“Rama duke luajtur protagonistin kryesor regjional, po e humbë edhe arsyen”

Politika

“Rama duke luajtur protagonistin kryesor regjional, po e humbë edhe arsyen”

Nga: G.B Më: 28 janar 2020 Në ora: 20:56
Edi Rama

Nuk është hera e parë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, hedhë akuza në drejtim të politikanëve të Kosovës.

Pas takimit të së hënës me kancelaren gjermane Angela Merkel, ai foli edhe për Mini-Shengenin dhe kundërshtimin e Kosovës për t’u përfshirë në nismën rajonale.

Rama tha se Merkel mbështet Shengenin ballkanik, pasi kjo nismë rajonale konsiderohet shumë domethënëse.

Ai madje tha se po bëjnë politikë dyfytyrëshe dhe provinciale, që për disa vota po hedhin baltë ndaj Shqipërisë.

“Dhe kjo është diçka që përfitoj nga rasti ta them edhe pse nuk ishte pjesë e drejtpërdrejt e diskutimeve të kancelares që është për të ardhur keq madje për të qenë të dëshpëruar me këtë dyfytyrësi që nga një anë shfaq buzëqeshjen të zgjatur servile dhe nga ana tjetër shfaq dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin si motër, si vëlla pjesë e të njëjtit komb”, deklaroi Edi Rama.

Image
Leon Duhanaj

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nëse Rama ka thënë ashtu, ai projekt duhet ta ketë përkrahjen e BE-së, por që emërtimi ka qenë iritues dhe nuk ka pasur informata të sakta lidhur me të.

“Nëse Rama në prezencën e Merkel kritikon politikanët kosovarë për mospjesëmarrja në proceset integruese të Ballkanit perëndimor (të ashtuquajturit "Shengen" i Ballkanit), atëherë për mendimin tim, ky projekt duhet ta ketë përkrahjen e Berlinit zyrtar. Natyrisht që agjenda e një integrimi të regjionit ka qenë agjendë e Berlinit, përkatësisht e BE-së. Por, ajo çfarë ndodhi ishte se emërtimi si "Shengeni" i Ballkanit, ka qenë iritues dhe ka ndikuar që në opinion të mbizotërojnë më shumë dezinformatat se sa informatat e sakta”, është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, ky proces nuk u kundërshtua si i papranueshëm dhe se nuk bëjnë politikë të sinqertë.

“Në anën tjetër as politikanët kosovarë, nuk e kanë kundërshtuar ketë proces si të papranueshëm. Ishte kandidati për kryeministër Kurti, që në atë kohë, nuk e kundërshtoi në parim idenë, por që deklaroi se Rama është ngutur. Kjo nënkupton se politikanët tanë shqiptarë, si këndej, si andej kufirit, por edhe të tjerët, nuk bëjnë politikë parimore dhe të sinqertë në raport me qytetarët e tyre. Ata ndryshe flasin, ndryshe veprojnë”, ka vlerësuar ai.

Më tej, ai ka thënë se ka hapësirë për kritika ndaj politikanëve të Kosovës por që edhe Rama nganjëherë mundohet ta luajë protagonistin kryesor dhe po e humbë edhe arsyen.

“Pra, procesi integrues duhet të ndodhë patjetër, sepse është mision që e synojnë të gjithë. Ndryshe, cila do të ishte arsyeja e vullnetit për integrim evropian kur është e njëjta gjë. Pra, mendoj që ka hapësirë për kritika ndaj politikës kosovare sepse ka kalkulime elektorale në deklarimet politike të tyre. Megjithatë, ka edhe vend për ta amortizuar Rama, i cili duke u munduar ta luajë protagonistin kryesor regjional, po e humbë nganjëherë edhe arsyen”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat