SHBA nuk do të dëmtojnë Kosovën dhe sovranitetin e saj

Politika

SHBA nuk do të dëmtojnë Kosovën dhe sovranitetin e saj

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 20 shkurt 2020 Në ora: 08:07
Richard Grenell

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, ka mohuar se ai, dhe qarqet amerikane, mbështesin një plan për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Përmes një postimi në rrjetin social Tëitter, Grenell e ka quajtur si lajm të rremë një raportim të revistës “EU Observer” në të cilën thuhet se “një plan për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është edhe më tutje popullor në qarqet amerikane, derisa i dërguari Richard Grenell edhe më tutje e promovon idenë e një marrëveshjeje të shpejt të njohjes". “Lajm i rremë. Ju asnjëherë nuk keni thirrur ose shkruar për të pyetur. Unë jam për atë që palët pajtohet – unë jam i fokusuar në zhvillim ekonomik dhe jo në politikë”, ka shkruar Grenell.

Përfaqësuesi Special i Presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi gjatë vizitës se fundit në Kosovë kishte folur çartë se Amerika dëshiron një marrëveshje përfundimtare më Kosovën.

Grenell ka folur sa i përket dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe ka theksuar se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nuk do të lejojë që të zvarritet shumë gjatë procesi i arritjes së një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Grenell gjatë vizitës në Kosovë kishte pohuar se ka një afat të shkurtër brenda të cilit do të duhet të zgjidhet problemi shumë vjeçar mes dy vendeve.

Njëlloj si në Prishtinë, Grenell ka thënë se Serbia duhet të ndalë lobimin kundër pavarësisë së Kosovës ndërkohë ka thënë se taksa e Kosovës ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duhet të hiqet.

I pyetur nëse është optimist që një gjë e tillë mund të ndodhë, Grenell ka thënë se njerëzit e komunitetit të biznesit dhe qytetarët e zakonshëm janë duke pritur progres.

“Njerëzit e dinë që një gjë e tillë duhet të ndodhë, por disa politikanë janë bllokuar në mënyrën e tyre të vete të të menduarit dhe duan të debatojnë për gjithçka. Le të hiqen taksa, dhe unë do të insistojë që Serbia të ndalojë lobimin, kjo duhet të ndodh në të njëjtën kohë. Unë mendoj se jemi afër për ta bërë një gjë të tillë, njerëzit duan të ecin përpara, për ta kapërcyer të kaluarën”, – ka thënë Grenell.

Një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë asnjëherë nuk e ka shpalosur Kryeministri Albin Kurti i cili është për rifillimin e dialogut por jo për marrëveshje përfundimtare që cenon Kosovën dhe të kaluarën e saj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vazhdimisht janë këmbëngulës në qëndrimet e tyre ne kërkesën e vetme për një “pajtim“ mes Kosovës dhe Serbisë duke shtuar faktin edhe për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme në Munih të Gjermanisë.

Bunjaku: Faktori vendor politik duhet te jetë i unifikuar kur janë në pyetje interesat kombëtare

Në lidhje më këtë, deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku ka thënë për “Bota Sot” se një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, do të mund ti kontribuonte paqes në Ballkan dhe se për ketë janë të interesuar SHBA-të.

Image
Valentina Bunjaku

“Ambasadori Grenell dhe SHBA-të janë shumë të interesuara ta gjejnë një zgjidhje drejtë një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do t’i kontribuonte paqes në Ballkan dhe integrimit të dy vendeve në BE. Një marrëveshje e imponuar dhe e dhimbshme për dy vendet por e domosdoshme dhe e përballueshme për ne, kur dihet se SHBA na u bë aleatë në ditë të vështira të luftës në Kosovë dhe ne duhet t’i ruajmë si miq të përhershëm dhe të besueshëm” ka thënë Bunjaku.

Sipas saj, faktori politik duhet të jetë i bashkuar në interesat kombëtar e sidomos për të tejkaluar një sfidë siç mund të jetë marrëveshja përfunduare më Serbinë.

“Faktori vendor politik duhet te jetë i unifikuar kur janë në pyetje interesat kombëtare dhe bashkë ta tejkalojmë edhe ketë sfide jo të lehtë. Ne duhet kuptuar se as në paqe e as integrim nuk mundemi pa miq andaj nuk duhet anashkaluar dhe injoruar ata, por sa më të bashkuar besojmë se mundemi të jemi produktiv nëpër etapa...në interesa të vendit.

Voca: ShBA nuk do të dëmtojnë Kosovën dhe sovranitetin e saj

Sipas, njohësit të Integrimeve Evropiane, Mirsad Vocës, shprehur se Grenell ka nisur një shtytje të re ndaj Serbisë dhe Kosovës për një marrëveshje sa më të shpejtë..

Image
Mirsad Voca

“Aktualisht ShBA apo më mirë të themi Donald Trump ka kthyer interesin në Ballkan, dhe kjo bën që tani i deleguari i D. Trump, ambasadori Richard Grenell të nis një shtytje të re ndaj Serbisë dhe Kosovës për një marrëveshje sa më të shpejtë.

ShBA kanë qenë vendimtare sa i përket çlirimit të Kosovës nga Serbia si okupatore e Kosovës nën vitet 1990. Duke u nisur nga ky këndvështrim, besoj se ShBA nuk do të dëmtojnë Kosovën dhe sovranitetin e saj për të cilin kanë investuar shumë”, ka deklaruar Voca.

Për më tepër, ai ka shtuar se nuk mund të paragjykohet se a mund të ketë marrëveshje përgjatë këtij viti, dhe thekson se nuk mund të bëhen marrëveshje ndërshtetërore pa njohje.

“Tani vendimet e tij, janë të një rëndësie të veçantë, duke e pasur parasysh përmbylljen e kapitullit Kosovë/Serbi, përmes njohjes reciproke midis këtyre dy shteteve. Këtë e ka shumë të qartë Z. Grenell, por edhe A. Vuçiç i cili lë të kuptoj sa herë e më shumë se Serbia do të duhet ta njoh Kosovën Shtet të pavarur dhe sovran. Se a do të përmbyllet marrëveshja Kosovë/Serbi përgjatë 2020, nuk mund të paragjykohet një gjë e tillë mirëpo ajo që do të përshpejtonte arritjen e marrëveshjes ndoshta edhe këtë vit, është vetëm njohja e Kosovës nga Serbia, sepse nuk mund të bëhen marrëveshje ndër-shtetërore kur njëri Shtet jo vetëm që nuk njeh tjetrin por që përpiqet që ta zhbëj atë”, ka potencuar Voca për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka theksuar se Kosova ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim rajonal, këtë gjë duhet të di edhe Grenell, dhe se ky i fundit nuk mund të merr vendin për asnjërën palë.

“Grenell nuk mund të marr vendim për asnjërën palë, ndërsa palët do të duhet të arrijnë marrëveshje midis tyre. E për tu realizuar marrëveshja, Z. Grenell e ka shumë të qartë që Serbia do të duhej të ndryshoj qasje ndaj Kosovës dhe ta njoh atë. Në anën tjetër, R. Grenell, duhet ta ketë të qartë se Kosova nuk bllokon marrëveshje me asnjë Shtet fqinj dhe ka qenë dhe mbetet e hapur gjithnjë për bashkëpunim rajonal por si Shtet sovran dhe i pavarur pa pretenduar e kushtëzuar asnjë Shtet fqinj. Kosova nuk ka çfarë të jap dhe nuk pretendon të marr përveç që t’i njihet ajo që tashmë është e patjetërsueshme nga Shtetet fqinje, e ajo është realiteti i pandryshuar tashmë që 12 vite, Kosova Shtet i pavarur, sovran e stabil, me intenca të qarta paqedashëse për një fqinjësi të mirë me të gjitha Shtetet Ballkanit perëndimor”, ka deklaruar Voca në një prononcim për “Bota sot”.

Mulliqi: Vendimet kërkojnë shumicën absolutë prej 80 votash

Ndërkaq, analisti politik Skënder Mulliqi, ka thënë se pa e nisur mire punën qeveria e re, dhe pa u njoftuar siç pohojë, kryeministri, Albin Kurti , u nënshkruan dy marrëveshjet në Mynih, që nuk ishte dashur të ndodhë. Nevojitet një bashkërendim i punëve nga ana e institucioneve të shtetit, kur bëhet fjalë për një temë kaq të ndejshme siç është vazhdimi i bisedimeve më Serbinë , të ndërprera në vitin 2018.

Image
Skënder Mulliqi

“Qeveria e re e ka marr tashmë punën, dhe ishte dashur që dialogun ta udhëheq Albin Kurti. Unë mendoj se dialogu përkundër insistimit të administratës, të Donald Tramp, por edhe nga BE-ja , që ky proces të përmbyllet brenda vitit 2020, megjithatë, pala shqiptare nuk ishte dashur të vepron ngutshëm. Grenel dëshiron që bisedimet të përmbyllën para zgjedhjeve të reja presidenciale në nëntor të vitit 2020. Duket së Amerika dhe BE-ja, ende nuk kanë qasje unike së si do të duket vazhdimi i dialogut. Unë mendojë së dialogu ishte dashur të fillojë më dy parakushte. E para, që Serbia ta heq nga preambula kushtetuese Kosovën si pjesë e saj, dhe e dyta ta njohë pavarësinë. Atëherë do të kuptohen realitetet e reja nga Serbia” ka thënë Mulliqi.

Sipas tij në vazhdimin e dialogut më një qasje të tillë të rrejshme nga ana e shteti serb siç jemi mësuar deri tash, sigurisht së kjo do të ndikon ne rezultatin përfundimtarë të bisedimeve. Nuk bënë që dialogun ta përcjellin të panjohurat, divergjencat dhe jo transparenca e duhur për publikun e gjerë, së bëhet fjalë për një interes shumë madhor te shtetit.

“Para së gjithash çdo vendim duhet të merret paraprakisht në kuvend, e dihet së vendimet kërkojnë shumicën absolutë prej 80 votash. Nëse ndodhë që dialogu të fillon pa kushte , dhe kjo nuk është larg mëndsh, me insistimin e faktorit relevant ndërkombëtarë, atëherë delegacioni ynë nuk duhet të nënshkruajë asgjë, nëse nuk do të ketë në fund njohje reciproke, siç po interpretohen letrat e presidentit, Donald Tramp. Ne, kemi pasur dhe kemi besë ne Amerikën mike, por nuk kemi besë në Serbinë armike. Edhe pse Kosova është projekt ndërkombëtar, shumë çka do të varet nga këmbëngulësia jonë në këto bisedime të zorshme që na presin.

“Ende mendojë së nuk është larguar krejt rreziku i ndarjes së Kosovës mbi baza etnike, që nuk ishte dashur të pranohet, si logjikë së do ti heqim qafe serbët njëherë e përgjithmonë. Po të ndodhë tu plotësohet dëshira e sëmur për veriun e Kosovës, prap serbet bashke me ruset nuk i ndalojnë planet dhe elaboratet e tyre, që herdo kur të dalin në Durrës. Serbia e shumëfishojë territorin e saj në dëm të fqinjëve

të tyre , e më së shumti i dëmtojë shqiptarët. Kësaj radhe duhet ti ndalet turri kësaj logjike grabitqare hegjemoniste serbe. Ky shtet ka merituar të ndëshkohet për gjenocid, që pala jonë kurrë deri më sot, nuk deponojë material të tillë pranë GJND-së. Kjo është e pafalshme. Edhe pse vonë, Qeveria do të duhej ta merrte një hap të tillë, sikurse edhe për ndarjen e pasurisë nga ish-Jugosllavia, dhe ti kërkon edhe dëmet e luftës” ka thënë analisti politik Skënder Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat