Albulena Haxhiu dhe Agim Veliu do t’ia sjellin Kosovës liberalizimin e vizave

Politika

Albulena Haxhiu dhe Agim Veliu do t’ia sjellin Kosovës liberalizimin e vizave

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 shkurt 2020 Në ora: 08:13
Agim Veliu, Albulena Haxhiu

Prej vitesh, politikanët japin deklarata në lidhje me liberalizimin e viza. Ata kanë dhënë shpesh afate kohore se kur do të bëhet liberalizimi i vizave, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

E për ta hequr izolimin ndaj qytetarëve të Kosovës, Bashkimi Evropian ka vendosur si kusht luftimin e krimit dhe korrupsionit, kusht ky që ende nuk është përmbushur.

E tani kur kemi Qeverinë Kurti, sa ka shpresë që të plotësohet kushti i BE-së dhe qytetarët e Kosovës përfundimisht të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen?

Zogaj: Liberalizimi i vizave është krejtësisht i varur nga funksionimi i shtetit ligjor

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se liberalizimi i vizave është i varur nga funksionimi i shtetit ligjor dhe Kosova nuk e ka marrë liberalizimin e vizave pasi nuk i ka përmbushur kriteret për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Image
Skënder Zogaj

“Liberalizimi i vizave është krejtësisht i varur nga funksionimi i shtetit ligjor, që ka të bëjë me funksionimin e drejtësisë dhe i organeve të hetuesisë që mbi të gjitha do të merreshin me luftimin e korrupsionit dhe i krimit të organizuar, që e ka hedhur Kosovën në fund të pusit! Këto janë kushtet e domosdoshme që Kosova nuk i ka plotësua prandaj nuk e ka merituar liberalizimin e vizave”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës po shajnë e po fyejnë, por që vendi është zhytur në pisllëk.

“Qytetarët e Kosovës që po shajnë e fyejnë dhe po e akuzojnë botën si e padrejtë, por në fakt nuk po e shohin veten që jemi zhytur në pisllëkun pafund, jemi bërë pjesë e të gjitha të këqijave, por fajin e shohim te të tjerët! Vet fakti se, pjesa më e madhe e qytetarëve tanë që dalin në botën e jashtme këtë e arrijnë përmes korrupsionit, është argument i dukurisë së shëmtuar që e manifestojmë, në vend se, të denoncojmë korrupsionin dhe strukturat korruptive të cilat po na e shterojnë frymën”, ka vlerësuar ai.

Zogaj shpresat i vë tek ministrja Albulena Haxhiu dhe ministri Agim Veliu, që ta çlirojnë drejtësinë dhe policinë dhe të sillet liberalizimi i vizave, pasi pengesë tjetër nuk ka.

“Unë shpresoj që Qeveria Kurti duke filluar nga ministrja Albulena Haxhiu dhe ministri Agim Veliu do ta çlirojnë drejtësinë, policinë dhe të gjitha organet hetuese nga kthetrat mafioze, në mënyrë që ta thyejnë strukturat kriminale dhe, kjo menjëherë do të sjellë liberalizimin e vizave! Asnjë pengesë tjetër nuk ka, prandaj, sa Qeveria, po aq edhe gjithë shtetasit duhet të distancohen dhe largohen nga korrupsioni dhe krimi i organizuar”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Voca: Një qeverisje me dinamikën aktuale sjellë liberalizimin e vizave këtë vit

Image
Mirsad Voca

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova ka hyrë në një periudhë kthese të madhe, me një qeveri të re, që do ta përshpejtojë edhe çështjen e liberalizimit të vizave.

“Tani Kosova ka hy në një periudhë kthese të madhe dhe me mundësi progresi. Kemi një Qeveri të re me figura të reja dhe kjo e ndryshon dinamikën e qeverisjes nga një model mini-oligarkik në një model më liberalo-social, gjë që, besoj se do të përshpejtojë edhe procesin e përafrimit me BE. Natyrisht se edhe çështja e liberalizimit të vizave do të përshpejtohet nga fakti se që në ditët e para të Qeverisë Kurti, filluan edhe arrestimet e para lidhur me disa krime ekonomike e korruptive dhe kjo dinamikë duhet të vazhdoj në formë konsistente”, është shprehur ai.

Sipas Vocës, nëse kem një qeverisje sikur në ditët e para, liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit.

“Nëse kemi një qeverisje me një dinamikë të tillë, më përgjegjëse dhe llogaridhënëse natyrisht se edhe liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit. Vetëm tani e tutje mund të shpresojmë e besojmë, jo vetëm në liberalizim të vizave por edhe në një kthesë të madhe sa i përket përmbushjes së funksionalizimit të Shtetit të së drejtës dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Natyrisht, entuziazmi dhe aspirimi duhet gjithnjë të jenë të pranishëm si në qeverisje ashtu dhe tek shoqëria që së bashku të veprohet që vendit t’i kthehen vlerat e nevojshme për të besuar në një të ardhme brenda Kosovës e jo vetëm jashtë saj”, ka deklaruar Mirsad Voca për “Bota sot”.

Lepaja: Faji tek vendet skeptike

Image
Fadil Lepaja

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se çështja e liberalizimit të vizave nuk ka të bëjë me plotësimin e kushteve por me anëtarët e shteteve të BE-së.

“Unë mendoj që çështja e liberalizimit të vizave nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me plotësimin e kushteve pasi që edhe z. Borell dhe zyrtarë të tjerë të BE tashmë janë deklaruar se Kosova i ka plotësuar kushtet formale të shtruara nga BE, por kjo çështje ka mbetur tek vetoja e disa vendeve anëtare të cilat mendoj se çështjen e vizave e kanë (keq)përdorur për të bërë presion politik për negociata me Serbinë”, ka vlerësuar Lepaja.

Por sipas tij, brenda kësaj qeverie do të bëhet liberalizimi i vizave, derisa shton se kjo qeveri do luftojë krimin dhe korrupsionin.

“Mendoj se çështjen e vizave do të kryhet gjithsesi brenda kësaj qeverinë, dhe varet shumë nga ndikimi serb dhe rus mbi disa nga këto vende që kanë shfaqur rezerva.Mendoj se krimin kjo qeveri do e luftojë pavarësisht ndikimit që do të ketë në liberalizimin e vizave sepse kjo pritet të jetë ndryshimi i kësaj qeverinë nga të mëparshmet të cilat krimin e kishin përfshi në institucione. Sidoqoftë, mendoj se gjasat për liberalizim janë më të mëdha me këtë qeveri se me këto të mëparshmet, nëse jo për asgjë tjetër atëherë për faktin se arritën që Kosovën ta izolojnë kaq shumë përkundër politikës së jashtme gati vazale”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat