Prapaskenat e rastit “Syri i Popullit”, caku kryesor ishte Albin Kurti?

Politika

Prapaskenat e rastit “Syri i Popullit”, caku kryesor ishte Albin Kurti?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 janar 2020 Në ora: 17:57
Seanca për rastin “Syri i popullit”

Përderisa PDK-ja doli me akuza kundër Lëvizjes Vetëvendosje, kinse kjo e fundit është themeluese e organizatës kriminale “ Syri i Popullit”, në anën tjetër Vetëvendosje, konkretisht Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë paditur Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin për shpifje.

Gjykata Themelore e Prishtinës të mërkurën ka shpallur fajtorë të akuzuarit e rastit “Syri i Popullit”. Gjykata ka dënuar Avni Llumnicën me 12 vite burg, Sadri Rambajën me 5 vite, Ragip Sallovën 4 vite, Bajrush Konjushën 3 vite, Halim Halimin 3 vite, Rexhep Topllana 2 vite, Behxhet Lluzha 2 vite.

Gashi: Caku kryesor ishte Albin Kurti dhe LVV

Avokati Tomë Gashi, duke folur rreth kësaj çështje ka thënë për “Bota sot” se akuzat e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe akuzat e Hashim Thaçit se prapa organizatës “Syri i Popullit” qëndron LVV, më saktë se prapa kësaj organizate që PDK e quan terroriste, qëndron vet kryetari i LVV Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, janë aq jo serioze, saqë as ata nuk i besojnë asaj që e thonë vet.

Image
Tomë Gashi

“E gjithë kjo bëhet për përdorim të pa suksesshëm që të përballet LVV, ashtu siç e kanë bërë edhe me rastin e burgosjes për kinse terrorizëm të Astrit Deharit, dhe të cilin pastaj e vranë në burgun e Prizrenit duke tentuar të marrin nga ai deklarata vet pranuese e që qëllimi dhe caku kryesor ishte qw Albin Kurti dhe LVV që e shpallën parti terroriste dhe të ndalohet puna e saj, si parti nga e cila ata druheshin se do ta humbin pushtetin siç edhe ndodhi me 6 tetor 2019”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Sipas tij, nuk ka asnjë logjikë të shëndosh juridike, madje as Hashim Thaçi e as Kadri Veseli lidhur me akuzat që ja bëjnë LVV dhe Albin Kurtit e Glauk Konjufcës.

“Me qenë vetëm indicie për atë që ata flasin Albini me Glaukin sot do të ishin në sallë të Gjykimit dhe do të dënoheshin. E dihet se Albini dhe Glauku nuk janë thirrur as nga prokuroria, e as nga Gjykata as në cilësi të dëshmitarëve. Çështja është se deri më tani ka qenë e padurueshme lehtësia e akuzimit kaq të rëndë të oponentëve politik qoftë edhe për vrasje e terrorizëm siç e kanë bërë shpesh me akuzua pa bazë LVV dhe Kurtin personalisht. Por gjërat kanë ndryshuar nga data 06.10.19 se ka ardhë dita që të përgjigjen të gjithë që i bëjnë terroristë ata të cilët i dërguan në opozitë të thellë”, ka thënë avokati Tomë Gashi.

Smaka: Apriori gjykon akuzën adresuar kundër LV–së përderisa ajo si e tillë nuk është vërtetuar në procedurë të kërkuar nga Gjykata kompetente

Kurse, njohësi i çështjeje juridike, profesor Riza Smaka, ka thënë se deklaratat inkriminatore të ndërsjella nuk krijojnë asnjë të mirë, pos situatave në bulozistë veçanërisht në aktualitetin politik të tillë në vendin tonë.

Ai konsideron se sipas postulatit juridik "Supozimi i pafajësisë" në asnjë rrethanë nuk lejohet, jo akuzimi por as aludimi inkriminator madje as kur teza e supozuar do të vërtetohej nga gjykata kompetente në procedurë legale.

Image
Riza Smaka

“Gjithsesi apriori gjykon akuzën adresuar kundër LV–së përderisa ajo si e tillë akoma nuk është vërtetuar në procedurë të kërkuar nga Gjykata kompetente. Por si e tillë as që është e iniciuar në formë e proces të kërkuar”, ka thënë njohësi i çështjeje juridike, profesor Riza Smaka.

Elezaj: Oponentë brenda PDK-së kanë punuar vite me radhë, që ta luftojnë dhe denigrojë LVV-në me çdo mjet të mundshëm

Kurse, publicisti Rexhep Elezaj, ka thënë se ngritja e akuzave dhe aktakuzave të sajuara kundër grupit të akuzuar për vepra “terroriste”, si anëtarë të organizatës “terroriste” “Syri i popullit”, pa hyrë në brendësinë dhe përmbajtjen e tyre juridiko-legjislative dhe gjykimi dhe dënimi i sotëm i këtij grupi të akuzuarve, pikë për pikë del të jetë një kopje identike e seancave të kurdisura gjyqësore, siç i bënte regjimi kriminal serb në Kosovë ndaj grupeve “iredentiste dhe terroriste” shqiptare në kohën e S. Millosheviçit (1981-1999).

Image
Rexhep Elezaj

“E them këtë duke u bazuar në analiza dhe fakte të shumta që i janë ofruar opinionit kosovar përmes mediave, qëkur janë ngritur aktakuzat e para ndaj aktivistëve të shumtë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, filluar nga grupi i Astrit Deharit (2016) e deri në grupin që u dënua sot me dënime drastike mbi bazën e dyshimeve të pa verifikuara, si dhe të pa faktuara juridikisht dhe politikisht deri më sot. Mbase, që të gjitha aktakuzat ndaj aktivistëve të saj dhe vetë LVV-je, qëkur ato kanë zënë të plasohen në opinion përmes mediave të kapura nga Klani “PRONTO”, kanë qenë fund e krye shpifje dhe insinuata të kurdisura nga njerëz të specializuar të shërbimit sekret të PDK-së, i njohur me emrin famëkeq si SHIK, krejtësisht të orkestruara nga oponentë të lartë politikë, e që me çdo kusht punon që LVV-je dhe udhëheqësit e saj, së pari t’i njollosen dhe stigmatizojnë para opinionit të gjerë, dhe pastaj të shpallën “terrorist”. Ndërsa LVV-je si organizatë “terroriste” të cilët/cilën duhet shpallur armike të popullit me qëllim final për t’ua ndaluar me ligj veprimtarinë e tyre/saj politike në Kosovë”, ka thënë Elezaj.

Sipas tij, nuk ka asnjë dyshim, se oponentë brenda PDK-së kanë punuar me shumë zell vite me radhë, qyshkur ajo ka ardhur në pushtet në Kosovë me 2007, që LVV-je si kundërshtare e saj politike, ta luftojë dhe denigrojë me çdo mjet të mundshëm, duke i m’veshur lloj-lloj akuzash dhe shpifjesh me qëllim që ta dëmtojë sa më shumë para qytetarëve.

“Këtë, sepse LVV-je dhe Albin Kurtin e shihnin si rrezik dhe konkurrent të ashpër politik në Kosovë. Pra, përballja politike, dhe jo vetëm, midis PDK-së dhe LVV-je, zanafillën e saj e ka qëkur kjo e fundit u paraqit si organizatë politike në Kosovë, e jo parti, e cila menjëherë u pozicionua kundër shumë vendimeve të UNMIK-ut të cilat ishin të dëmshme për shtet ndërtimin e Kosovës, duke protestuar hapur në rrugë kundër asaj administrate të dobët dhe të korruptuar, veprime të cilat partia në pushtet, pra PDK-ja e Hashim Thaçit, i konsideronte si destabilizim të situatës në Kosovë, si dhe të dëmshme për interesat e saj pushtet mbajtëse. Me një fjalë, këtu edhe zënë fill konflikti midis këtyre dy faktorëve politik në Kosovë, i cili me kalimin e viteve do eskalojë në akuza dhe kundër-akuza ndaj LVV-je dhe liderit ë saj, për të kulmuar në konflikt të hapur politik, sidomos pas sulmit me granatë dore të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, për të cilin akt u burgosën pa asnjë dëshmi grupi i 6 aktivistëve të LVV-je me Astrit Deharin, i cili siç dihet u vra në burgun e Prizrenit në rrethana të dyshimta”, ka thënë publicisti Elezaj.

Ai tutje ka shtuar se në ndërkohë, konflikti verbal dhe akuzat e PDK-së, dhe vetëm të saj, ndaj LVV-je, në vend se të zvogëlohen ato vazhduan të acarohen edhe më shumë.

“ Si në seancat e Kuvendit të Kosovës, ashtu edhe në mediat vizuele, të shkruara dhe rrjetet sociale, që do çon në situatën, siç ishte tentim atentati ndaj avokatit, Azem Vllasi, për të cilin akt organet e kapura të shtetit dhe PDK-je e akuzuan hapur LVV-je se qëndron pas një organizatë të fshehtë, e ashtuquajtur “Syri i popullit”, gjegjësisht pas të cilës gjoja po qëndruakan Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Siç dihet, me këtë rast u burgosën disa aktivist të LVV-je nën akuzën se qëndrojnë pas organizimit të disa vrasjeve të planifikuara, madje se posedojnë listën për atentat ndaj shumë politikanëve, akuzë kjo e cila i detyroi Albin dhe Glaukun të ushtrojnë padi në Gjykatën themelore ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për shpifje gjatë dëshmisë së tyre të rrejshme në gjykatë, se LVV-je na qenkësh edhe themeluese e kësaj organizate famoze “Syri i popullit”, gjë që dënimi i sotëm e 5 të akuzuarve, në mesin e tyre edhe aktivisti i njohur të VV-jes, Sadri Ramabaja, i cili u dënua me 5 vite burgim, etj”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

Sipas tij, si përmbledhje e kësaj që u tha më lartë, duhet nënvizuar faktin e pamohuar, se konflikti politik, përkatësisht lufta e paskrupullt e PDK-së dhe udhëheqësve të saj në krye me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, me qëllim për të mbetur sa më gjatë në pushtet, përveç se ka prodhuar “armiq” të paqenë në taborin e kundërshtarëve politikë, siç ishte edhe konflikti dhe armiqësia e gjatë midis PDK-së dhe LDK-së.

“Por derisa kjo e fundit u dorëzua turpshëm para kësaj të parës, e ka sjellë vendin gati para një lufte civile, e cila, falë prezencës së KFOR-it si dhe faktorëve ndërkombëtarë nuk ka eskaluar në përleshje fizike që do kishte pasoja të rënda në njerëz si dhe dëme të mëdha për shtetin e Kosovës. Prandaj, aktgjykimi i sotëm i grupit “terrorist”, si anëtarë të një organizate të shpifur dhe inekzistente, përveç se dëshmon se organet e drejtësisë në Kosovë janë të kapura nga SHIK-u dhe PDK-ja, flet qartë edhe për pengesat që po i bëhen ardhjes së Albin Kurtit në krye të qeverisë së re, me qëllim të qartë që LVV-je mos të vije në pushtet në asnjë mënyrë të mundshme”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat