‘PDK-ja e Kadri Veselit e ka vrarë shpresën e qytetarëve’, analisti zbulon detaje tjera se si kjo parti abuzoi me shtetin

Politika

‘PDK-ja e Kadri Veselit e ka vrarë shpresën e qytetarëve’, analisti zbulon detaje tjera se si kjo parti abuzoi me shtetin

Nga: N.H Më: 16 shkurt 2020 Në ora: 22:33
Kadri Veseli

Republika e Kosovës të hënën, më 17 shkurt, shënon 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Lidhur me këto 12 vite shtet, gazeta “Bota sot”, ka kontaktuar njohësin e rrethanave politike në vend, ku është biseduar për sfidat me të cilat është përballur Kosova gjatë kësajkohe.

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë fillimisht se mungesa e binomit meritor Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari, bëri që PDK-ja e Hashim Thaçit të përvetësojë dhe abuzojë me frytet e luftës.

“Mungesa e binomit meritor për liri e pavarësi, të mendjes dhe pushkës Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari, mundësuan PDK-në e Hashim Thaçit të përvetësojnë dhe abuzojnë me frytet e luftës, gjakun e dëshmorëve dhe me vetë pavarësinë e Kosovës, që nga akti i shpalljes së saj, me 17 shkurt 2008 e deri në ditët tona. Dëmtimi i proceseve të shtet-ndërtimit dhe i vet shtetësisë së Kosovës në faza të ndryshme, mbanë vulën e PDK-së dhe të krerëve të saja në maja të pushtetit dhe në shtet-kapje”, ka thënë ai.

Ai konsideron se Partia Demokratike e Kosovës ka abuzuar në kontinuitet me pushtetin, edhe në kohën e para pavarësisë.

Image
Fatmir Bajraj

“Ngufatja dhe degradimi total i shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit, duke u ngritë mbi ligjin dhe institucionet, ka filluar me procesin e privatizimit dhe uzurpimit të asetave nacionale, të një kaste e cila e shihte vendin dhe shtetin si pronë dhe çiflig, dhe institucionet si levë në shërbim të ‘çlirimtarëve’, synonim i PDK-së, si trashëgimtare e shtabit të Rognerit dhe SHIK-ut kriminal si kupolë e krimit dhe stërkeqes, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. PDK-ja, SHIK-iste, ka abuzuar në kontinuitet me pushtetin, edhe në kohën e para pavarësisë, me vetë faktin e ardhjes në pushtet të saj, pas amshimit të Presidentit Historik Rugova, me ç’rast, ardhja në krye të qeverisjes së vendit të PDK-së dhe Hashimm Thaçit si Kryeministër, vendi gradualisht ka rrëshqitë në një sistem të anti-vlerave; në krim dhe korrupsion gallopant, në një sistem të kleptokratik dhe nepotist, si dhe në sundim të oligarkëve mafio-ekonomik dhe politik, në krye të institucioneve shtetërore dhe me theks të veçantë, mbi sistemin e drejtësisë, dhe jo vetëm”, ka thënë Bajraj.

Sipas Bajrajt, partia që tani udhëhiqet nga Kadri Veseli, në masën më të madhe i ka vrarë shpresën qytetarëve të Republikës së Kosovës me sjelljet abuzive, e të papërgjegjshme.

“Pushtimi i të tre pushteteve të ndara me Kushtetutë: Legjislativi, Ekzekutivi dhe Gjyqësori, por edhe ai i katërti, i mediave nga ana e PDK-së, PRONTO-iste, bëri që vendi të stagnojë në të gjitha fushat dhe sferat e jetës, dhe i njëjti të boshatisët nga të rinjtë të cilët humbën shpresën për një të ardhme më të mirë në atdheun e të parëve, vendlindjen. PDK-ja, në masën më të madhe i ka vra shpresën qytetarëve të Republikës së Kosovës me sjelljet abuzive, të papërgjegjshme dhe kriminale ndaj pronës dhe parasë publike si dhe duke ngulfat sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor.

Analisti politik gjithashtu ka shtuar se dëmi që ka sjellë shtetit të Kosovës PDK-ja, ka bërë që sot shtetësia e saj të vihet në dyshim dhe rreziku i ndarjes dhe i copëtonit të saj të jetë opsion real, për fatin tonë të ligë.

“Lidershipi i PDK-së, mafio-kriminale, në krye të shtetit dhe në kapje të tij, ka dëmtuar vendin dhe të ardhmen euro-perëndimore edhe në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, duke rrezikuar edhe ri-kthimin e negocimit të statutit të Kosovës, përkundër faktit se Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht nga mbi 110 shtete. Skandalet në Drejtësi, shkuan aq larg, sa që në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare, PDK-ja dhe Presidenti Thaçi, dëbuan edhe shtetasit turq, dhe dëmtuan imazhin e Kosovës si shtet demokratik evropian”, ka shtuar ai.

Krejt në fund, ai ka theksuar se pasojat e rënda të keq-qeverisjes nga ana e PDK-së, po i vuajmë edhe tani, dhe shprehet se është skeptik se të njëjtat mund t’i tejkalojmë pa pasoja, ku ç’kapja e shtetit dhe shteti ligjor, do jenë prioritete të brendshme të Qeverisë së re, LVV dhe LDK, dhe kryeministrit Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat