Kjo ishte porosia e Richard Grenell për dialogun Kosovë-Serbi

Politika

Kjo ishte porosia e Richard Grenell për dialogun Kosovë-Serbi

Nga: G.B Më: 29 janar 2020 Në ora: 18:59
Richard Grenell

Pas marrëveshjes Kosovë-Serbi për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, kanë filluar edhe bisedimet për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi për linjën hekurudhore.

Grenell tha se takimi i mbajtur të hënën në Berlin shkoi mirë.

Lidhur me këtë dhe se a nënkupton kjo rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Grenell erdhi në Kosovë për të treguar se bashkësia ndërkombëtare ka filluar të humb durimin dhe se do të ndërmerr hapat konkret për të kryer punët e rëndësishme.

Image
Skënder Zogaj

“I dërguari i presidentit amerikan, ambasadori Richard Grenell, erdhi në Kosovë për të treguar se bashkësisë ndërkombëtare ka filluar me iu sos durimi dhe se nuk do të pres më, por do të ndërmerr hapa konkret për kryerjen e disa detyrave që ajo i konsideron të rëndësishme për zhvillimet e reja strategjike ndërkombëtare në rajon”, është shprehur ai.

Zogaj ka thënë se Grenell arriti marrëveshjen ajrore dhe tani po tenton të arrijë atë hekurudhore.

“Grenell e sa çel e mbyll sytë e arriti marrëveshjen e aktivizimit të ndërlidhjes ajrore Prishtinë - Beograd dhe, pas saj edhe rivendosjen e linjës hekurudhore Prishtinë -Beograd. Pra, i rivendosi lidhjet ajrore dhe hekurudhore, që e lehtësojnë qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave nga vendet e lira dhe të pavarura të Botës dhe BE-së në Ballkan dhe anasjelltas”, ka vlerësuar Zogaj për “Bota sot”.

Sipas tij, Grenell dha porosinë se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut por që deri në formimin e qeverisë së re, adresa e vetme është qeveria ne detyrë dhe presidenti Hashim Thaçi.

“Kjo iniciativë u prit me buzëqeshjet vesh më vesh nga udhëheqjet më të larta të Kosovës dhe Serbisë! Domosdo, sepse, kësaj here mungoi karota dhe "trimat me fletë" vetëm duartrokitën! Grenell kreu detyrat e veta, që nënkuptonin edhe porosinë amerikane që Kosova dhe Serbia duhet t'i kthehen dialogut dhe të merren vesh! Grenell e tha qartë se "duhet" të bisedohet, por jo se kush duhet të bisedojë!? Por, në rrethanat konkrete, derisa të mos krijohet qeveria e re, është vetëm një adresë: qeverinë në detyrë dhe presidentit Hashim Thaçi”, ka deklaruar Skënder Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat