SHBA favorizon arritjen e koalicionit LVV-LDK?

Politika

SHBA favorizon arritjen e koalicionit LVV-LDK?

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 25 janar 2020 Në ora: 11:53
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

“Në parim, interesimi amerikan është për t’u përshëndetur. Tashti mbetët te politikanët se si do të nisë dhe zhvillohet procesi. Deklaratat e Grenellit përmbajnë një retorikë që duhet analizuar. Ta zëmë, ai ka thënë se nuk i intereson se me kënd bëhet koalicioni i ardhshëm qeverisë së Kosovës. Por simbolikisht ai ka bërë me dije se i intereson shumë kjo punë për shkak se vizita e tij u përqendrua në takimet me kreun e LVV dhe LDK. Pastaj, deklarata e krijimit të punësimit për të rinjtë e Kosovës është mjaftë e pakuptimtë në shikim të parë. Por përmban premtimin: nëse merreni vesh, e rregulloni vetën dhe i hapni rrugë investimeve të huaja”, ka thënë prof. Daut Dauti nga Lëvizja Vetëvendosje.

I dërguari special i Presidentit Donald Trump për Dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë, aludoi dhe këmbënguli për heqjen e taksës e po ashtu edhe për fillimin e menjëhershëm të dialogut.

Gjatë një vizite në selinë e LDK-së dhe Vetëvendosjes, Grenell, i ftoi të dy partitë që në rast se krijojnë qeverinë e re, të kenë parasysh rëndësinë dhe peshën e dialogut.

Ai, zhvilloi një takim edhe me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, me ç’rast deklaroi se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është i interesuar të zgjidhë çështjen e Kosovës dhe Serbisë në fushën e ekonomisë, ngase “të rinjtë kanë nevojë për punë”.

“Ajo çfarë unë po mundohem të bëjë, është që të shikoj të gjitha çështjet e së kaluarës, që kanë mbetur pa u zgjidhur, e që kanë ndikim në ekonomi dhe t’i zgjidhim ato, bashkë me dy qeveritë dhe liderët e të dyja vendeve, t’u themi ‘shikoni njerëzit... filloni të ecni përpara me punësime’”, tha Grenell.

Kosovën, përkatësisht Qeverinë e re, menjëherë e presin sfida të cilat sa më shumë që shtyhen, aq me problematike do të jenë, ka deklaruar ai.

Sfida për rifillimin e dialogut dhe roli i SHBA-së

Nga ana tjetër, njohësi dhe publicisti Leon Duhanaj, për “Bota sot”, tha se Presidenti Trump, i ka vënë vetës qëllim që në ndonjë vend të botës, të arrijë një sukses të madh, nëpërmjet së cilit do të tentojë ta kapitalizojë në politikën e brendshme amerikane.

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim, Presidenti Trump, i ka vënë vetës qëllim që në ndonjë vend të botës, ta arrijë një sukses të madh i cili do të cilësohet si arritje e madhe në bërjen e paqes së qëndrueshme dhe, të cilin sukses do të synojë ta kapitalizojë në politikën e brendshme amerikane, gjegjësisht në garën politike kundër demokratëve”, tha Duhanaj.

Sipas Duhanajt, nëse i analizojmë pak përpjekjet e tij. Ai filloj me Korenë e Veriut, por nuk ja doli të ketë ndonjë depërtim thelbësorë. Pastaj çështja tejet e paqartë në lindjen e mesme dhe e cila nuk shihet që ka ndonjë dritë në fund të tunelit.

“E vetmja mundësi reale, i mbetet çështja e Kosovës dhe Serbisë. Ku edhe pala serbe ka qasje interes dhe përafruese me SHBA-të. Në ketë kontekst, SHBA, gjegjësisht Presidenti Trump, nuk do të lerë mundësinë t'i dalë nga dora dhe, do të bëjë përpjekje që ta arrij marrëveshjen e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë. Në ketë rrugë, as nuk do të lejojë lojëra me taksa e as nuk do të lejojë lojërat diplomatike të tipit Daçiq”, tha Duhanaj.

Më tej, Duhanaj, shtoi se ndër vendimet e para që do ta presin Qeverinë e re do të jenë, heqja e taksës dhe rifillimi i dialogut me Serbinë.

Grenell favorizon një qeveri LVV-LDK?

Nga ana tjetër, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Daut Dauti, për “Bota sot”, tha se vizita e Grenellit duhet të interpretohet si ngjallje e interesit të administratës së Trumpit për zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi.

Sipas tij, në lidhje me këtë, ai bëri me dije se bisedimet duhet të fillojnë e mbarojnë shpejtë. Ky është një qëndrim që e ka thënë edhe Ambasadori Kossnet më parë.

Image
Daut Dauti

“Vizita e Grenellit duhet të interpretohet si ngjallje e interesit të administratës së Trumpit për zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi. Në lidhje me këtë, ai bëri me dije se bisedimet duhet të fillojnë e mbarojnë shpejtë. Ky është një qëndrim që e ka thënë edhe Kosnet më parë. Në parim, interesimi amerikan është për t’u përshëndetur. Tashti mbetët te politikanët se si do të nisë dhe zhvillohet procesi. Deklaratat e Grenellit përmbajnë një retorikë që duhet analizuar. Ta zëmë, ai ka thënë se nuk i intereson se me kënd bëhet koalicioni i ardhshëm qeverisë së Kosovës. Por simbolikisht ai ka bërë me dije se i intereson shumë kjo punë për shkak se vizita e tij u përqëndrua në takimet me kreun e LVV dhe LDK. Pastaj, deklarata e krijimit të punësimit për të rinjtë e Kosovës është mjaftë e pakuptimtë në shikim të parë. Por përmban premtimin: nëse merreni vesh, e rregulloni vetën dhe i hapni rrugë investimeve të huaja”, tha ai.

Më tej, Amerika, si çdo superfuqi, i fillon veprimet me premtime kërcënuese. Pastaj, i përshtatet realitetit dhe pranon gjendjen faktike.

“Natyrisht, është kështu nëse “lojtarët” tanë janë në gjendje ta luajnë lojën mirë dhe në dobi të vetën. Fakti që Grenell nuk i ka takuar udhëheqësit e partive tjera, ai ka bërë në dije se është në favor të një qeverie të përbërë LVV dhe LDK”, përfundoi ai.

Kosova të shkojë e përgatitur në dialog

Po ashtu, edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Nexhat Haziri, për “Bota sot”, tha se vizita e të dërguarit special të presidentit amerikan Donalt Trump, Richard Grenell, në Kosovë dhe Serbi, është një sinjal i qartë se SHBA-të janë të vendosura për ti dhënë epilog bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e epilog ky që do të prodhojë një marrëveshje përfundimtare në mes dy shteteve.

Image
Nexhat Haziri

“Brenda kësaj kornize unë shoh se pjesë e saj është edhe arritja e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë siç është ajo për Linjën ajrore Prishtinë-Beograd, dhe po ashtu linja hekurudhore ndërmjet të dy vendeve. Mesazhet që i la diplomati Grenell në Kosovë, siç ishte ajo për heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut, duhet të lexohen qartë dhe më vëmendje nga institucionet e Kosovës , sidomos nga dy partitë pretendente për të formuar qeverinë e koalicionit LVV-LDK”, tha ai.

Haziri, shtoi se kjo duhet të bëhet për faktin se administrata e presidentit Trump, është e vendosur për ta çuar përpara dialogun Kosovë –Serbi, dhe natyrisht kjo parashtron nevojën para palës së Kosovovës, që të jetë e përgatitur dhe e qartë në kërkesat e saja në raport me Serbinë, siç janë çështja e personave të zhdukur, dëmet e luftës, ndalimi I provokimeve dhe ndërhyrjet për tensionim të pjesës veriore të vendit, ndalimi i kampanjës kundër pavarësisë së Kosovës, e deri te njohja, jo si kushte, por si nevojë për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjate me Serbinë fqinje.

“Ndërsa për LVV dhe LDK-në, ky mesazh nga diplomati Grenell, duhet të përcillet me një reflektim të tyre të shpejtë për arritjen e marrëveshjes dhe formimin e qeverisë, e cila do të jetë bartëse e procesit të dialogut në emër të Kosovës që do të ishte shumë pozitive, pasi në të kundërthënëse Kosova vazhdon të përfaqësohet nga presidenti Thaçi, rreziku i koncesioneve të dhimbshme që do i bëjë z. Thaçi Serbisë, do të jenë me pasoja të paparashikueshme për vendin, por do të jenë të mirëpritura për karrierën politike të presidentit Thaçi, dhe njëfarë amnestimi për të nga ana e Gjykatës Speciale”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat