Serbia si model dhe dështimi i Edi Ramës!

Politika

Serbia si model dhe dështimi i Edi Ramës!

Prof. Ass. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Ass. Dr. Enver Bytyçi Më 20 shkurt 2020 Në ora: 21:27
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq

Edi Rama duket i nervozuar. Kushdo që i del përpara, Klodiana në Tiranë apo Erisa në Bruksel, do të marrë mbrapsht prej kryeministrit shqiptar gjithë energjinë negative të një njeriu me ego diktatorësh. Nuk kursen askënd kur sheh dështimin e tij të pashmangshëm. Po pse dështoi Edi Rama, madje kaq turpshëm? Sepse u përpoq të ndërtojë modelin e mikut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, në Shqipëri. Kopjoi në çdo gjë presidentin e Serbisë, duke harruar se bota e vlerave të lirisë ka njëmijë arsye ta tolerojë lidershipin serb në gënjeshtrat e mashtrimet e veta, por jo edhe liderin “suprem” të Shqipërisë për të njëjtën gjë.

Dy ishin pikat e referencës serbe: Viktimizimi dhe justifikimi se “të gjithë kanë bërë gabimet e mia”, në rastet e dështimeve!

Serbia e ka në ADN viktimizimin, sidomos në kushtet e paqes, por edhe në prag luftrash. Serbia i nis luftrat e saj me popujt e tjerë me shpresë se do t’i mposhtë dhe nënshtrojë ata. Të njëjtën gjë bëri Edi Rama me popullin e vet. U shpalli luftë shqiptarëve të varfër për të shtuar pasuritë e veta e të miqve të tij oligarkë po me paratë e qytetarëve që ai pretendon se i qeverisë. I futi në burgje të vobektët dhe i nxori prej andej kriminelët! I varfëroi dhe i dëboi nga Shqipëria, ndërsa pasuritë e lëna pas ua dha oligarkëve të tij. Serbia vrau popujt jo serbë, Rama vijon ta vrasë popullin e vet, shqiptarët. Madje ky i fundit pasi vrau shqiptarët e Shqipërisë, bashkë me Vuçiqin, Thaçin dhe Stanishiqin e Prishtinës përgatiti me pashpirtësi arkivolin për shtetin e Kosovës. Pra ndarjen e saj!

Serbia sa herë ka dështuar, pa kërkuar falje për krimet e veta, ka bërë rolin e viktimës dhe ia ka dalë që ta rikuperojë imazhin e vet prej banditi e të “bëhet engjëll”! Gjithmonë kur i ka munguar forca për t’iu imponuar të tjerëve Beogradi ka luajtur me mjeshtëri rolin e viktimës. Me këto metoda Serbia kurrë nuk i ka pranuar krimet e saj kundër popujve të tjerë. Edi Rama dështoi në të gjitha nismat e veta brenda vendit, në iniciativat rajonale dhe të integrimit. Dhe njësoj si në Beograd “armikun” e kërkon jashtë vetes së tij, jashtë godinës së qeverisë, te ndërkombëtarët, madje edhe te opozita, te presidenti e kudo tjetër. Vetëm Edi Rama, Taoja dhe Ulisia nuk kanë asnjë përgjegjësi.

Prej dy-tri vitesh kryeministri i Shqipërisë ka zgjedhur ta kopjojë Beogradin dhe politikën e tij edhe në një aspekt tjetër. Të përpiqet që të imponojë idenë se “as të tjerët para tij e përballë tij nuk janë më të mirë se ai”! Në Beograd kjo skemë ka funksionuar deri diku me atë që ata thonë se “Të gjithë popujt gjatë luftrave dhe konflikteve të viteve ’90 kanë bërë krime”! Relativizimi i krimeve serbe u bë pjesë e politikës dhe diplomacisë serbe. Relativizimi i skandaleve dhe dështimeve të Edi Ramës u bë pjesë e planit të tij për të realizuar vijimësinë e pushtetit dhe sundimin e shqiptarëve me metodat serbe të sundimit e dhunës.

Vuçiq shpesh herë u thotë serbëve se “ai i mbron interesat e Serbisë dhe se nuk ka më të mirë ai”! Të njëjtën gjë përsërit Edi Rama në Shqipëri dhe fatkeqësisht si në Serbi edhe në Shqipëri ka naivë që u besojnë këtyre mashtrimeve mediatike. Ndërkaq këtë skemë serbe e modifikojnë me paturpësi “analistët” e kryeministrit në ekranet televizive.

Ka ndodhur që rastësisht të ketë ngjashmëri midis sjelljeve politike në Serbi e sjelljeve politike në Shqipëri. Por kësaj radhe asgjë nuk ndodh rastësisht. Vuçiq është modeli i Edi Ramës në qeverisje. Por me një ndryshim? - Ndërsa Vuçiq e ndjek një model të tillë qeverisjeje në raport me politikat rajonale dhe marrëdhëniet me vendet fqinj të Serbisë, Edi Rama e ndjek një politikë të tillë me shqiptarët dhe faktorët shqiptarë në rajon, përfshirë Kosovën. Dhe nga një zhvillim i tillë përfitues të vetëm janë serbët dhe autokratët që qeverisin shqiptarët, por jo shqiptarët dhe Shqipëria.

Kopja gjithmonë sjell dështim. Edhe nëse në fillim duket se kopjaci ia hedh, vjen një ditë kur nuk mund ta kalojë pragun. Edi Rama nuk e kaloi pragun e Brukselit dhe u ndëshkua me donacionet për tërmetin. Në të dy rastet janë ndëshkuar edhe shqiptarët, edhe unë që po shkruaj këto radhë. Por ne e meritojmë këtë ndëshkim. Madje duhet të jemi të lumtur ta kalojmë me kaq. Jemi ne që kemi prodhuar një mostër kryeministër si Edi Rama!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat