Maloku: Dështim i pakontestueshëm i Kosovës është mos anëtarësimi në INTERPOL

Politika

Maloku: Dështim i pakontestueshëm i Kosovës është mos anëtarësimi në INTERPOL

Nga: N.H Më: 15 shkurt 2020 Në ora: 00:12
INTERPOL

Kosova edhe pak ditë feston dymbëdhjetë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, që shënon edhe kurorëzimin e një rrugëtimi shumë të vështirë e të gjatë të popullit shqiptar.

Politologu Albinot Maloku në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova përgjatë këtyre viteve nuk e kishte aspak lehtë.

Maloku shprehet se rrumbullakësimi i shtetësisë së saj ndodh atëherë kur Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së.

“Ajo këto 12 vite prej kur e shpalli pavarësinë e saj, nuk është se i pati të lehta e pa sfida, mirëpo ecejaket e saj nuk do të ndalen. Rrumbullakësimi i shtetësisë së saj ndodh atëherë kur Kosova do të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Maloku.

Me tej ai ka deklaruar se përvjetori i 12-të, Republikën e Kosovës po e gjen me qeveri të re, por me sfida shumë të mëdha.

Image
Albinot Maloku

“Të arriturat e saja në rrafshin diplomatik, sidomos viteve të para pas shpalljes së pavarësisë ishin shumë të mira. Më pastaj patë një regres. Përvjetori i 12-të, Republikën e Kosovës e gjen me qeveri të re, por me sfida shumë të mëdha. Sidomos ato sociale e ekonomike. Shteti i Kosovës patjetër që ka të arritura dhe ato janë të prekshme e të pakontestueshme, mirëpo edhe dështime të numërta”, ka deklaruar ai.

Maloku ka shtuar se dështim i pakontestueshëm i Kosovës është mos anëtarësimi në INTERPOL si dhe vazhdimi i mbetjes së shtetasve të Kosovës në pamundësi për të lëvizur të lirë.

“Dështim i pakontestueshëm i Kosovës është mos anëtarësimi në INTERPOL si dhe vazhdimi i mbetjes së shtetasve të Kosovës në pamundësi për të lëvizur të lirë si shtetasit e vendeve të rajonit. Ajo çfarë kërkon urgjencë e të jetë edhe prioriteti kryesor i qeverisë, e përmes së cilit do të matet puna e tyre është zhvillimi ekonomik dhe hapje e perspektivës për qytetarët. Kosova e qytetarët e saj padyshim që e kanë të ardhmen e sigurt, përderisa nuk e harrojnë kurrë peshën e pasjes së shtetit”, ka shtuar politologu Albinot Maloku, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat