Kosova përballë zëvendësimit të taksës me reciprocitet

Politika

Kosova përballë zëvendësimit të taksës me reciprocitet

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 shkurt 2020 Në ora: 22:03
Foto ilustrim

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti në ditët e para të punës së tij paralajmëroi zëvendësimin e taksës 100 % për produktet e Serbisë me masën e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. Ai tha, se zëvendësimi i taksës me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë ka qenë edhe premtim elektoral i tij dhe i partnerit të koalicionit Lidhjes Demokratike të Kosovës.

"Jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100%. Pra, ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti e dinjiteti, me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndër fqinjësore e bilaterale, e ky është reciprociteti”, tha kryeministri Kurti.

Pas një takimi që zhvilloi edhe me shefen e zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostollova. Kjo e fundit përsëriti kërkesën e vazhdueshme të Bashkimit Evropian, se Kosova duhet ta heqë taksën ndaj Serbisë dhe të vazhdojë dialogun për përmirësimin e marrëdhënieve.

"Konsiderojmë që taksa ka shkelur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshjet tjera në organizata si CEFTA, anëtare e së cilës është Kosova. Tash po presim që qeveria e re të dalë me propozime dhe ide të reja se si do ta trajtojë këtë çështje. Nuk dëshirojmë të parashohim se cila do të jetë zgjidhja, vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në sepse për ne është e rëndësishme, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fillojë”, tha Apostolova.

SHBA kërkon heqjen e taksës

Kujtojmë se ideja e zëvendësimit të taksës me masën e reciprocitetit, nuk është duke u mirëpritur nga vendet mike të Kosovës, ndonëse ato nuk janë shprehur decidivisht kundër.

Dick Custin, zëdhënës i të dërguarit të posaçëm amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i tha të martën mbrëma Zërit të Amerikës, se ambasadori Grenell kurrë nuk thënë se do të anulohen investimet në Kosovë, në rast se nuk hiqet taksa.

Ai në përgjigjen e tij u shpreh se “Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë një mesazh të keq sektorit privat se Kosova nuk është një vend për të bërë biznes. Ai ka dëgjuar nga shumë afaristë brenda Kosovës, përfshirë disa ndërmarrje amerikane, se tarifat po i dëmtojnë ata. Ambasadori Grenell u ka bërë të qartë udhëheqësve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë rezultatin e dëshiruar për të ndihmuar ekonominë nëse tarifat vazhdojnë të jenë në fuqi. Dhe zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera duke i quajtur ato “si masa të reciprocitetit " gjithashtu do të jetë kundërproduktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë", thuhet në deklaratën e zëdhënësit të të dërguarit të posaçëm amerikan Richard Grenell.

Burjani: Nuk ka taksë të përgjithshme në kuptimin e politikave tregtare

Image
Blerim Burjani

Në lidhje me këtë temë juristi dhe analisti politik, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që taksa nuk mund të jetë e përgjithshme në të gjitha mallrat.

“Nëse do të ketë reciprocitet Qeveria duhet të caktojë për cilat mallra do të ketë reciprocitet, pra duhet të ketë qartë Serbia se cilat,mallra i nënshtrohen taksat e cilat jo. Pra nuk ka taksë të përgjithshme në kuptimin e politikave tregtare, por ka disa nga produktet që mund të ruajnë prodhimtarin vendore dhe plasimin e produkteve vendore në tregun vendor. Ka shumë paqartësi në këtë çështje për shkak të kapaciteteve të ulëta të kuptimit të politikave tregtare”, përfundon për Burjani për “Bota sot”.

Mehazi: Rruga e reciprocitetit të Kurtit do jetë më e levërdishme ndërkombëtarisht dhe qeverisë së Kosovës

Image
Sulejman Mehazi

Analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”,u shpreh që taksa 100% ka humbur efektin e tij pasi për ta larguar taksën nuk kemi presion vetëm nga Serbia por edhe nga BE-ja.

Reciprociteti Kurtit do jetë më e levërdishme ndërkombëtarisht dhe qeverisë së Kosovës do t'i jepte favore nëpër instancat diplomatike evropiane

“Po të krahasojmë se cila do ishte më pozitive për Kosovën, tarifa 100% ndaj mallrave Serbe, apo reciprociteti i Albin Kurtit, do vërejmë se tarifa 100% e bëri efektin e vet gjate qeverisjes së Haradinajt, kurse me Qeverinë e re të Kurtit tarifa sikur e ka humbur efektin e vet për shkak kërkesave më të mëdha të Kurtit jo vetëm ndaj Serbisë me reciprocitetin, por edhe ndaj BE-së. Pasi tarifat janë bërë shkak për ndërprerjen e dialogut me Serbinë, atëherë ky problem duhet zgjidhur ndryshe, me anë të reciprocitetit. Nëse për Serbinë ngushticë dialoguese është tarifa, atëherë kjo duhet zëvendësuar me një hapje politike të reciprocitetit. Rruga e reciprocitetit të Kurtit do jetë më e levërdishme ndërkombëtarisht dhe qeverisë së Kosovës do t'i jepta favore nëpër instancat diplomatike evropiane. Heqjen e tarifes nuk e kërkon vetëm Serbia, por edhe diplomatet e huaj, për shkak se tarifat serbe janë bëre mollë sherri, Kosovë-Serbi”, u shpreh, Mehazi.

Më tej, Mehazi, tha që tarifat serbe janë bërë mollë sherri për të dy palët, edhe për Serbinë, edhe për Kosovën, këtë mollë sherri Albin Kurti e zëvendëson me reciprocitet të dyanëshëm, behu i mirë, bëhem i mirë, më respekto të respektoj, më njeh tët njoh.

“Me anë të tarifave Serbia humb miliona euro, po në anën tjetër, tarifat jo që e izolojnë Kosovën, por humb edhe diplomacinë evropiane e ndërkombëtare. Reciprociteti i Kurtit pajton Serbinë për të dialoguar me Kosovën, jep baraspeshë shtetërore, e mira serbe, kthehet me të mirë, e keqja me të keqe. Reciprociteti i Kurtit do jetë i dobishëm politikisht edhe ndaj BE-se dhe SHBA-së. Tarifat ndaj Serbisë ishin të dëmshme dhe për vet qeverinë e shkuar të Haradinajt, shkaku i tarifave serbe Haradinaj dha dorëheqje dhe u bënë zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë. Sìç duket tarifat serbe janë bërë mollë sherri për të dy palët, edhe për Serbinë, edhe për Kosovën, këtë mollë sherri Albin Kurti e zëvendëson me reciprocitet të dy-anshëm, behu i mirë, bëhem i mirë, më respekto të respektoj, më njeh tët njoh”, përfundoi, Mehazi.

Duhanaj: Këmbëngulje në reciprocitet parimorë siç janë çështjet e të drejtave respektive

Image
Leon Duhanaj

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh që reciprociteti nuk mund të ndodhë menjëhere sepse kjo do të thotë Serbia ta njoh Kosovën si shtet dhe ta pranoj si partner të barabartë.

“Në radhë të parë, deklarata për reciprocitet të plotë, ekonomik, politik e kulturorë, është totalisht e pasinqertë. Kjo ngase është momentalisht mision i pamundur. Kryeministri e di ketë, por edhe pse tashme ka filluar të bie në realitetin faktik, ende po vazhdon nga të sillet si opozitarë për t'ua bërë qejfin mbështetësve të vetë. Nuk mund që në start të ndodhë një gjë e tillë, sepse do të nënkuptonte që Serbia ta njoh shtetin e Kosovës dhe ta pranojë si partner të barabartë”, u shpreh Duhanaj.

Në fund Duhanaj tha që nëse hiqet taksa 100% dhe Serbia lejon shkëmbimin e mallrave pa problem, ata do të fitojnë me shumë se ne, sepse kanë kapacitete prodhuese dhe eksportuese me shimë, megjithatë do të duhej këmbëngulje në reciprocitet parimorë. “Kjo nuk pritet të ndodhë shpejt, prandaj kishte me qenë e udhës të kishim pak me shumë maturi dhe realpolitikë, se sa që kemi populizem pa mbulesë. Nëse hiqet taksa 100% dhe Serbia lejon shkëmbimin e mallrave pa problem, ata do të fitojnë me shumë se ne, sepse kanë kapacitete prodhuese dhe eksportuese me shimë, megjithatë do të duhej këmbëngulje në reciprocitet parimorë siç janë çështjet e të drejtave respektive, respektimi i marrëveshjeve e shumta dhe mospengimi i Kosovës në rrugëtimin e sajë”, përfundoi, Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat