“Presidenti Thaçi dhe PDK-ja po bëjnë presion që vendi të shkojë në zgjedhje”

Politika

“Presidenti Thaçi dhe PDK-ja po bëjnë presion që vendi të shkojë në zgjedhje”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 janar 2020 Në ora: 20:04
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kosova ende ka mbetur pa institucione, ndonëse kanë kaluar më tepër se tre muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Edhe pse vendi ishte në krizë edhe me qeverinë e fundit e përfshirë edhe në disa skandale, tani aktualisht një krizë edhe me e thellë po ndodhë për shkak të mosarritjes së marrëveshjes për qeverinë e re.

Vetëvendosje e LDK si parti të para të dala nga zgjedhjet nuk po arrijnë një marrëveshje për të formuar qeverinë dhe institucionet. Albin Kurti, kreu i partisë fituese, Vetëvendosjes ka dërguar tek Presidenti emrin e tij për ta mandatuar si kryeministër. Kanë mbetur edhe disa ditë deri në afatin e fundit për të arritur marrëveshjen me LDK-në për të siguruar numrat për votimin e qeverisë.

Gazeta ka kontaktuar me zyrën e Presidentit për ta pyetur për hapat e mëtutjeshëm për krijimin e institucioneve. Mirëpo, ata nuk e kanë komentuar fare.

Njohësit e çështjeve juridike në vend kanë deklaruar për “Bota sot”, se nuk ka afate të caktuara për krijimin e institucioneve pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Smaka: Nuk ka afat deri në formimin e qeverisë

Image
Riza Smaka

Kështu profesori i juridikut, Riza Smaka në një prononcimin për gazetën tonë thotë se nuk ekziston një afat nga përfundimi i zgjedhjeve deri në nominimin e mandatarit.

“Mjerisht nuk ekziston afati i fiksuar nga përfundimi i zgjedhjeve deri në nominimin e mandatarit për formimin e Qeverisë. Në rast të tillë të vakuumit juridik duhet të aplikohet interpretimi në rastin konkret interpretimi logjik e teleologjik dhe të konkludohej afati në fjalë në një diapazon tridhjetë ditor”, thekson Smaka.

Ai thotë më tutje se Presidenti nuk është dashur të veprojë në atë mënyrë, por të kërkoj opinion nga Gjykata Kushtetuese.

“Presidenti është dashtë të vepronte ashtu eventualisht të kërkonte opinion juridik nga Gjykata Kushtetuese. Së andejmi Presidenti do të duhej që konform me nenin 95 të Kushtetutës të nominonte z. A. Kurti për të formuar strukturën e Qeverisë e të njëjtën për t’ia propozuar Kuvendit”, thekson Smaka.

Burjani: Presidenti po bën trysni së bashku me PDK, për ta rikthyer PAN-in

Image
Blerim Burjani

Po ashtu edhe njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se Presidenti Hashim Thaçi bashkë me PDK-në po bëjnë trysni që të dështoj ky koalicion dhe të shkojnë në zgjedhje.

“Nuk ka afate, presidenti po bën trysni së bashku me PDK, dëshira e tyre është të dështoj plotësisht ky koalicion, ata janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje, tentativa është me u rikthyer PAN dhe korrupcioni, sundimi partiak, me vazhdua kapja e shtetit”, vlerëson analisti Burjani.

Ai thotë më tutje se, Kosova duhet të gjej një alternativë për të hequr nga pushteti partitë si PAN-i dhe të ndryshojnë ligjin për zgjedhjet në Kushtetutën e Kosovës.

“Kosova duhet të gjej alternativën duhet një vetëdijesim i madh për hequr parti të tilla si PAN që e kanë sjell përfitimin dhe plaqkën në shtet, ne duhet të ndryshojmë ligjin për zgjedhjet dhe kushtetutën për të mos lejuar sundim përmes katër a pesë partive që përfitojnë, ky sistem proporcional duhet të ndryshohet”, vlerëson më tutje Burjani.

Ndryshe, zgjedhjet e fundit në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor të vitit që lamë pas. Konsitutimi i këtyre zgjedhjeve zgjati shumë, në fillim me numërimin e këtyre votave, kur ndodhi edhe helmimi i atyre që erdhën nga Serbia. E më pas disa shkuan në rinumërim, kështu duke e ngadalësuar tërë procesin e shpalljes së rezultateve.

Rezultatet përfundimtare nxorën si fituese të parë Lëvizjen Vetëvendosje dhe më pas Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e nxjerrë kështu në opozitë pas shumë vitesh Partinë Demokratike të Kosovës.

Me gjithë rezultatin, LVV e LDK nuk po gjejnë një kompromis për formimin e institucioneve. Në seancën për konstituimin e Kuvendit dolën pa marrëveshje, megjithatë ia arritën ta zgjedhin kryesinë, duke zgjedhur Glauk Konjufcën nga Vetëvendosje si kryetar të Kuvendit për legjislaturën e shtatë. Por tani, që ka kaluar gati një muaj nga zgjedhja e tij, po kërkohet dorëheqja e tij nga LDK-ja për të arritur marrëveshjen e përbashkët.

Pasi që kanë mbetur edhe pak ditë afat për të arritur një kompromis ndërmjet këtyre partive, egziston rreziku i formimit të institucioneve nga partitë pa përfshirjen e Vetëvendosjes apo LDK-së, apo që vendi sërish të shkoj në zgjedhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat