Dorëzohet Albin Kurti, kërkohet ndërhyrja e QUINT-it në negociatat LVV-LDK

Politika

Dorëzohet Albin Kurti, kërkohet ndërhyrja e QUINT-it në negociatat LVV-LDK

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 28 janar 2020 Në ora: 08:14
Albin Kurti

“Në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes. Një takim i radhës do të ndodhë nesër, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë) dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje, pas takimit Kurti-Mustafa që u mbajt të hënen.

Edhe në takimin e ditës së hënë, krerët e të dyja partive; Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk arritën marrëveshje e koalicionit për bashkëqeverisje.

Takimet mes të dyve palëve edhe me tej kanë ngecur si pasojë e mospajtimeve për postin e kryeparlamentarit.

Mustafa para hyrjes në takimin që u mbajt në Kuvend, nuk ka dhënë siguri se do të arrihet marrëveshja, me ç’rast ka deklaruar se “jemi të vullnetshëm për marrëveshje në mënyrë që të procedojmë më tutje”.

Në këtë takim këto parti kanë hyrë pa lëshuar pe ndaj njëra-tjetrës, ku VV-ja thotë se nuk heqin dorë nga kryekuvendari, kurse LDK e do me kusht këtë pozitë.

Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike të Kosovës kanë refuzuar ofertat njëra-tjetrës. E fundit është se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të tërhiqet nga pozita e kryetarit të Kuvendit e që aktualisht e mban Glauk Konjufca, i zgjedhur në seancën e 26 dhjetorit.

Në këmbim të kësaj pozite VV-ja ka shprehur gatishmërinë që LDK-së t`i ofrojë një ministri më shumë, 6 VV , 4 LDK.

Mustafa: Jemi të përkushtuar për marrëveshje

Lideri i LDK-së Isa Mustafa ka dhënë një deklaratë para se të nisë takimin me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Mustafa tha para se të mbahet mbledhja e kryesisë së LDK-së, se janë të përkushtuar për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje, pasi nuk ka kuptim të vazhdohet më kështu.

Image
Isa Mustafa

“Ju njoftojmë para se të merremi vesh me Vetëvendosjen. Ka mbetur për t’u caktuar. Më merr mendja që po. Gjithmonë po bëjmë përpjekje. Unë jam i përkushtuar për atë, sepse s’ka kuptim më që endja kjo të vazhdohet. Kështu që do të bëjmë përpjekje ta kryejmë”, theksoi Mustafa.

Agim Veliu: Nuk heqim dorë nga kryeparlamentari

Kurse, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu para takimit Kurti-Mustafa tha se nuk do të heqin dorë në asnjë variant nga posti i kryeparlamentari.

Veliu pas mbledhjes së kryesisë së ngushtë të LDK-së, tha se ata qëndrojnë pas ofertës së fundit të tyre.

Image
Agim Veliu

“Ne po presim nga VV që të deklarohet për ofertën tonë. Oferta jonë është me kryeparlamentarin dhe pesë ministri dhe zotimin për president”, tha ai.

Ky qëndrim sipas Veliut është i gjitha organeve drejtuese të LDK-së.

“Ky qëndrim është i organeve të LDK-së, këshillit përgjithshëm dhe kryesisë, nuk e besoj se dikush e kundërshton”, tha ai.

“Gjasat janë që të ketë një takim, sigurisht...unë mendoj se ky proces duhet të mbyllet, çfarëdo epilogu të ketë. Duhet të ketë një kohë që të kryhen disa punë dhe detyra që na presin. Qoftë ai pozitiv, edhe në rastin tjetër, VV duhet të ketë kohë t’i shqyrtojë pozicionet e saj dhe të bëj përpjekje tjera. Sipas mendimit tim duhet të ndodhë tani”, tha ai.

Pas takimit Kurti-Mustafa, u deklarua edhe Albulena Haxhiu, tregoi çka ndodhi brenda

Mes të pranishmëve në takim e së hënës ka qenë edhe anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Image
Albulena Haxhiu

Ajo në një prononcim ajo tha se “takimi ka përfunduar pa marrëveshje, ndërsa u ra dakord që të vijohet me negociatat”.

“Siç e dini ka patur një takim mes LVV-LDK por ende nuk ka një marrëveshje për tu njoftuar në publik. Në këto kushte, mbetet që të shihemi sërish”, ka deklaruar deputetja e Lëvizjes Vetevendosje, Albulena Haxhiu.

Vetëvendosje njofton me komunikatë: S’ka marrëveshje

Lëvizja Vetëvendosje zyrtarisht njoftoi se as pas takimit të së hënës mbrëma në Kuvendin e Kosovës me LDK-në nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë.

Nuk ka marrëveshje për koalicion qeverisës mes LVV-së dhe LDK-së, as pas takimit që zgjati më shumë se dy orë.

“Në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Një takim i radhës do të ndodhë nesër, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e QUINT-it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë) dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje kujton se kanë mbetur edhe tetë ditë deri më 4 shkurt, kur skadon afati për formimin e Qeverisë.

“Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”.

Derisa LVV-ja këmbëngul se nuk do ta heqë Glauk Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit në të cilën është zgjedhur më 26 dhjetor, LDK-ja thotë se i takon asaj ky post dhe se nuk bën marrëveshje pa u liruar karrigia e Kreut të Kuvendit.

Por cilat janë ofertat e fundit që dy partitë i bën njëra-tjetrës, çka u bllokuan bisedimet, deri ditën e sotme.

Më 14 janar, Kurti i dërgoi letër Mustafës, ku i bëri ofertë për rritjen e shtimit të ministrive nga 12 në 14 sosh, me ç’rast VV i ka 5 ministri kurse LDK 6 ministri, si dhe për Presidentin bëhet një formulim i përbashkët bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.

Këtë propozim LDK nuk e pranoi, dhe një ditë pas i dërgoi propozim VV-së.

LDK-ja i tha VV-së se e do kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë partisë së Kurtit.

Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

Kurse sa i përket numrit të ministrive LDK i tha VV-së se duhet të mbete në 12, siç janë dakorduar më herët, me përjashtim që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Sa i përket Presidentit, LDK-ja tha se partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, do të përkrahin kandidatin e propozuar prej tyre.

Si rezultat i kësaj marrëveshje, partia e Mustafës tha se deri në zgjedhjen e Presidentit: VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.

Kurse pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja: VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat