A duhet të hiqet taksa pas kërkesës së Grenell? Flet Kadriaj, përmend Haradinajn si pengesë

Politika

A duhet të hiqet taksa pas kërkesës së Grenell? Flet Kadriaj, përmend Haradinajn si pengesë

Nga: G.B Më: 24 janar 2020 Në ora: 12:59
Richard Grenell

Heqja e taksës nga Kosova për produktet serbe dhe ndalimi i fushatës nga Serbia ishin kërkesat e të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump, ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, derisa ka thënë se nuk dëshiron të përzihet në çështjen e formimit të qeverisë.

Pas takimit me liderin e VV-së, Albin Kurtin dhe më pas me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, Grenell tha se kërkoi që nëse duan të ecin përpara, duhet të kenë zhvillim ekonomik dhe duhet ta heqin taksën 100 për qind.

“Po provoj të injoroj betejën politike dhe të përqendrohem në zhvillimin ekonomik. Për shkak të kësaj, i kërkova z. Kurti dhe do i kërkoj çdo udhëheqësi politik këtu që është shumë e rëndësishme se nëse dëshirojmë të ecim përpara, nevojitet zhvillimi ekonomik dhe taksa 100% të hiqet, është diçka që duhet të hiqet, po ashtu edhe fushata e Serbisë duhet gjithashtu të ndalet. Unë mendoj se që të dyja duhet të ndodhin në mënyrë që bizneset të rriten, të krijohen vende të punës për të rinjtë. Unë do ta përçoj të njëjtin mesazh edhe në Beograd. Dëshiroj që ne të ecim përpara dhe të ndihmojmë familjet e reja dhe të rinjtë që të kenë punë me paga më të mira dhe një situatë me ekonomi në rritje. Ky ishte mesazhi im që e përçova këtu dhe do jetë mesazhi i njëjtë që do e përçoj në Serbi”, ka thënë Grenell.

Image
Mustafë Kadriaj

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se angazhimi i tij duhet vlerësuar pozitivisht por që nëse Grenell jep garanci që Serbia do ta ndalë lobimin kundër Kosovës, Kosova duhet ta marrë seriozisht këtë kërkesë, por që do të jetë problem për shkak të Haradinajt, që të hiqet taksa.

“Angazhimi i ambasadorit Grenell duhet vlerësuar pozitivisht për faktin që administrata amerikane dëshmoi që ende ka interesim për temat në lidhje me Kosovën dhe nëse ambasadori Grenell jep garancion që Serbia të ndalë lobimin në kontestim të statusit të Kosovës si shtet, vlerësoj që pala kosovare duhet të marrë seriozisht por duke njohur profilin e kryeministrit Haradinaj vlerësoj që ka pak shpresë sepse me taksë do të tentojë që të bëjë opozitarizëm politik dhe si një presion ndaj kryeministrit që do vjen”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket deklaratës se nuk do të përzihet në formimin e qeverisë, Kadriaj e sheh si diplomatike, por që përderisa është takuar me ta, është presion për t’i tejkaluar interesat dhe për të shtyrë përpara proceset e Kosovës.

“Ndërsa deklaratën që nuk do përzihet në formimin e qeverisë, vlerësoj se dhënë deklaratë diplomatike sepse me këtë ka respektuar Kosovën si shtet por vetë fakti që ka takuar lidershipin politik është një presion që këto parti t’i tejkalojnë interesat e ngushta politike por të shtyjnë përpara proceset e Kosovës dhe me këtë dëshmoi që nga pas lufta u tregua i dërguari më energjik nga administrata e SHBA-së në lidhje me Kosovën që në këtë drejtim lidershipi kosovar nuk duhet të humb si rast por të jetë pragmatik në temat që do ngritën nga ambasadori Grenell për faktin që nuk duhet t’i jepet rast që pala serbe të rehabilitojë vetveten para SHBA-së”, ka deklaruar Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat