon ‘të vërtetën’, kush e themeloi atë, kjo ishte arsyeja

Politika

Mësoni gjithçka për “Syrin e Popullit” dhe “listën e vrasjeve”, ish-agjenti i SHIK-ut zbulon ‘të vërtetën’, kush e themeloi atë, kjo ishte arsyeja

Nga: N.Sh Më: 17 janar 2020 Në ora: 17:00
Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka përfunduar seancën për të akuzuarit në rastin e njohur “Syri i Popullit”.

Gjatë ditës së premte, ka përfunduar seanca përfundimtare në këtë rast ku të akuzuarit kanë dhënë fjalën e tyre përfundimtare.

Në këtë rast akuzohen Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Vendimi përfundimtar për të akuzuarit në fjalë do të shpallët të mërkurën në ora 09:30.

Thaçi: Kurti, Ramabaja e Konjufca qëndrojnë prapa “Syrit të Popullit”

Image
Hashim Thaçi

Gjatë këtyre seancave, kemi pas dëshmitarë që nga presidenti i Kosovës e deri tek individë të tjerë, por jo pak të rëndësishëm.

Akuza e kundër akuza kemi dëgjuar nga të akuzuarit e këtij rasti, por edhe nga presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në dëshmin e tij, kishte deklaruar se prapa organizatës “Syri i Popullit”, qëndron kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Sadri Ramabaja dhe Glauk Konjufca.

Ai këto komente i ka bërë në seancën gjyqësore ndaj rastit “Syri i Popullit”, ku ishte ftuar si dëshmitarë.

"Më herët kam pasur indikacione prej autoriteteve që prej nxitësve të miqve të Kosovës që kanë ardhur prej Serbisë ka pasur kanosje. Kanosje e vërtetë ka qenë prej organizatës "Syri i popullit". Jam informuar prej autoriteteve shtetërore, prej mekanizmave, ditë më parë para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasi. E kemi përjetu rëndë unë edhe familja ime. Po unë e njoh Sadri Ramabajën. Nuk e njoh Murat Jasharin, por kam dëgju për të. Mbrapa kësaj organizate qëndrojnë Sadria, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti. Për mua nuk ka qenë shqetësuese vlerësimi por kërcënimi dhe paralajmërimi për vrasje. Janë fjalë që i kam dëgjuar me veshët e mi, nga Glauk Konjurfca në një seancë në kuvend, që këta njerëz duhet me i vra, dhe pastaj ka ndodhur rasti”, kishte thënë Thaçi.

Ramabaja: Thaçi e Veseli krijoi “Syrin e Popullit”

Image
Sadri Ramabaja

Por ndryshe nga presidenti ka deklaruar Sadri Ramabaja.

Në fjalën e tij përfundimtare i akuzuari, Sadri Ramabaja ka deklaruar se një asnjë rrethanë nuk ka qenë pjesë e takimeve të organizatës “Syri i Popullit”.

Sipas tij, këtë organizatë e kanë krijuar Shërbimi Informativ i Kosovës, konkretisht presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

Ramabaja derisa dëshminë e presidentit të vendit, Hashim Thaçi e ka konsideruar si shpifje tha se ky proces po tregon se “shteti është kundër Vetëvendosjes”.

Ai tha se më së shumti e ka goditur heshtja e Lëvizjes Vetëvendosje karshi rastit të organizatës “Syri i Popullit” dhe akuzave ndaj anëtarit të tyre.

“Organizatën fiktive “Syri i Popullit” me gjasë reale e ka krijuar SHIK-u pra dyshja Thaçi-Veseli dhe bashkëpunëtorët e tyre që në Kosovë më shumë ndihen si klani Pronto . Intenca këmbëngulëse për të ta lidhur “Syrin e Popullit” me Vetëvendosjen shpjegon çdo gjë. Akuzat ndaj meje të dyshes Thaçi-Veseli  dhe të zgjeruara tashmë në gjykatë me këto të dhëna me shkrim tek prokurori nga ana e Thaçit  jo vetëm për mua por edhe për Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcen duke sjell si provë deklaratën e tipit banal  e kam dëgjuar vetë kur Albin Kurti i ka thënë  Glaukut se këta duhet eliminuar e dëshmojnë katërçipërisht pohimin e kahershëm të Dilaver Goxhait se Syri i Popullit është krijuar nga Kadri Veseli dhe vartësitë e tij të SHIK-ut. Procesi i montuar tërësisht  e ndërkohë i koduar edhe emri shteti kundër  “Syrit të Popullit, që në fakt po rezulton të jetë shteti kundër Vetëven dosjes dhe kundër meje. Intenca që ta lidhin me Vetëvendosjen tregon shumë. Organizatës ‘Syrit i Popullit’ i mungonte koka dhe klani Pronto përmes Prokurorisë Speciale ishte vënë në kërkim të kokës. Unë me bindjen time mbetem socialdemokrat ashtu besoj se do të mbetet edhe Vetëvendosje. Ndërsa ky proces i cili u tha se është shteti kundër ‘Syrit të Popullit’ më shumë po del të jetë si shteti kundër Vetëvendosjes”, tha në fjalën e tij përmbyllëse Ramabaja.

Jashari: Unë e bëra listën e vdekjes

Image
Murat Jashari

Avokati Asdren Bytyqi që përfaqëson të akuzuarin, Murat Jashari ka thënë se ekipi i ekspertëve të forenzikes të psikiatrisë ka rekomanduar që për shkak të situatës shëndetësore të trajtohet në shtetin e Zvicrës.

Megjithatë Jashari e pranon se “listën e vdekjes” e ka bërë ai, por që nuk ia ka dhënë askujt ta lexojë.

“Listën se kush duhet me u vra dhe varë e kam bërë unë. Askujt nuk ja kom jep me lexuar. I kam shkruar disa letra, këta në sallë nuk kanë pasur të bëjnë me planet e mija”, ka thënë ai.

Hoxha: “Syri i Popullit” ka pasur plan operativ

Image
Sylë Hoxha

Prokurori i rastit, Sylë Hoxha në fjalën e tij përfundimtare tha se shqyrtimet gjyqësore është vërtetuar se organizata “Syri i Popullit”, ka pasur një plan operativ për të vepruar në vrasjen e personaliteteve të larta shtetërore, për shkak se sipas tyre, kishin qenë tradhtar të luftës dhe votave të qytetarëve të Kosovës.

“Jemi të gjithë të bindur se organizata kriminale ‘Syri i Popullit’ ka pasur një plan operativ i ka caktuar njerëzit se si kanë me punua dhe veprua nuk është kontestua fakti se është marr vendim që të organizohet ky plan operativ me personalitet të sistemit të kaluar të sistemit aktual të komandantëve të luftës të cilët gjithnjë sipas plan program të kësaj organizate i kanë tradhtuar interesat e luftës dhe votave të popullit të Kosovës”, tha Hoxha.

Sipas tij, ka elemente që çojnë në mendimin se të akuzuarit kanë shtyrë dhe manipuluar Murat Jasharin për shkak të gjendjen së tij psikike. E për këtë Hoxha kërkoi nga gjykata që të akuzuarit Jashari, t’i shqiptojë masë të detyrueshme të trajtimit në psikiatri.

Miftari: “Syri i Popullit” u krijuar nga SHIK-u dhe AKI-ja

Image
Naim Miftari

Megjithatë, një deklaratë të fuqishme për krijimin e “Syrit të Popullit” e ka bërë edhe Naim Miftari.

Ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Policisë dhe ish-anëtari i SHIK-ut Naim Miftari pohon se, organizata e ashtuquajtur “Syri i Popullit” është krijuar nga AKI-ja dhe SHIK-u.

“Kjo organizatë është produkt 99% i AKI dhe SHIK-ut, duke shfrytëzuar njerëzit e zhgënjyer, njerëzit e varfër, mjerimin popullor por edhe duke shfrytëzuar njerëzit atdhetar nga familjet e dëshmorëve me probleme serioze shëndetësore”, thotë Miftari.

Ai thotë se, dëshmimi i presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit e tregojnë shumë qartë se ku ka qenë qëllimi.

“E qëllimi ka qenë që ta vulosin fatin e Murat Jasharit për gjithmonë pasi ky me disa letra publike i ka poshtëruar klanin e Rognerit dhe disa komandantë milioner. Personalisht unë e njoh atdhetarin Murat Jasharin, e kam takuar vet disa herë dhe baca Murat si njeri kush e njeh e din shumë mirë se nuk është i keq, nuk mundet asnjë milingone t`i bëj keq, e jo ti bëjë dikujt, por Muratit ju kanë afruar njerëz të presidentit afër. Secilin hap të Muratit e kanë ditur shumë mirë AKI-ja, së paku vitin e fundit para se ta arrestojnë”, pohon ai.

Miftari thekson se, qëllimi pos eliminimin e Murat Jasharit ishte edhe etiketimi i kundërshtarëve politik të partive politike, të cilat e kundërshtojnë PDK dhe kundërshtarëve të biznesit të nëntokës përmes SP.

“Kjo, kinse kanë formuar lista e të fusin njerëz vend e pa vend dhe përmes këtyre listave e përfitojnë kinse pushtetarët, akoma kinse ne ju shpëtuam nga SP plus listat e likuidimit, shumica janë bërë në Prishtinë nga Hashim Thaçi me bashkëpunëtor pasi së pakut dy bashkëpunëtor të AKI janë njëri kishe të akuzuar dhe njëri që është në procedurë truri i SP. Etiketimi nga Hashim Thaçi për LVV, kinse qëndron prapa “Syrit të Popullit” është i qëllimshëm dhe djallëzor, pasi Thaçi e din shumë mirë se po erdh në pushtet Albin Kurti do ta arrestonte menjëherë atë me bashkëpunëtor të vet për tradhti, krim të organizuar dhe si kreatorin dhe urdhëruesin e qindra vrasjeve në Kosovë”, pohon Miftari.

Ai shprehet se, deklarata e Veselit se AKI e kishte lajmëruar dy – tri ditë para se të plagosen Azem Vllasi, se mund të jetë cak i atentatit nuk është e vërtet pasi me muaj edhe ndoshta 1 vit më herët ka pasur informacione nga bashkëpunëtorët brenda të ashtuquajturit “Syri i Popullit”.

Pse AKI-ja nuk e lajmëroi Azem Vllasin?

Image
Azem Vllasi

“Këtu bëhet pyetja se pse Thaçi dhe Veseli paskan pas informacione të sakta nga AKI se do të ketë atentat kundër tyre, pse AKI nuk e lajmëroi edhe Azem Vllasin se po përgatitet vrasja kundër tij, apo Azemin e kanë pasur “mijush” të laboratorit të eksperimenteve që me një guri ti eliminojnë dy zogj. AKI me këto deklarata të Thaçit dhe Veselit po del se është agjenci private por jo agjenci shtetërore dhe pyetja që duhet me u zbërthye është se kush e futi në krye të listët Azem Vllasin i ndjekur dhe i dënuar politik nga Serbia, njeri që 38 vitet e fundit nuk kishte as fuqi ekzekutive por as fuqi politike kush e futi Azemin në krye të listës. E futi Murat Jashari, se besoj që e njeh, apo e futën në listë Hashim Thaçi me dostat e vet të “Syrit të Popullit” AKI dhe SHIK. “Syri i Popullit” është prodhim i pushtetit për me i qëruar  hesapet me konkurrentët dhe me i eliminua me ligj kundërshtaret politik dhe të biznesit, do të thotë parave të korrupsionit. Rreziku i madh i Kosovës vjen nga BIA serbe dhe GRU ruse ,dhe nga bandat e Hashim Thaçit”, përfundon Naim Miftari.

Miftari ka përmendur edhe disa sulme të koordinuara siç i quan ai.

“Sulmet e koordinuara me molotov kinse në zyrën e Hashim Thaçit si dhe sulmi me RPG në parlamentin e Kosovës në mes të qytetit sikurse rasti i vrasjes të Astrit  Deharit, por edhe rasti i “Syrit të Popullit”, plagosja e Azem Vllasit, listat kinse të vdekjes janë produkt i pushtetit dhe mbreti truri i këtyre konspiracioneve të stilit Stalinist është vet Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Adem Grabovci.... qëllimi kryesor ishte eliminimi i LVV ligjërisht dhe fiksimi i çdo kundërshtarit tjetër politik apo kundërshtarëve të bizneseve multi miliardëshe dhe nëse ndërrohet tani pushteti pas ca kohesh do të del e vërteta se kush është themeluesi i “Syrit të Popullit” e ai është vet pushteti i cili prodhon e trillon armiq e terroristë për t’i eliminua kundërshtarët dhe për të mbetur në pushtet me çdo çmim...:, përfundon Miftari.

Veseli: “Syri i Popullit” është “plehu i kombit”

Image
Kadri Veseli

Edhe Kadri Veseli kishte dëshmuar për “Syrin e Popullit”. Veseli i cili ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, ka varguar një numër akuzash në drejtim të tyre.

Veseli e kishte quajtur këtë organizatë si “plehu i kombit” ndërsa e lidhi atë edhe me një parti politike të Kosovës.

“Ky është krahu i armatosur i Vetëvendosjes”, kishte theksuar Veseli në gjykatë.

Duke folur për letrat të cilat ishin shkruar në emër të të akuzuarit kryesor, Murat Jashari, Veseli, emri i të cilit figuron në një listë të pretenduar të kësaj organizate për likuidim, kishte pohuar se Jashari nuk është autor i atyre letrave.

“Murati s’din me shkrujt, krejt ja ka shkrujt Sadri (Ramabaja). Sadrinë asnjëherë se kam pa, shkrimet i ka shkrujt ai”, tha Veseli.

Kurti e Konjufca padisin Thaçin e Veselin

Image
Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

E për deklaratat e Thaçit dhe Veselit kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti bashkë me Glauk Konjfuca kishin dorëzuar padi në Pallatin e Drejtësisë.

Ata kanë paditur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli se kanë shpifur në deklaratat e tyre në seancën e ‘Syrit të Popullit’.

Kurti ka thënë se Thaçi e Veseli dhanë deklarata të rreme, derisa ishin betuar për të thënë të vërtetat.

“Me rastin e kallëzimit penal, këtu në prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda kundër Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kundër kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Ne këtë kallëzim penal po e bëjmë sot duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme nën betim që këta dy i kanë bërë me datën 28 dhjetor të vitit të kaluar në procesin gjyqësorë, kundër të ashtuquajturit organizatë Syri i Popullit, me rastin e sublimit që kanë bërë këta dy krerë institucionesh kundër Glaukut, meje dhe Sadri Ramabajës. Ata kanë dhënë deklarata të rrejshme dhe këtë e kanë bërë nën betim prandaj ne po bëjmë sot kallëzim penal”, kishte thënë Kurti.

Kurse, Konjufca kishte theksuar se dyshja kanë shpifur me tendencën politike që përmes kontrollit të drejtësisë të luftojnë Vetëvendosjen, si përpjekje për ta eliminuar atë.

“Ata pretendojnë se jemi lidhur me një organizatë terroriste. Presidenti ka thënë dhe ka urdhëruar gjykatat që të zgjerojnë akuza në drejtim të Albinit dhe meje. Ai përmes sistemit të drejtësisë ka dashur të godas kundërshtarët politik”, kishte thënë Konjufca.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat