Thaçi-stët brenda LVV-së dhe LDK-së po e pengojnë arritjen e koalicionit

Politika

Thaçi-stët brenda LVV-së dhe LDK-së po e pengojnë arritjen e koalicionit

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 20 janar 2020 Në ora: 15:51
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti, foto ilustrim nga "Bota sot"

Takimet e shumta, të ditëpërditshme e të javë përjavshme të zyrtarëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes, nuk sollën ndonjë rezultat konkret në raport me qeverinë e re.

Ata, si duket, nuk po arrijnë të merren vesh rreth ndarjes së përgjegjësive në qeverinë e re.

Sido që të jetë, siç çdo gjëje që iu vjen fundi, edhe pritshmërive për qeverinë e re, po ashtu duket se iu erdh.

Presidenti Thaçi, gjatë një konference të djeshme me ish-ambasadorin amerikan të OSBE-së, William Walker, tha se e ka nënshkruar emrin e Kurtit për mandatar të qeverisë, ndonëse partia e këtij të fundit nuk e ka dërguar emrin për mandatar. Ai tha se këtë e ka bërë pasi që, siç u shpreh, “kaloi një kohë e gjatë dhe njerëzit janë duke pritur, si qytetarët ashtu edhe partnerët ndërkombëtarë”.

“Unë si president i vendit, duke i parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë, duke menduar që do ta pranojë mandatarin, e kam nënshkruar nomonimin e Kurtit si kandidat për kryeministër. Ai nënshkrim është në tavolinën time dhe shpresoj që kjo nuk do të marrë kohë. Në rrethana të tjera, ai duhet ta deklarojë refuzimin”, ka thënë.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka folur për arsyet e mos arritjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje deri më tani.

Mustafa po ashtu, ka thënë se nuk e ka pritur që do të zgjasin kaq shumë bisedimet me VV-në për formimin e Qeverisë.

Sipas tij tani koalicioni mund të arrihet me vullnetin e Vetëvendosjes.

“LDK ka vullnet edhe përkushtim që të arrihet koalicioni se kemi punuar gjatë për këtë kemi kryer një fazë shumë të rëndësishme të punës në harmonizimin e programit qeverisës në përcaktimin e fushave që do të qeverisin LDK e Vetëvendosje dhe subjektet që i përkasin minoriteteve. Kanë mbet disa gjëra që unë si kryetar i LDK-së kam qenë i bindur se do te zgjidhen dhe do të pajtoheshim në takimin e parë ose të dytë, dhe në asnjë rast nuk kam prit që do të shkohet kaq gjatë, por vlerësoj se mund të arrihet kjo me vullnetin e partisë që ka dalë e para”, ka thënë Mustafa.

Bytyçi: Mungesa e këtij kompromisi ka të bëjë Hashim Thaçin

Image
Enver Bytyçi

Nisur nga kjo situatë, profesori Enver Bytyçi, për “Bota sot”, tha se Presidenti Thaçi u shpreh se që me datën 6 janar, kur ishte takuar me zotin Kurti, ka nënshkruar dekretin e tij për nominimin e kreut të Vetëvendosjes për kryeministër të Republikës së Kosovës. Por për çudi, këtë dekret thotë se e ka mbajtur në tavolinën e tij. Nuk ia paska treguar as të nominuarit, të cilin atë ditë e kishte në zyrë.

“Këtu shoh një gërshetim intrigash dhe skemash anti-shtet të presidentit të vendit. Më së paku ka transparencë në marrëdhëniet politike dhe ushtrimin e kompetencave kushtetuese nga ana e zotit Thaçi. Kjo sepse ai ka lënë të kuptojë që afati i këtij mandatimi skadon deri me datën 21 janar, d.m.th sipas tij, pas dy javësh”, tha ai.

Më tej, Bytyçi, shtoi se Thaçi, e motivon këtë akt me domosdoshmërinë dhe nevojën që Kosova ka për krijimin e institucioneve. Ndërkaq me iniciativat e tij “pro-serbe për ndarjen e Kosovës” donte që t’i zhbënte këto institucione njëherë e përgjithmonë. “As këshilltarët e tij nuk e besojnë se atij i ha barku për institucionet e vendit. I vetmi hall që ai ka,  ka të bëjë me  pushtetin e tij. Hashim Thaçi nuk e do koalicionin VV-LDK. Prandaj intrigon dhe në intrigën e tij përdor pushtetin e vet.

Ndërkohë ka mobilizuar për qëllimet e tij të mbrapshta gjithë thaçistët në Lidhjen Demokratike e në Vetëvendosje. Kjo shpjegon dhe përgjigjen e pyetjes përse nuk po gjendet kompromisi. Shkaku kryesor i mungesës së këtij kompromisi ka të bëjë Hashim Thaçin dhe përpjekjet e interesat e tij për ta sabotuar këtë koalicion. Nga ana tjetër, ka të bëjë deri diku edhe me frymën majtiste të Albinit. Kam përshtypjen se ai vuan nga sëmundja e kapjes së pushtetit, sëmundje kjo e të gjitha rrymave majtiste ekstreme kudo në botë. Kam idenë se ai nuk do ta lëshojë as postin e presidentit, sepse ia ka premtuar atë post Rexhep Qosjes”, shtoi Bytyçi.

Nisur nga ky arsyetim, Bytyçi, është i mendimit se që tani kryeministri i nominuar Albin Kurti po e pengon Albin Kurtin e fushatës parazgjedhore për ta bërë realitet angazhimin e tij për luftën kundër korrupsionit. Një kryeministër që kërkon të kontrabondojë postet shtetërore, nuk mund të jetë i aftë të luftojë kundër lidhjeve të pushtetit të tij me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Ndërsa sa i takon takimeve para ose përfundimtare të Kurtit dhe Isa Mustafës, mendoj se kjo ka të bëjë më shumë me Mustafën, të cilin e konsideroj bashkëpunëtor të Hashim Thaçit. Ai qëllimisht ka vënë kusht marrjen e postit të kreut të kuvendit, që të mos formalizohet koalicioni. Gjykoj se LDK duhet të heqë dorë nga kërkesa për kreun e Kuvendit dhe Albin Kurti duhet të lëshojë postin e presidentit të Republikës. Posti i presidentit duhet t’i takojë Lidhjes Demokratike, me kusht që atë të mos e trashëgojnë thaçistët. Po të ishte për thaçistët, më mirë është të mbetet Hashimi në atë post”, shtoi ai.

Bytyçi, theksoi se në rrethanat e krijuara duket se Kosova do të shkojë në një krizë institucionale të pashmangshme.

“Nëse Thaçi do të shpallë përfundimin e mandatimit të Albin Kurtit dhe dhënien e mandatit të formimit të qeverisë partisë së dytë, Lidhjes Demokratike, atëherë Kosova mund të shkojë në anarki. Ndoshta presidenti i vazhdon të punojë sipas axhendës serbe të destabilizimit të Kosovës! Shpresoj që të ketë vënë mend nga dështimi i hidhur në përpjekjet e tij për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Shpresoj gjithashtu t’i ketë shkëput lidhjet e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili vijon të punojë sipas axhendës së Beogradit”, përfundoi ai.

Duhanaj: Kurti po mendon që, fajet për dështime t'ia lë LDK-së

Image
Leon Duhanaj

Po ashtu, edhe Leon Duhanaj, publicist dhe njohës i çështjeve politike, tha për “Bota sot”, se përpjekjet e Presidentit Thaçi, për ta shtyrë përpara nominimin e kandidatit potencial për Kryeministër, z. Kurti, duken të jenë dëshpëruese. Ai nuk ka asnjë mundësi ta nominojë dikë i cili, as nuk e ka të siguruar mbështetjen e duhur, e çka është edhe me keq, me gjasë, as nuk ka interes të plotë të bëhet Kryeministër.

“Përpjekja e z. Kurti për marrëveshje koalicioni me LDK-në, nuk është bindëse dhe, bazuar në mënyrën e sjelljes së z. Kurti, me shumë ka gjasa që ai po heziton ti marrë përgjegjësitë e plota, të cilat i takojnë një Kryeministri. Nëse mund ta bëjë një digresion krahasimorë, do thoja se,z. Kurti sillet disi, sikur Zvicra në raport me BE-në. I do të gjitha beneficionet, por nuk i do përgjegjësitë të cilat vinë në paketë me to”, tha ai.

Duhanaj, theksoi se Kurti, po tenton që fajet për dështimet t’ia lë LDK-së.

“Ai po mendon që, fajet për dështime t'ia lë LDK-së, duke pritur që z. Mustafa, ta trajtojë atë si djalë "hasreti", e jo si konkurrent, përderisa ky e trajton z. Mustafa me shumë si armik. Kështu nuk ndërtohen koalicionet, por fronte konkurruese”, tha ai.

Sipas tij, nëse subjektet në fjalë, VV dhe LDK, dëshirojnë vërtetë ta shtyjnë agjendën përpara, me të cilën fituan votat atëherë duhet të ulën dhe t'i marrin vendimet në tavolinë, qoftë edhe duke qëndruar 24 orë.

“Nëse nuk duan atëherë pas çdo takimi le të vazhdojnë të prezantohen në media siç e bënë gjerë me tani, deri ne zgjedhje të jashtëzakonshme. Por një gjë duhet ta dinë të dyja, se përgjegjësia në radhë të parë bie mbi VV-në dhe pastaj mbi LDK-në dhe, nëse vendi shkon në zgjedhje, atëherë, do duhet të penalizoheshin në bazë të përgjegjësive që kanë. Megjithatë, mendoj që ka ënde hapësirë dhe nevojë që të gjendet gjuhë e përbashkët kompromisi, në mënyrë që vendin ta nxjerrim nga ky kolaps”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat