A do të jenë Kurti e Thaçi të njëzëshëm përballë Serbisë?

Politika

A do të jenë Kurti e Thaçi të njëzëshëm përballë Serbisë?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 shkurt 2020 Në ora: 08:00
Hashim Thaçi, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Përkundër përplasjeve për gati pothuajse dy dekada, shefi i ri i qeverisë, Albin Kurti, për herë të parë ka kërkuar publikisht koordinim me kreun e shtetit, Hashim Thaçi, në fushën e politikës së jashtme.

Kryeministri Kurti ka thënë se koordinimin me Hashim Thaçin po e kërkon për të mos pasur kakofoni në diplomaci.

“Unë besoj që tashmë është urgjente që ne të kemi një politik unike në arenën ndërkombëtare që të mos vazhdohet në mënyrën e këtyre 2-3 viteve të fundit. Qeveria e re e Kosovës unë si kryeministër i ri, dua që të koordinohemi edhe me presidentin aktual në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni që me siguri bëhet e dëmshme edhe jashtë vendit dhe brenda vendit, mendoj se sot kjo është detyra më rëndësishme për shtetin tonë e jo atë se ku kush do të jetë pas disa muajsh apo pas një viti”, tha kryeministri Kurti.

Njohësit e kësaj fushe janë të mendimit se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka ndryshuar dukshëm, duke u shndërruar nga një politikan i pathyeshëm në qëndrimet e tij në një politikan pragmatist, e sidomos pas marrjes së pozitës së kryeministrit.

Ndërsa, konsiderojnë se bashkëpunimi Kurti-Thaçi është i pashmangshëm si dhe një lëvizje e duhur në konstelacionet e reja politike të krijuara pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Preteni: Bashkëpunimi Kurti-Thaçi është i pashmangshëm

Image
Musa Preteni

Musa Preteni në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se shefi i qeverisë ka ndryshuar dukshëm, duke u shndërruar nga një politikan i pathyeshëm në qëndrimet e tij në një politikan pragmatist.

Sipas Pretenit, qëndrimi i kreut të qeverisë mbi koordinimin e tij dhe presidentit Thaçi mbi politikën e jashtme është një lëvizje e duhur.

“Albin Kurti, tashmë kryeministër i vendit, ka ndryshuar dukshëm, duke u shndërruar nga një politikan i pathyeshëm në qëndrimet e tij në një politikan pragmatist, e sidomos pas marrjes së pozitës së kryeministrit. Qëndrimi i Kurtit mbi koordinimin e tij dhe presidentit mbi politikën e jashtme konsideroj se është një lëvizje e duhur, pasi që ai tashmë mban pozitën më të rëndësishme ekzekutive në vend e mbi të gjitha nuk është më në pozitën e liderit opozitar nga ku luante shumë më ashpër e pamëshirshëm në raport me pushtetin”, ka thënë politologu.

Tutje, ai është i mendimit se bashkëpunimi Kurti-Thaçi është i pashmangshëm në konstelacionet e reja politike të krijuara pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Konsideroj se bashkëpunimi jo vetëm që duhet të ndodh, por edhe është i pashmangshëm në konstelacionet e reja politike të krijuara pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Por se si do të shkojë ky bashkëpunimi dhe nëse do të japë rezultat koordinimi të politikës së jashtme mbetet të shihet, pasi që momentalisht qëndrimi i tyre sidomos në raport me Serbinë deri më tani ka qenë tërësisht dhe mbetet i kundërt”, është shprehur ai.

Ndërsa, politologu Preteni thekson se dy liderët përfundimisht duhet të koordinojnë qëndrimin mbi dialogun dhe Kosova të jetë e njëzëshme në raport me Serbinë.

“Qëndrimi i presidentit për korrigjim të ‘lehtë’ të kufirit do të jetë pika ndarëse mes dy liderëve institucionalë, Thaçit dhe Kurtit. Dy liderët përfundimisht duhet të koordinojnë qëndrimin mbi dialogun dhe Kosova të jetë e njëzëshme në raport me Serbinë, e sigurisht kjo ndodh vetëm kur presidenti heq dorë nga ndryshimi i kufijve që konsideroj të jetë zgjidhja më e keqe që mund t’i vijë Kosovës”, ka theksuar ai.

Mehmeti: I vështirë një koordinim Kurti-Thaçi

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, deklaron se është e vështirë për Kurtin që të ketë sukses në tentimet e tija që të ketë bashkëpunim me Hashim Thaçin, për disa arsye.

Një prej arsyeve Mehmeti për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është se Thaçi nuk mund t’i mbrojë interesat e Kosovës në raport me Serbinë, pasi sipas tij, në rend të parë ky i fundit ka interesin personal.

“Jo vetëm Kurti, por asnjë nga politikanët e ndershëm, e kanë të vështirë për të pasur sukses në bashkëpunim me Thaçin. Jo vetëm në ketë temë, por në përgjithësi. Duke u ndalur në raport me bisedimet me Serbinë, them se vështirë është të ketë Kurti sukses në tentimet e tija që të ketë bashkëpunim me Hashim Thaçin, për disa arsye. Së pari Thaçi është i prirur për të qenë protagonist, i tillë ishte edhe në Rambuje, dhe i tillë ka vazhduar të mbetet. Së dyti, Thaçi nuk mund t’i mbrojë interesat e Kosovës në raport me Serbinë, pasi në rend të parë ka interesin personal”, ka deklaruar Mehmeti.

Me tej, analisti politik konsideron se është i vështirë një koordinim Kurti-Thaçi, edhe pse shprehet se është i domosdoshëm për Kosovën.

“Kompromiset e tija të kërkuara në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja e Gjykatës Speciale ku dosjet janë hartuar nga prokurorë serb të afërt me Vuciqin. Përveç kësaj Thaçi është destruktiv në raste të tilla, nga mania për mos të marrë të tjerët primatin. Andaj, e shoh të vështirë një koordinim të tillë, edhe pse është i domosdoshëm”, ka thënë analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Elezaj: Deklarata e Kurtit për bashkëpunim, deklaratë e një burrë shteti të pjekur

Image
Rexhep Elezaj

Kurse, analisti tjetër, Rexhep Elezaj, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deklarata e kryeministrit Albin Kurti, se do bashkëpunojë me presidentin Hashim Thaçi, është deklaratë e një burrë shteti të pjekur dhe serioz, i cili e respekton Kushtetutën e vendit, sipas të cilës edhe presidenti e zbaton politikën e jashtme të vendit bashkë me organet tjera si dhe me qeverinë.

“Duke pasur parasysh se presidenti Hashim Thaçi gjatë dy mandateve të qeverisë “Mustafa” dhe “Haradinaj” udhëhiqte dhe bënte politikë të jashtme krye me vete pa bashkëpunim obligues me kryeministrin e vendit, sidomos gjatë kohës së bisedimeve me Serbinë në Bruksel, që rrjedhimisht nuk duhet pritur se gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti do të ndodhë e njëjta gjë. Politika e jashtme e Kosovës domosdoshmërish do jetë unike përballë sfidave të reja me regjimin fashist të Aleksandër Vuçiqit në bisedimet e ardhshme, ngase faktori politik në Prishtinë nuk mund të ketë dy politika nacionale karshi Serbisë ose të njëjtës çështje, siç ka ndodhur në vitet e kaluara”, ka thënë ai.

Ai ka bërë me dije se kur është në pyetje interesi ynë kombëtar, udhëheqësit tanë shtetëror duhet të koordinohen ngushtë lidhur me çdo çështje.

“Pra, nuk ka asgjë jo të natyrshme në deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, pa marrë parasysh raportet e tyre jo të mira institucionale dhe personale, sepse kur është në pyetje interesi ynë kombëtar, udhëheqësit tanë shtetëror duhet të koordinohen ngushtë lidhur me çdo çështje që ka të bëjë me interesat e Kosovës brenda si dhe në arenën ndërkombëtare, duhet të harmonizojnë platformë të përbashkët me partitë parlamentare, të formojnë ekip unik negociues për të zhvilluar bisedime me Serbinë dhe atë në formë unike, e jo me politika partiake dhe personale, e që shpeshherë përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës në Bruksel lenin shije dhe imazh të gërditshëm para faktorëve ndërkombëtar, sipas asaj thënies; ‘njëri thumbit, tjetri patkoit...”, ka bërë me dije Elezaj.

Krejt në fund, analisti politik nënvizon është diçka irelevante se a do të pajtohen apo jo kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi me njëri-tjetrin.

“Kjo mënyrë qesharake dhe në dëm të Kosovës në qeverisjen e Albin Kurtit, nuk mund të ndodhë më, kështu që, se a do të pajtohen apo jo kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi me njëri-tjetrin, është diçka irelevante, ani pse do të ishte mirë për Kosovën që raportet e tyre të relaksohen në masën që t’i bëjnë mirë shtet ndërtimit të mirëfilltë të Kosovës që sa më shpejt ta zëmë hapin e humbur me fajin tonë, drejt integrimeve euro-atlantike, aty ku Kosova e ka vendin e natyrshëm”, ka përfunduar analisti politik, Rexhep Elezaj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat