Rugova, arkitekti i shtetit më të mirë, tani Kosova është një zhgënjim i madh për qytetarin

Politika

Rugova, arkitekti i shtetit më të mirë, tani Kosova është një zhgënjim i madh për qytetarin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 17 shkurt 2020 Në ora: 08:03
Foto ilustrim

17 shkurt 2020 shënon ditën kur Republika e Kosovës mbush plotë dymbëdhjetë vjet, prej kur është shpallur, shtet i pavarur.

Kosova përgjatë këtyre dymbëdhjetë viteve është përballur me sfida nga më të ndryshmet, të cilat padyshim që do të mbesin në kujtesën e qytetarëve.

Përkundër shpresave të mëdha, edhe ky dymbëdhjetë vjetor i pavarësisë e gjen njëjtë, e zymtë sikurse edhe në vitet e mëparshme. Qytetarët vazhdojnë të mbesin pa liberalizim të vizave në zonën Shengen, gjersa Bashkimi Evropian nuk duket i qartë në strategjinë për integrimin e Kosovës.

Njohës të fushave të ndryshme, për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se përkundër entuziazmit të madh, qytetarët e Kosovës tashmë e kanë kuptuar se pavarësia nuk ishte një mrekulli, pasi sipas tyre, ishte pikërisht kasta politike ajo që i humbi shpresat këtyre të fundit.

Mirëpo, analistët konsiderojnë se këto dymbëdhjetë vite prej kur e shpalli Kosova pavarësinë e saj, nuk është se i pati të lehta e pa sfida, përderisa bëjnë me dije se rrumbullakësimi i shtetësisë do të ndodhë vetëm atëherë kur Kosova do të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Kelmendi: Rugova ishte arkitekti i shtetit më të mirë, tani Kosova është një zhgënjim i madh për qytetarin

Image
Jeton Kelmendi

Profesori i shkencave të politikës, Jeton Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova për këto dymbëdhjetë vite është udhëhequr nga kasta politike pa e pasur idenë se çfarë është shteti.

Sipas Kelmendit, pavarësia e Kosovës erdhi si një akt, propozim i Ahtisaarit.

“Tashmë kaloi më shumë se një dekadë e pavarësisë së Kosovës, dhe në pushtet fillimisht u gjenden njerëzit që nuk e dinin se çfarë është shteti fare, se kishin as idenë. Pra, kryeministri i atëhershëm, që tani është president, Hashim Thaçi, ishte me një defiqiencë të thellë të dijës për shtetin. Kur tentohej në kohën e presidenti Rugova të nxirrej flamuri i Kosovës-flamuri i Dardanisë më pastaj himni dhe të tjerat, këta i dogjën e i persekutuan. Pavarësia erdhi si një akt, dorën në zemër propozim i Ahtisaarit të mbikëqyrur, dhe krejtësisht pa e pasur idenë nga kasta politike ajo vazhdoi ta qeverisë Kosovën për dhjetë-njëmbëdhjetë vite, në fakt pra që ta sundojë Kosovën për vite të tëra”, ka thënë Kelmendi.

Profesori i njohur ka potencuar gjithashtu se presidenti Rugova ishte arkitekti i shtetit më të mirë, pasi që sipas tij ai e kishte projektuar, por që në fakt tjetër kush e prishi.

“Kjo ndodhi, edhe për shkak të fatkeqësisë se para pavarësisë së Kosovës, vdiq presidenti dhe arkitekti i këtij shteti të Kosovës, në fakt arkitekti i shtetit më të mirë sepse ai e kishte projektuar, por që në fakt këta e prishën. Pas pavarësisë Kosova ishte një lloj kënaqësie, se tash ne hymë në histori dhe duke përfshirë këtu krerët e atëhershëm të institucioneve dhe deri tek presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi, madje kishin edhe deklarata krejtësisht të paarsyeshme, kur deklaronin se Kosovën e kanë njohur kaq shtete. Thjesht, nuk punonin për njohje, ato njohje që ka Kosova na erdhën nga presioni dhe ndikimi që kishte SHBA-ja dhe aleatet perëndimor. Pastaj, Kosova shkoi në një fazë që u njohë si vjedhja industriale dhe kishte vjedhje të votës e vjedhje të shtetit, dhe populli nga një entuziazëm më pastaj filloi që të bie optimizmi dhe qytetarët edhe filluan të largoheshin nga Kosova, dhe u pa se pavarësia nuk ishte ndonjë mrekulli”, ka thënë ai.

Kelmendi thekson se Kosova është një zhgënjim i madh për qytetarin, dhe se pavarësia e saj është parë tashmë se nuk ishte ndonjë mrekulli.

“Politika ishte gjithçka në interes për grupet e caktuara dhe individët e fuqishëm. Pas pavarësisë, gabimi më i pafalshëm ishte padyshim hapja e negociatave nga Hashim Thaçi që fillimisht ishin teknike, e që më pastaj dolën politike dhe mendoj së këtu është shkelur Ahtisaari. Pra, duke u udhëhequr nga këta njerëz Kosova kaloi shumë peripeci, dhe ajo që u prit me entuziazëm ishte për herë të parë vitin që lamë pasi kategoritë e ashtuquajtur komandantë dhe partitë që e kishin vjedhur Kosovën dhe e kishin lodhur popullin e Kosovës dhe u prit gjatë që në Kosovë po vije një qeveri e shpresës, por kurse tani po shihet se është një vazhdimësi. Tani Kosova është në presione, për ta hequr edhe taksën, aventurën e kryeministrit më të dështuar Ramush Haradinaj, më i dobëti që kishe pasur Kosova ndonjëherë pasi e futi Kosovën në represion e presione ndërkombëtare dhe detyrimisht duhet të hiqet ajo. Thjesht Kosova është një zhgënjim i madh për qytetarin dhe pavarësia është parë tashmë se nuk ka qenë ndonjë mrekulli, dhe qytetarët si mundësinë e vetme e shohin të largohen nga vendi, dhe kjo është Kosova pas kaq viteve pavarësi”, ka theksuar profesori i shkencave të politikes, Jeton Kelmendi.

Maloku: Dështim i pakontestueshëm i Kosovës është mos anëtarësimi në INTERPOL

Image
Albinot Maloku

Ndërsa, nuk janë të pakta ngjarjet që e kanë mbushur harkun kohor të këtyre 12 viteve për Republikën e Kosovës. Kështu ka vlerësuar politologu Albinot Maloku i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova përgjatë këtyre viteve nuk e kishte aspak lehtë.

“Ajo këto 12 vite prej kur e shpalli pavarësinë e saj, nuk është se i pati të lehta e pa sfida, mirëpo ecejaket e saj nuk do të ndalen. Rrumbullakësimi i shtetësisë së saj ndodh atëherë kur Kosova do të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Maloku.

Me tej ai ka deklaruar se përvjetori i 12-të, Republikën e Kosovës po e gjen me qeveri të re, por me sfida shumë të mëdha.

“Të arriturat e saja në rrafshin diplomatik, sidomos viteve të para pas shpalljes së pavarësisë ishin shumë të mira. Më pastaj patë një regres. Përvjetori i 12-të, Republikën e Kosovës e gjen me qeveri të re, por me sfida shumë të mëdha. Sidomos ato sociale e ekonomike. Shteti i Kosovës patjetër që ka të arritura dhe ato janë të prekshme e të pakontestueshme, mirëpo edhe dështime të numërta”, ka deklaruar ai.

Maloku ka shtuar se dështim i pakontestueshëm i Kosovës është mos anëtarësimi në INTERPOL si dhe vazhdimi i mbetjes së shtetasve të Kosovës në pamundësi për të lëvizur të lirë.

“Dështim i pakontestueshëm i Kosovës është mos anëtarësimi në INTERPOL si dhe vazhdimi i mbetjes së shtetasve të Kosovës në pamundësi për të lëvizur të lirë si shtetasit e vendeve të rajonit. Ajo çfarë kërkon urgjencë e të jetë edhe prioriteti kryesor i qeverisë, e përmes së cilit do të matet puna e tyre është zhvillimi ekonomik dhe hapje e perspektivës për qytetarët. Kosova e qytetarët e saj padyshim që e kanë të ardhmen e sigurt, përderisa nuk e harrojnë kurrë peshën e pasjes së shtetit”, ka shtuar politologu Albinot Maloku, për gazetën “Bota sot”.

Eksperti i sigurisë, këto janë sfidat kryesore që e presin Kosovën

Image
Drizan Shala

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pas shpalljes së pavarësisë mund të konkludohet se sektori i sigurisë ka pësuar ndryshime duke kaluar fazën e tranzicionit nga UNMIK-u te institucionet e Kosovës nën një mandatë mbikëqyrës nga ana e misionit evropian EULEX, dhe e cila e ka përmbyllur me sukses këtë faze të tranzicionit të konsolidimit të institucioneve të sigurisë duke përfshirë Policinë, Doganën, FSK-në dhe AKI-në.

“Institucionet dhe gjendja e sigurisë në Kosovë ishte e sfiduar si në aspektin e brendshëm, por edhe të jashtëm me theks të veçantë nga ana e shtetit të Serbisë përmes strukturave të saja paralele të vendosur dhe të riaktivizuar sipas nevojës së politikes se Beogradit në Kosovë”, ka thënë ai.

Eksperti Shala me tej është shprehur se në luftën për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e vendit, suksesi i atribuohet ndërveprimit institucional në mese Agjencionit Kosovarë të Inteligjencës dhe Policisë se Kosovës, të cilët ishin pjesë e frontit të parë në luftimin dhe garantimin e stabilitetit të Republikës së Kosovës, ndaj të cilës sipas Shalës ka pasur tentime për të cenuar nga individ, grupe kriminale, dhe me theks të veçantë të atyre që janë të ndërlidhur më strukturat e shtetit të Serbisë.

“Pra, organet e sigurisë disa here kanë arritur që të shtrinë autoritetin e saj në pjesën veriore të Kosovës duke i neutralizuar veprimet kriminale në atë pjesë dhe duke e kontrolluar dhe monitoruar atë në vazhdimësi, por njëherit kanë treguar suksese edhe në luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit fetar me të cilën ishte përballur Kosova që nga 2014-të e tutje, duke u bërë partner në luftimin e terrorizmit pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja”, tha eksperti i sigurisë, për gazetën “Bota sot”.

Ai ka shpjeguar gjithashtu se si Kosova arriti gjatë këtyre viteve ta përmbyllë e fazën e tranzicionit dhe arritjes së kapaciteteve të plota të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ndërsa me përmbylljen e fazës së tranzicionit dhe arritjes se kapaciteteve të plota të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sipas raportit zyrtar nga ana e mekanizmave të sigurisë ndërkombëtar DIRI (Nisma për Reformën e Institucionit të Mbrojtjes), dhe ODC (Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes) së Shteteve të Bashkuar të Amerikës si dhe NALT (NATO Advisory and Liaison Team), dhe miratimit të pakos ligjore Kosova arriti që të përmbyllë arkitekturën e sigurisë me zgjerimin e mandatit dhe autorizimeve që i kishte deri në atë kohë FSK-ja. Sfidat që e pret kjo dekadë Kosovën mund të themi që do jetë lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar të mbështetur nga strukturat të sigurisë jo mike të Kosovës”, ka shtuar ai.

Krejt në fund, Shala ka nënvizuar se sfidat kryesore të Kosovës në aspektin e fushës së policisë do jenë anëtarësimi i Kosovës në SEE, SECI dhe INTERPOL.

“Në aspektin e mbrojtjes mund të themi do jete anëtarësimi i plotë i Kosovës në mekanizma rajonal në A5 që të bëhet A6 (Kartën e Adriatikut), Qendra Trajnuese për Përkrahjen e Operacioneve Paqësore (PSOTC), Qendra për Asistim në Implementim dhe Verifikim të Kontrollit Rajonal të Armëve (RACVIAC ) si dhe në SEDM. Synimi primar do të jetë anëtarësimi i FSK-së në NATO. Në aspektin e fushës së policisë do jetë anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat siç janë PCC SEE – Konventa e Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, SECI – Iniciativa e Evropës Juglindore për Bashkëpunim, dhe me theks të veçantë në INTERPOL. Sfida kryesore do të jete depolitizomi i sektorit të sigurisë si dhe përmbyllja e procesit të Vettingut sipas kritereve dhe kushteve nga bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA-ve”, ka thënë krejt në fund, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat