Ndërhyrja ndërkombëtare, mundësia e fundit për krijimin e koalicionit LVV-LDK

Politika

Ndërhyrja ndërkombëtare, mundësia e fundit për krijimin e koalicionit LVV-LDK

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 23 janar 2020 Në ora: 08:16
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

“Presioni i ndërkombëtarëve bëhet tek të arsyeshmit dhe jo tek ata që ende nuk konsiderohen faktor edhe pse kanë fituar veç një deputet me shume ne shumicën e pakicës parlamentare dhe nuk kanë fituar 50 përqind të deputetëve plus një. Edhe në këtë rast duket se do të dëshmohet e thëna e hershme se miqtë e Kosovës e duan Kosovën më shumë se pushtetarët e pangopur të saj”, ka deklaruar publicisti Rexhep Shahu.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian janë duke insistuar që sa më shpejtë Kosova t’i krijojë qeverinë e re dhe këtë kërkesë ia kanë parashtruar tash e një kohë edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Marrëveshja përfundimtare bashkë qeverisëse, tash e një kohë është duke pritur të bëhet, por tashmë çështja ka kaluar në suaza tjera dhe duket se posti i krye-parlamentarit është pengesa e vetme që nuk po arrihet marrëveshja.

Derisa tri ditë më parë Kreu i LDK-së theksoi se ambasadat e huaja janë të interesuara që Kosova të ketë qeveri dhe për këtë arsye po i vizitojnë selitë e LDK-së dhe LVV-së.

“Ambasadat janë të interesuara që Kosova të ketë qeveri dhe për këtë arsye vijnë dhe bisedojnë me ne. Edhe ne jemi të interesuar që sa më shpejt Kosova të bëhet me qeveri” është shprehur Mustafa.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, pas marrjes së mandatit i ka dy javë kohë për ta arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK-në.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, edhe pas marrjes se mandatarit për kryeministër ende nuk kanë arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe tash kanë mbetur 14 ditë deri në mundësinë që Kurti të formoj qeverinë.

Derisa ishte parë e afërt një marrëveshje bashkëqeverisëse me LDK-në tash e një kohë janë ndërprerë edhe takimet në mes dy partive fituese të zgjedhjeve, pasi që LDK se fundmi ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, gjë që Vetëvendosje nuk e ka pranuar. Kurti përmes një video të publikuar ka bërë të ditur se janë të gatshëm për takime të reja me LDK-në, në mënyrë që të gjenden alternativa për arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Haxhiu: Duhet të tejkalohen dallimet

E një mundësi për marrëveshjen përfundimtare e ka shprehur edhe deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, e cila në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se presin vullnet nga të dyja palët për të arritur marrëveshjen.

Image
Albulena Haxhiu

“Nëse ka vullnet nga ana e LDK-së, padyshim që jo 14 ditë por 1 ditë do të mjaftonin për të arritur marrëveshjen. Ne deri tani kemi shprehur vullnetin tonë, kemi bërë mjaft kompromise vetëm e vetëm për të jetësuar vullnetin e qytetareve prandaj pikërisht për këtë, duhet të tejkalohen dallimet dhe t'i hapet rruga marrëveshjes se ndryshimeve”, ka theksuar Haxhiu.

Gaxherri: Vetëvendosje po na trajton si kundërshtarë politik

Kurse Besa Gaxherri nga LDK-ja ka bërë të ditur se përgjegjësia bie mbi Vetëvendosjen, pasi që ajo si fituese e zgjedhjeve është e obliguar ta bëjë qeverinë.

Image
Besa Gaxherri

“Ngecja është në veset e problemet e Vetëvendosjes që unë e kam thënë edhe një ditë Vetëvendosja ende nuk e ka të qartë se ka përgjegjësi për të udhëhequr më vendin dhe tash partnerin e vet do të thotë LDK po e trajton sikur të ishte kundërshtar politik dhe kjo është e papranueshme për të vazhduar tutje” ka thënë Gaxherri.

Sipas saj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë një qëndrim dje se prapë është e gatshme më u ul më bisedua me VV-në sepse këtë ia kemi borxh qytetarëve dhe Republikës se Kosovës”, ka thënë Gaxherri.

Shahu: Presioni i ndërkombëtarëve bëhet tek të arsyeshmit

Analisti politik Rexhep Shahu, ka shpjeguar se pakënaqësitë e shkaktuara nga marrëveshja e mundshme do të jenë më të vogla se pakënaqësitë që mund të shkaktohen në rast se shkohet në zgjedhje të reja, pasi shumë deputetë rrethohen nga dyshimi se a mund të jenë deputetë në zgjedhjet e reja apo jo.

Image
Rexhep Shahu

“Unë besoj se do të bëhet një marrëveshje edhe pse duke shkaktuar pakënaqësi të dyanshme. Por pakënaqësitë e shkaktuara nga marrëveshja e mundshme do të jene me te vogla se pakënaqësitë që mund të shkaktohen në rast se shkohet në zgjedhje të reja, pasi shumë deputetë rrethohen nga dyshimi se a mund të jetë deputetë në zgjedhjet e reja apo jo. Sjelljet arrogante të faktit të kryer të VV, sjellje të tipit të njerëzve të rrugës që dinë të bëjnë veç luftë me gurë por jo në tryeza politike, sjelljet e të uriturit për pushtet pa menduar për aleancat që e mbajnë në këmbë qeverinë, të marrosur nga fitorja e shumicës në pakicë e të vet mashtruar nga një deputet me shume i japin arsye morale LDK të heqë dorë nga kjo aleancë e pandershme ku i liliputi kërcënon gjigantin” ka thënë Shahu.

Sipas tij, edhe pse jemi në këto kushte, LDK si forca më shtet formuese, më durimtarja për Kosovën do ti duhet mbase të lëshojë rrugë për karrieristet e rij që duan gjithçka dhe e duan sot...

“Presioni i ndërkombëtarëve bëhet tek të arsyeshmit dhe jo tek ata që ende nuk konsiderohen faktor edhe pse kanë fituar veç një deputet me shume ne shumicën e pakicës parlamentare dhe nuk kanë fituar 50 përqind të deputetëve plus një. Edhe në këtë rast duket se do të dëshmohet e thëna e hershme se miqtë e Kosovës e duan Kosovën më shumë se pushtetarët e pangopur të saj”, ka deklaruar Shahu.

Elezaj: Ndërhyrja ndërkombëtare e domosdoshme

Kurse, njohësi i çështjeve politike Rexhep Elezaj, ka thënë se presioni ndërkombëtar është i domosdoshëm për përmbylljen e procesit të bisedimeve midis LVV-së dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për koalicion bashkë qeverisës.

Image
Rexhep Elezaj

“Mendoj se presioni ndërkombëtarë është tani më së i nevojshëm, mbase edhe i domosdoshëm për përmbylljen e procesit të bisedimeve midis LVV-je dhe LDK-së për arritjen e marrëveshjes për koalicion bashkë qeverisës, i cili duket qartë se ka hyrë në çor sokak, kryesisht për fajin e LDK-së, gjegjësisht të Isa Mustafës, i cili në vend se t’i hapte rrugë koalicionit për hir të interesave shtetërore të Kosovës, ai/ata vazhduan me taktizime dhe lojëra të pakuptimta politike, duke i sjellë bisedimet gati në bllokadë të pashpresë” ka thënë ai.

Sipas Elezajt, ata të cilët me kujdes i kanë përcjellë favoret dhe kompromiset të cilat LVV-je dhe Albin Kurti ia kanë ofruar LDK-së, mbase qysh para mbajtjes së zgjedhjeve, duke pranuar që listën eventuale të përbashkët zgjedhore, në rast se do arrihej koalicioni parazgjedhor midis tyre, ta udhëheq znj. Vjosa Osmani, ndërsa Albin të ishte i dyti në listë, dhe deri tek dhënia e postit të kryeparlamentarit, Ministrinë për punë të brendshme, zv/kryeministrin e parë, pajtimin në parim që LDK-së t’i jepet më vonë edhe posti i presidentit, etj., pajtohen se ishin këto favore tepër të mëdha që fituesi i zgjedhjeve, z. Albin Kurti, ia dha Isa Mustafës.

“Prandaj, refuzimi, kritikat bajate dhe nënçmimi që disa udhëheqës të LDK-së gjatë tërë kohës sa zgjatën bisedimet ia drejtuan LVV-je dhe Albin Kurtit, siç ishte Agim Veliu, Lutfi Haziri, Arban Abrashi, etj., ishin pa dyshim, pyka përçarëse si dhe dëmtim të procesit të bisedimeve për arritjen e marrëveshjes bashkë qeverisëse, sepse po të kishte LDK-ja qëllim të sinqertë për të bërë koalicion me LVV-je, kjo punë do ishte kryer qysh para dy e më shumë javësh!”, ka thënë Elezaj.

Ai ka shtuar se duhet pranuar faktin se i gjithë elektorati zgjedhor i 6 tetorit 2019, i cili votoi për ndryshime nuk e kishte merituar në asnjë mënyrë gjithë këtë lojë me votën e tyre të shenjtë që së bashku me qytetarët tjerë, përveç se janë zhgënjyer tejmase me këto zhagitje dhe vonesa të pajustifikueshme për formimin e qeverisë së re në krye me z. Albin Kurtin, ata ndjehen të lodhur nga këto pritje dhe dëme të cilat do i bëhen Kosovës, po qese urgjentisht nuk arrihet marrëveshja për koalicion bashkë qeverisës midis këtyre dy partive fituese në zgjedhjet e 6 tetorit 2019!

“Kështu që, për mos ta lejuar degradimin e më tejmë të situatës politike në vend, për të mos lejuar që vendi ynë të futet në krizë të re politike, sikur ajo në vitin 2014 (koha e VLAN-it), si dhe për ta çuar vullnetin e sovranit në vend i cili me 6 tetor votoi për ndryshime të reja në Kosovë, ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë, gjegjësisht e vendeve mike të QUINT-it, është e domosdoshme dhe sa më para që të ndodhë, qa më mirë do jetë për Kosovën, ndërhyrje kjo e cila besoj shumë se do jep rezultate konkrete, duke i bindur palët negociuese, LVV-je dhe LDK-në, që të arrijnë marrëveshjen për formimin sa më të shpejt të qeverisë së re, si dhe të organeve tjera të cilat gati që 6 muaj kanë qenë jofunksionale, duke mos i harruar këtu obligimet që Kosova i ka në raport me BE-në dhe institucionet tjera ndërkombëtare” ka thenë për “Bota Sot” Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat