Politika, e mangët pa themeluesin e shtetit të Kosovës, Presidentin Dr. Ibrahim Rugova

Politika

Politika, e mangët pa themeluesin e shtetit të Kosovës, Presidentin Dr. Ibrahim Rugova

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 janar 2020 Në ora: 08:43
Ibrahim Rugova

21 janari shënon katërmbëdhjetë vjetorin e ndarjes nga kjo jetë të ikonës së pavarësisë së Kosovës. Plotë katërmbëdhjetë vjet prej kalimit në amshim të ish-presidentit historik të Kosovës, doktor Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës dhe poashtu kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që i priu nga themelimi i saj në vitin 1989, e deri në vdekje.

Rugova për vite me radhë luajti një rol historik në afirmimin e çështjes shqiptare në përgjithësi, dhe të pavarësisë së Kosovës në veçanti, duke ndërtuar një unitet politik dhe kombëtar në nivel kombi, një frymë të re të komunikimit ndër-shqiptar, një tolerancë të veçantë dhe sjellje pa fyerje e urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Kështu e kanë vlerësuar presidentin e ndjerë ish-bashkëpunëtorët e tij.

Ata thonë se mungesa e një personaliteti të tillë shumë dimensional si Presidenti Rugova, është normale që vërehet shumë edhe tani në skenën politike të Kosovës.

Presidenti historik i Kosovës ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës pas përballjes disa mujore me sëmundjen e kancerit.

Gagica: Kujtimi për presidentin Rugova duhet të na shërbejë si frymëzim, Kosovën e kishte mbi gjithçka

Hafiz Gagica, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës dhe ish-udhëheqësi i LDK-së në diasporën e para dhe gjatë luftës, ka thënë se Rugova tërë punën dhe aktivitetin e tij intelektual, politik dhe kombëtar e bëri për një Kosovë të lirë dhe demokratike.

Image
Hafiz Gagica

“Presidentin e parë dhe historik të Kosovës, liderin nacional të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe në shtetet e Perëndimit, atje ku jetojnë shqiptarët si në SHBA dhe Australinë e largët, e kujtoj me pietet të lartë të cilin e njoha për së afërmi si njeri shumë i urtë, tejet i vendosur në jetësimin e objektivave tona nacionale, në veçanti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai, tërë punën dhe aktivitetin e tij intelektual, politik dhe kombëtar e bëri për një Kosovë të lirë dhe demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian (BE) si dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe aleatët tanë perëndimorë”, ka thënë Gagica, për gazetën “Bota sot”.

Gagica shton duke thënë se Presidenti Rugova, ka luajtur një rol historik në afirmimin e çështjes shqiptare në përgjithësi, dhe të pavarësisë së Kosovës në veçanti, duke ndërtuar një unitet politik dhe kombëtar në nivel kombi, një frymë të re të komunikimit ndër-shqiptar, një tolerancë të veçantë dhe sjellje pa fyerje e urrejtje ndaj njëri-tjetrit, gjë e cila e forcoi shumë kohezionin nacional për sendërtimin e kauzës sonë kombëtare, siç ishte çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.

Ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Rugovës me tej ka treguar se thënia e këtij të fundit e njohur; “Se kompromisi ynë më i madh që po e bëjmë është pavarësia e Kosovës...”, nuk ishte një shprehje e çastit, por një strategji e presidentit.

Ndërsa, ka potencuar se ata politikanë që shajnë dhe ofendojnë njëri-tjetrin me lloj-lloj shprehjesh banale nuk kanë asgjë të përbashkët me filozofinë dhe kulturën e presidentit.

“Ata politikanë që sot e shajnë dhe ofendojnë njëri-tjetrin me lloj-lloj shprehjesh banale, kurse në anën tjetër thirrën në emër të presidentit Ibrahim Rugova, apo në frymën rugoviane, thënë shkurtë, nuk kanë asgjë të përbashkët me filozofinë dhe kulturën e tij njerëzore dhe kombëtare. Presidenti, Dr. Ibrahim Rugova, njihej si politikan i kompromiseve politike dhe ndër-partiake, por ishte shumë i vendosur dhe i pa thyeshëm në mbrojtjen e interesave tona politike dhe kombëtare, siç tregon ajo thënia e tij e njohur; “Se kompromisi ynë më i madh që po e bëjmë është pavarësia e Kosovës...”, që kjo nuk ishte shprehje e çastit, por një strategji e ndërtuar që nga koha e themelimit të Këshillit Koordinues të Partive politike Shqiptare në ish Jugosllavi, kryetar i të cilit Këshill ishte zgjedhur Dr. Ibrahim Rugova”, tha ai.

Tutje, ai ka theksuar se Rugova edhe në këto rrethana të koklavitura politike do vepronte njësoi sikur atëherë, kur është në pyetje interesi i Kosovës dhe ardhmëria e popullit shqiptar në Ballkan, ngase siç e kishte njohur Gagica, Rugova në radhë të parë dhe mbi të gjitha e kishte interesin nacional, mbase Kosovën e kishte mbi gjithçka.

“Kujtimi për presidentin Rugova duhet të na shërbejë si frymëzim për më shumë dije, tolerancë dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, meqë ishte njeriu që me urtësi dhe përkushtim të madh e afirmoi çështjen shqiptare në botën demokratike, afirmim të cilin me punë të vazhdueshme duhet ta ruajmë dhe forcojmë sa më shumë, me qëllim që Kosova dhe shqiptarët gjithandej globit të bëhen shembull i ndritur i zhvillimit, emancipimit, kulturës dhe shtetit ligjor. Pra, të bëhet një shtet i fort dhe i zhvilluar ekonomikisht, të dëshmojmë se jemi një popull pro-perëndimor, mirë i organizuar dhe i vyeshëm për ta kryer çdo obligim që na del para vetes, kudo që të jemi dhe jetojnë si shqiptarë nëpër botë”, ka deklaruar Hafiz Gagica, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës, për gazetën “Bota sot”.

Latifi: Presidenti Rugova ishte gjeni i mendimit intelektual e atdhetar shqiptar

E, veprimtari shumëvjeçar i LDK-së, Haki Latifi, shprehet se shkuarja në përjetësi 14 vite më parë e Presidentit Rugova, ishte goditja më e rëndë dhe e kobshme për Kosovën që ndodhej në pragun e daljes nga inkubatori.

Image
Haki Latifi

Latifi për gazetën “Bota sot” shpjegon se mbi të gjitha, Presidenti Rugova e ka dashur si dhe e ka nderuar çdo njeri dhe në veçanti popullin e vet, por duke i nderuar miqtë e shqiptarëve.

“Pas dy palë zgjedhjesh eksperimentale, dihej që zgjedhjet e treta, do të ishin finalizuese të Pavarësisë së Kosovës, sipas frymës së filozofisë Rugoviane. Por, ndodhi ndryshe, sepse kolosi mbylli sytë dhe plasi gjëma. Sa e madhe ishte kjo Vdekje, e treguan burrat botëror që erdhën dhe iu përkulën me pietet kolosit më të madh të shqiptarëve. Natyrshëm, tash i mungon familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve. Por, politikës kosovare më së shumti i mungon personaliteti i themeluesit të shtetit të Kosovës, Presidenti Dr. Ibrahim Rugova. Sidomos në këtë fazë të fuqizimit të sovranitetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar do të ishte shumë më lehtë për Kosovën. Presidenti Dr.Ibrahim Rugova për mendimin tim ishte gjeni i mendimit intelektual e atdhetar shqiptar dhe qëndresës paqësore, në të cilën në kushtet e terrorit më të zi dhe pushtimit më të egër, aparteidit dhe segregacionit ekstrem, me një guxim epik dhe vizion ndriçues, drite, themeloi shtetin dhe pushtetin paralel të shqiptarëve, qytetarëve më të shtypur të Evropës”, ka shpjeguar Latifi.

Ai gjithashtu ka thënë se mungesa e një personaliteti të tillë shumë dimensional si Rugova, është normale që vërehet shumë edhe tani në skenën politike dhe shoqërore të vendit tonë.

“Pra, mungesa e një personaliteti të tillë shumë dimenzional, është normale që vërehet shumë sot në skenën politike dhe shoqërore të vendit tonë. Njëherit, ai jo vetëm që punoi por edhe e ka dashur shumë Kosovën, ku me simbolikën e gurëve që me vete mbante, na tregonte për peshën e tyre që rëndojnë më së miri në vend të vet. Ndërsa gjeneratës së re i la amanet vizionin dhe synimin për një shtet të qëndrueshëm, të fortë e të barabartë. Është shembulli më i mirë që na la motivin se si punohet për një të ardhme të ndritur, rrugën drejtë integrimit në Bashkimin Europian dhe miqësinë përhershme me SHBA- në. Për më tepër, Presidenti Rugova, jo vetëm që arriti ta sfidonte politikën gjenocidale shfarosëse serbe në atë kohë ndaj shqiptarëve, por ai i sfidoi edhe mitet serbe, gjoja për shenjtërinë që kishte Kosova për serbët”, ka thënë ai.

Latifi mes të tjerave tregon se kishte fatin që gjatë veprimtarisë së tij bashkë me shumë bashkëveprimtar të degës së LDK-së në Zvicër, të punojnë për LDK-në dhe presidentin Rugova.

“Pata fatin që gjatë veprimtarisë s’ime bashkë me shumë bashkëveprimtar të degës së LDK-së në Zvicër, të punojmë dhe të na mbaj afër tij, që nga koha kur u themelua LDK dhe Presidenti Dr. Ibrahim Rugova u bë lideri Kosovës (sepse disa “trimave” nuk ua mbajti që të viheshin në ballë të saj). Prandaj, besnikërinë ia kam pas borxh, jo vetëm unë por besoj edhe mijëra bashkëveprimtarë, sikurse të gjithë shqiptarët, që duhet ta mbajnë vath në vesh, sepse mosbesnikëria ndaj misionit që kishte Rugova për shtet formim ishte tradhti ndaj vetvetes. Jam i bindur se kush ka prek ose është luhat në besnikërinë e Presidentit Rugova, e ka “mizën ndër kapuç“ siç thotë populli ose iriqin brenda ndërgjegjes”, shprehet ai.

Bajraj: Presidenti Rugova, shqiptari më i madh pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Ndërsa, veprimtari tjetër, Fatmir Bajraj, është i mendimit se erërat e stuhive të kohës,presidentin Rugova, njeriun e shquar të mendjes e penës e gjetën të gatshëm në përballjen e furtunës së egër hegjemoniste dhe shoviniste serbo-sllave.

Image
Fatmir Bajraj

“Erërat e stuhive të kohës, këtë burrë të shquar të mendjes e penës e gjetën të gatshëm në përballjen e furtunës së egër hegjemoniste dhe shoviniste serbo-sllave, kohëra që skalitën dhe sofistikun qëndrimin e tij dhe të lëvizjes që i printe LDK-së, deri në përmbushjen e idealeve të brezave për Liri dhe Pavarësi. Pushtuesi i egër, serbo-barbarë, njohja e historisë kombëtare dhe e asaj perëndimore përmes Parisit, ishin bazament dhe komponentë solide në formimin dhe formësimin kulturor, nacional-politik dhe nacional-shtetëror të një lideri karizmatik dhe të një qëndrimi konsistent e stoik deri në devotshmëri për përmbushjen e amaneteve të të parëve në luftë me armiqtë shekullor, serbo-sllav”, tha fillimisht veprimtari Bajraj.

Bajraj ka deklaruar gjithashtu se presidenti historik Rugova, krijoi aleancën historike e cila ishte jetike me perëndimin dhe SHBA-të, të cilat në fund të shekullit të kaluar përmes NATO-së, i dhanë vulën lirisë së Kosovës dhe shqiptarëve me ndërhyrjen ushtarake kundër pushtuesit serbo-sllav.

“Premisat e një filozofie të maturuar, të një fryme pragmatiste por largpamëse dhe vizionare, me shumë të drejtë, vlerësohej dhe vlerësohet edhe sot si profetike nga bashkëkohës dhe njohës të rrethanave socio-politike dhe socio-historike. Qasja dhe veprimi politik i tij, dhe i lëvizjes që i printe LDK-së, mahniste deri në magjepsje qendrat e vendosjes politike në Evropën perëndimore dhe përtej Atlantikut-SHBA-të. Urtia e tij e jashtëzakonshme, konsistenca dhe kultura unike në përfaqësimin e denjë të interesit nacional-shtetëror të Kosovës, bëri për vete miqtë tanë Euro-perëndimorë dhe SHBA-të. Ai, theu mitin serb për Kosovën “djep i Serbisë” dhe shqiptarët popull që jeton në “djepin e Serbisë”, mit ky i ngritur e sajuar nga pushtuesit e Karpateve sllavo-ruse në 150 vitet e fundit në këto troje. Vepra e tij kolosale në shërbim të kombit dhe atdheut, pra për liri dhe pavarësi, është gurthemel në shtet-ndërtimin dhe integrimet veri-atlantike, orientim ky i cili mbanë vulën e presidentit historik Rugova”, ka potencuar Bajraj.

Sipas veprimtarit, Presidenti Rugova, i mungon ma shumë se kurrë Republikës së Kosovës.

Bajraj tregon se Rugova kurrë nuk pranoi të flirtoi e kolaboroi me armikun dhe eksponentë tij, përkundrazi ishte konsistent se shqiptarët shumicë absolute, dinë dhe mund të qeverisin vendin e vet, kulturë kjo e trashëguar nga LDK-ja, por jo sipas veprimtarit edhe nga pjesa tjetër e spektrit politik të vendit, për çfarë edhe po vuajmë pasojat.

“Kauza e tij për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, e integruar në strukturat euro-perëndimore dhe veri-atlantike dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, ishte projekt i përhershëm nacional i shqiptarëve të Kosovës, ishte kompromis kontekstual dhe vetëm një hap që ndante bashkimin e trojeve dhe të kombit. Ky glorifikim impononte edhe kulturën e kompromiseve brenda kombit në politikbërje dhe shtetbërje, veti këto të provuara e të promovuar nga vet presidenti Rugova, i cili përkundër faktit se i vriteshin në prita e në pabesi bashkëpunëtorët besnik nga rivalet politik, prapë se prapë, jo vetëm që evitonte vëllavrasjen, por ofronte bashkëpunimin në vend të saj”, ka thënë Bajraj.

Krejt në fund, Bajaraj shprehet se dhe ikja e parakohshme e në amshim dhe lamtumira e dhënë nga liderë dhe burrështetas nga e gjithë bota demokratike, dëshmon dhe konfirmon katërçipërisht, vlerësimin për veprën e tij dhe kontributin dhënë kombit dhe atdheut të tij, por edhe qytetërimit euro-perëndimore në përgjithësi.

Dhe se pa presidentin historik Rugova, dhe veprën e tij kolosale, Kosova në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi, nuk do ishin në stadin e tanishëm të zhvillimit dhe të ecjes euro-perëndimore dhe në miqësi permanente me SHBA-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat