Mjaft është mjaft, formojeni qeverinë

Politika

Mjaft është mjaft, formojeni qeverinë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 18 janar 2020 Në ora: 17:09
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Ditët po shkojnë por koalicioni nuk po ndodh. Tanimë është bërë e zakonshme të hasësh në tituj të ndryshme në mediet elektronike për mundësitë që të ndodhë apo jo “koalicioni i shpresës”. E dhimbshme është që ky koalicion s`ka ndodhur për shumë arsye, pa anashkaluar entuziazmin e madh që mbretëronte tek qytetarët e vendit se më në fund e keqja u largua nga pushteti. Moti kohë s`kish ndodhur që të ekzistonte një eufori, gëzim dhe shpresë se ditë të mirë po vijnë, me dëshpërimin që ka filluar të kaplojë qytetarët. Këtë të fundit nga dëshpërimi s`do u mbetet rrugë tjetër përveç që të shohin të ardhmen jashtë Kosovës, një zgjidhje e detyruar dhe me pasojat e gjata për atdheun.

Iku edhe kjo javë e asgjë s`ka ndryshuar, së paku deri më sot, ndonëse gjasat teorike ekzistojnë, megjithatë janë komplikuar shumë gjërat, aq sa vështirë të ndodh një marrëveshje.

VV-LDK s`po mund të gjejnë gjuhën e përbashkët, PDK krekoset se dy partitë tjera VV-LDK s`po kanë guxim të marrin përgjegjësi, të cilët mund ta përdorin nëse shkohet në zgjedhje. Në bazë të disponim të qytetarëve, nëse shkohet në zgjedhje VV dhe LDK do të marrin më pak vota se tani, me qytetarët që pritët të dalin më pak në zgjedhje. Përtej kësaj, ajo që është më e pafalshme është të abortosh shpresat e një populli që kërkon ndryshim, kërkon dinjitet dhe të ardhme aty ku ka lindur.

Duke parë komplikimet që VV i ka bërë arritjes së marrëveshjes le për të nënkuptuar se z. Kurti nuk dëshiron që në këtë fazë të bëhet kryeministër, duke kërkuar alibi. Kjo është e kuptueshme duke pasur parasysh sfidat që e presin qeverinë dhe kryeministrin e ri, sidomos në bisedimet me Serbinë. Do të ishte më e kuptueshme edhe nga qytetarët që kjo t’i thuhet hapur, dhe të lëshoj rrugë e mos të bllokojë vendin që gjashtë muaj pa qeveri legjitime. Njëra ndër elementet kryesor të një politikani, mbi të gjitha njeriu, është të jetë i sinqertë,vetëm kështu arrin të ketë popullin pas vete. Pavarësisht se arrihet apo jo qeveria, disponimi i qytetarëve dhe mbështetja ndaj VV ka rënie të madhe, nga paaftësia e tyre për të marrë pushtetin, të cilin e kërkojnë që nga themelimi i tyre. Nuk ndodh askund në botë që partia fituese të heziton për të marrë pushtetin, së paku nuk kam ndonjë shembull të dëgjuar apo lexuar, për më tepër kur partneri yt kryesor s`po të kërkon postin e kryeministrit. Ky post është më kryesori në vendin tonë, në republikën tonë parlamentare, ku presidenti është post pa peshë të madhe. Në anën tjetër edhe LDK duhet të jetë unike në qëndrimet e saj, në mes të dy grupacioneve që kanë ashiqare qëndrime të ndryshme.

Derisa harmonizimi i programeve mes këtyre dy partive është arritur me sukses, mos dakordimi për ndarje të karrigeve është e pafalshme, për këto dy parti që thoshin se nuk na intereson pushteti por shteti. Dëshmojeni këtë gjë duke arritur marrëveshje, duke lënë anash interesat personale për hir të atyre të rënëve, edhe për hir të të gjallëve që nuk meritojnë të marrin rrugët e botës, duke lënë vendin e tyre. Andaj është koha për të dalë jashtë vetës, për të menduar edhe për të ardhmen, mos të mbesin në histori si figura të errëta që e varrosen atdheun tonë të përbashkët. Mjaft është mjaft, bëjeni qeverinë e filloni punën, tani sa nuk është vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat