A ka gisht SHIK-u në vrasjen e Nazmi Rrustemit?

Politika

A ka gisht SHIK-u në vrasjen e Nazmi Rrustemit?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 25 janar 2020 Në ora: 21:54
Nazmi Rrustemi

Një vdekje e cila fillimisht nuk bëri aq shumë bujë, mbase edhe pse i ndjeri punonte si rojtar pylli, që paradoksalisht tek ne njerëzit vlerësohen në baze të pozitës që kryejnë, e jo asaj si e bëjnë një gjë të tillë. Sapo dolën informacionet se tashmë i ndjeri Nazmi Rrustemi që u vra me 18 dhjetor, ka qenë dëshmitar i Tribunalit Special interesimi për rastin në fjalë u shtuan. Konfirmimin e një gjëje të tillë e bëri gruaja e të ndjerit, e cila ka thënë se para tre muajve ai ishte intervistuar nga hetues të EULEX-it në cilësinë e dëshmitarit. Madje bashkëshortja Elmaze Rrustemi thotë se gjatë luftës Nazmiu ishte marrë peng nga UÇK-ja. “Ka thanë më kanë thirr në EULEX edhe u shku, kur erdh i thashë çka u bo?, tha sen, mirë është puna edhe kurgjo. Mbas mrami qytu në EULEX u kanë”, thotë gruaja e tij.Kjo shton dyshimet se vrasja e Nazmi Rrustemi i vdekur afër Liqenit të Badovcit me datë 18 dhjetor të vitit që lamë pas, mund të ketë lidhje pikërisht me dëshminë e tij lidhur me marrjen e tij peng gjatë luftës nga UÇK-ja.

Nazmiu nuk është i vetmi dëshmitar që vrit, apo edhe aksidentohet e shumë forma të tjera që aplikohen nga bandat në të gjitha vendet e botës. Vrasja e tillë shpërfaq fare mirë fytyrën e shtetit, të atij shteti që i shërben një grupi të caktuar të njerëzve. Derisa Prokuroria hesht për një vrasje të tillë, urdhërdhënësit ndihen më të qetë, më të pa kapur nga drejtësia të cilës i kanë ikur tani e njëzet vjet. Një vrasje e tillë është përgjegjësi e Speciales e cila nuk i ka garantuar mbrojte dëshmitarit, u desh që Nazmiu të vritet që të vë në lëvizje këtë institucion. Si rrjedhojë, javët e fundit Specialja ka hapur konkurs për 33 vende të lira në këtë institucion. Të gjithë të rekrutuarit, do të jenë staf ndërkombëtar, në bazë të ligjit për dhomat e Specializuara të Tribunalit dhe Prokurorisë i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës. Sidoqoftë, në konkurs vërehet se Specialja është duke kërkuar edhe oficerë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Me shtimin e numrit të oficerëve edhe siguria mund të jetë më e lartë, e të cilën duhet të garantoj në këtë rast Specialja.

Nëse Nazmiu do të ishte pjesë e bandave në pushtet s`do të kishte mbet rojat pylli, por sigurisht se do të kishte qenë ministër, apo ndonjë drejtor diku. Në këtë shtet ku nuk garantohet dinjiteti, dhe kush do që u del përpara banditëvë përfundon në vrasje. Ka ndodhur disa raste të tjera, që sot e kësaj ditë kanë ngelur të pazbardhura. Pikërisht mbetja e tyre enigmë shkakton edhe më shumë pasiguri për qytetarët, duke legjitimuar të drejtën e secilit për të ndërlidhur këto vrasje me organizim të tyre nga njerëz me pozita të larta në shtet. SHIK-u, ndonëse zyrtarisht është shuar, aktivitetin e saj nuk e ka shuar, njerëz të saj kryesor vetëm po rritën në pozitat kryesor brenda PDK-së, e të cilët kanë qenë në pushtet deri në 6 tetor të viti që lamë pas.

As optimistët më të mëdhenj s`kanë asnjë arsye të besojnë se vrasja e Nazmiut do të zbardhet, së paku derisa shteti të çkapet nga elementët kriminale të SHIK-ut. Për të ndodhur një gjë e tillë duhet të vijnë në pushtet njerëz të rinj, me vullnet dhe dëshirë të punojnë për të mirën e vendit.

Vrasja e Nazmiut në vendin e tij të punës, nga ku siguronte bukën për familjen e tij, është vrasje kriminale, që duhet të na shqetësoj të gjithëvë.

Derisa ende nuk dimë, dhe mbase kurrë s`do e mësojmë, me të drejtën lind pyetja a e vrau SHIK-u, apo kush tjetër Nazmi Rrustemin?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat