Ftesa të njëpasnjëshme, Specialja shton intensitetin e punës

Politika

Ftesa të njëpasnjëshme, Specialja shton intensitetin e punës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 janar 2020 Në ora: 20:56
Gjykata Speciale

Dhomat e Specializuara të Prokurorisë në Hagë e kanë nisur me intensitetin e njëjtë edhe vitin 2020.

Fillim-viti ka qenë mjaft i zënë për këtë organ ndjekës, që deri më tani kanë dërguar disa ftesa për intervistim në Kosovë.

Së fundmi, nga Specialja ftesë mori edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, bashkë me ish-ushtarin e UÇK-së, Xhevahir Geci.

Më herët se këta dy, ftesë nga Specialja morën edhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, Bahri Gashi e Imer Zogaj.

E përveç Reçicës, këtë vit të ri ftesë nga Haga mori edhe deputeti tjetër i PDK-së, Ferat Shala.

Të njëjtës, Shala do t’i përgjigjet më 5 shkurt, ndërkaq që nuk dihet se në çfarë cilësie.

E si i pari që u ftua nga Specialja në vitin 2020, është ish-ushtari, Agron Limani, i cili në postimin e tij njoftues fajësoi deputetët e Kosovës për votimin e Ligjit për Specialen.

Specialja ka ftuar edhe dy ish pjesëtarë të UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës.

Janë këta Abedin Daka nga fshati Ceravik i Komunës së Klinës, i cili është edhe vëlla i dëshmorit, Mirush Daka, si dhe Sherif Tahiri nga fshati Tërdevc i komunës së Drenasit.

Dy të ftuarit e fundit nga Specialja janë Burim Fazliu e Selim Krasniqi.

Kjo është bërë e ditur nga Kryetrari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati i cili tha se Fazliu është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, kurse Selim Krasniqi në cilësinë e të dyshuarit nga Zona Operative e Pashtrikut.

Në total, Specialja për rreth 3 javë javë dërgoi 10 ftesa në Kosovë.

ZPS-ja, nuk jep informacion në lidhje me hapat e mëtejshëm të Gjykatës Speciale

Lidhur me intervistat e vazhdueshme të Gjykatës Speciale të dëshmitareve të dyshuar nga Zyra e Prokurorit Specialist, Chris Bennett, në një përgjigje elektronike i ka thënë gazetës “Bota sot”, se Zyra e Prokurorit Specialist, po vazhdon të zbatojë mandatin e saj duke marrë në pyetje të të dyshuarve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar po zbaton mandatin e saj. Zbatimi i këtij mandati përfshinë praninë dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve”, tha, Bennett.

Më tej, Bennett, u shpreh që Specialja do të mbledhë provat dhe do të shqyrtojë provat duke vazhduar për përfundimin e procedurave penale dhe se ZPS-ja, nuk mund të jep informacione për hapat e mëtejshëm.

“Mbledhjen dhe shqyrtimin e informacionit dhe të provave si edhe marrjen e vendimeve për fillimin, vazhdimin dhe përfundimin e procedurave penale. ZPS-ja nuk jep informacion në lidhje me hapat e mëtejshëm.

Shahu: Situata me Qeveri pezull në Kosovë nuk besoj se do ta zbehë punën e Gjykatës Speciale

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që gjykimi i krimeve nga Specialja nuk do të jetë projekt që tretet në ujin e harrimit, mirëpo do të i ecin me intensitet në gjykime.

“Besoj se gjykimi i krimëve nga Gjykata Speciale nuk do të jetë një projekt që tretet në ujin e harrimit,besoj se do t’i shkohet në fund kësaj pune, do të ecet me intensitet në gjykime e ngritje akuzash”, tha, Shahu.

Më tej, Shahu, tha që pranvera do të sjellë lajme prej Hagës, dhe se as situata me Qeveri nuk do të pezulloj punën e Specialjes.

“Situata me Qeveri pezull në Kosovë nuk besoj se do ta zbehë punën e Gjykatës, besoj se do të jetë një pranverë me lajme me Hagë”, përfundoi, Shahu.

Burjani: Derisa të përfundoj intervistimi nuk ka ngritje të aktakuzave

Image
Blerim Burjani

Juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që deri sa të kryhet puna e intervistave nuk do të ketë ngritje të aktakuzave.

“Derisa të kryhet puna e intervistave me dëshmitarë apo të dyshuar nuk do të ketë ngritje akuzash, edhe pse tash me mbi 150 persona janë ftuar në cilësi të ndryshme. Kjo Gjykatë ende mbetet pa ndonjë aktakuzë, tash është në duart e prokurorisë që të ngrit aktakuza kuptohet bazuar në fakte dhe dëshmi”.

Më tej, Burjani, tha që për të ngritje të aktakuzave do të vendos Prokuroria, gjithmonë duke u bazuar në fakte dhe dëshmi.

Njëherë për njëherë nuk ka asnjë aktakuzë që pritet të ngritet përderisa procesi i intervistmeve nuk përfundon, Prokuroria vendos për ngritje të aktakuzave për kohën e fillimit të tyre dhe për personat”, ka thënë Burjani për “Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat